Nje qeverisje me efikase, per gjendjen e rende social-ekonomike

kuvendi i shqiperise 15

Kohët e fundit po shoqërohen dhe karakterizohen nga ngjarje të rënda kriminale brenda familjes sikundër janë vrasjet dhe vetëvrasjet. Janë akte të rënda e tepër tronditëse kur dëgjon që për një vijë uji, për një gardh, për një copë tokë apo për një ulli vëllai vret vëllanë, djali babanë, kushëriri kushëririn, komshiu komshiun apo për xhelozi e grindje banale burri vret gruan dhe anasjelltas dhe që kanë si motiv dhe shkak kryesor gjendjen e rëndë ekonomike që sa vjen dhe agravon përherë e më tepër.

Përballë kësaj gjendjeje të trishtueshme dhe aspak normale tingëllojnë si paradoksale vetëmburrjet e qeverisë se kemi rritje ekonomike prej 3% apo 3.2%, shifër fare e papërfillshme dhe pa asnjë ndikim për rritjen e nivelit të jetesës e aq më tepër për një ekonomi të vogël e të brishtë e me potenciale të kufizuara material e njerëzore shto këtu edhe konkurencën e egër që ushtrohet në rrafshin rajonal, europian e më gjerë. Rritja ekonomike ka dhe jep efekt në vendet me ekonomi të zhvilluar e të konsoliduar, por jo për vendin tonë që ka akumuluar jo pak prapambetje, stanjacion dhe varfëri të tejskajshme.

Mazhoranca e lakon në mënyrë recidiviste dhe me jo pak bujë e zhurmë banale e propagandiste dhe me retorika bajate politike e sidomos për efekte elektorale duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare. Pa dyshim dhe pa dashur të mohoj apo të bëj nihilistin për të qenë më të saktë, më realistë e më objektivë duhet pranuar se kjo mazhorancë ka edhe arritje e sidomos në projektimin e realizimin e disa reformave si në energjitikë, arsim, shëndetësi, në fushën e drejtësisë etj. Por gjithsesi këto nuk mjaftojnë e për më tepër i japin efektet pozitive me vonesë. Përkundrejt disa arritjeve të kësaj mazhorance, përveç trumbetimit pa doganë të 3.2% rritje ekonomike konstatoi edhe një difekt tjetër jo pak serioz. Dhe ky difekt është krahasimi i arritjeve me qeverisjen e PD-së.

Në aspektin dhe gjykimin dialektik, krahasimi nuk mund të bëhet me të prapambeturën, pasi të gjithë e dimë dhe jemi dëshmitarë se si dhe sa keq ka qeverisur mazhoranca e kaluar. Pra, krahasimi duhet bërë me atë që mund e duhej të arrihej nëse punohej mirë, pra me të përparuarën. Kjo është dialektika e zhvillimit progresiv të arritjeve që dëshirojmë. Ndërsa krahasimi me të prapambeturën të çon në perceptime e gjykime metafizike në lëvizjen dhe zhvillimin e sendeve e të fenomeneve. Përveç sa thashë më sipër e ka jo pak të theksuar edhe justifikimin e rëndonte, ku me vend e pa vend përsërit refrenin e mërzitshëm se gjetëm një vakum e goxha gropë të madhe ekonomike që na la peshqesh qeverisja e mëparshme. E për më tepër kanë kaluar më shumë se 3 vjet dhe kjo e shkretë gropë tashmë duhej të ishte mbushur në mos edhe tejmbushur. Pra një justifikim i tillë apo edhe të tjerë si ky, nuk e përligj gjendjen aktuale social-ekonomike.

Mendoj pa më të voglin ekuivok se tjetërkund duhen kërkuar shkaqet dhe rrugët për kapërcimin e kësaj gjendjeje social-ekonomike. Përkundrejt kësaj situate lipset që makineria qeverisëse të jetë më dinamike, më aktive, më operative, më e shkathët, e zhdërvjelltë, impulsive e sa më ekzigjente dhe efektive. Ne kemi gjendje stoqe mineralesh që nuk po na shiten, kemi me bollëk ullinj dhe produkte bujqësore e blegtorale që nuk po mundemi t’i shesim. Po e ilustroj këtë me një shembull konkret. Fqinji ynë, Maqedonia eksporton jo pak por 250 mijë qingja në shtetet Europiane ndërsa ne asnjë krerë. Pra na duhen njerëz dhe institucione respektive që të dinë të nuhasin tregjet e të dinë të bëjnë tregti, pra na duhen dikastere, drejtori dhe njerëz që të lëvizin dhe siç thotë populli ta nxjerrin qimen nga qulli dhe jo të dremisin e të ngrohen në furnelat elektrike. Ndoshta ka ardhur koha që në disa ingranazhe dhe pjesë të makinerisë qeverisëse duhet të grasatohen pse jo dhe të ndërrohen e të zëvendësohen pa as më të voglin hezitim dhe ngurrim. A nuk ishte vetë kryeministri Edi Rama që deklaroi para pak ditësh se ishte ai i pari që ish i pakënaqur nga qeverisja? Po atëherë çfarë pret, pse nuk bën ndërhyrje kirurgjikale dhe sa më efektive sa nuk është vonë. Në të kundërtën, makineria qeveritare do të ngecë në vend dhe nuk do të lëvizë me hapin e kohës, më mirë, më shpejt e më me efikasitet. Vetëm kështu dhe me masa emergjente do të mund të zbusim gjendjen e agravuar social-ekonomike, çka do të ndikojë në rritjen e mundshme ekonomike në ngritjen e pensioneve e të ndihmës sociale për shtresat në nevojë.

Ndërsa opozitës dua t’i kujtoj që të mos i bjerë fyellit me avazin e vjetër bajat, banal e qesharak se do të ulë taksat, se do të rimbursojë harxhimin e energjisë elektrike deri 200 KË për qytetarët. Qytetarët nuk janë çiliminj, që të gënjehen me retorika të sheqerosura. Ndërsa opozita duhet të kërkojë, të zbulojë e të gjejë, e të shpalosë alternative që u shërbejnë qytetarëve e që përmirësojnë gjendjen social-ekonomike, pasi kështu do të bëhet më e besueshme ndaj qytetarëve.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.