Reforma zgjedhore perplas PS-LSI, Meta kerkon lista te hapura dhe uljen e numrit te deputeteve, Rama kunder propozimit
Kryeministri i vendit, Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, kanë replikuar dje në distancë për reformën zgjedhore. Teksa deri më tani është parë një qetësi në koalicionin qeverisës, duket se kjo çështje ka turbulluar ujërat, pasi LSI dhe PS kanë qëndrime krejt të kundërta. Ilir Meta ka bërë dje të qarta qëndrimet e partisë që ai drejton mbi atë se çfarë ajo kërkon nga kjo reformë.
Duke folur në seminarin “Forcimi i pavarësisë së organeve të menaxhimit zgjedhor - Shkëmbimi i përvojave mes Shqipërisë dhe Sllovenisë”, Ilir Meta deklaroi dje se LSI është për lista të hapura dhe tkurrje të numrit të deputetëve në Parlament. “Së pari, unë mendoj që problemi demokratik i Kodit është që listat duhet të jenë të hapura.
Kjo e bën të pashmangshme pastaj dhe vetë demokratizimin e partive, sepse krijon lidhjen e qytetarit me votuesin. Pra, deputetët nuk janë thjesht partiakë, por janë më shumë parlamentarë, sepse kanë një raport tjetër me votuesin dhe do të ruajnë një raport edhe me drejtimin e partisë, edhe me qytetarët. Unë këtë gjë e kam mbështetur dhe e mbështes pavarësisht nga vështirësitë që mund të ketë në zbatimin e saj”, tha ai.
Meta deklaroi se nuk është e shëndetshme për një parlament me dy, tre apo katër parti. Më tej kreu i Kuvendit dhe i LSI u shpreh se numri i deputetëve është shumë i lartë, duke shtuar se ka ardhur koha që të ulet. “Duhet parë se numri i deputetëve është më i madh se sa duhet. Ne bëmë një reformë administrative, nga 400 njësi kaluam në 61 njësi dhe mendoj që ishte një hap i domosdoshëm. Duhet parë diçka edhe te Parlamenti.
Sepse kjo do të ndihmojë dhe në një funksionim më të mirë të Parlamentit edhe një cilësi më të mirë të funksionimit të Komisioneve, por edhe vetë pastaj përmbajtja do të jetë më cilësore se sa është sot”, u shpreh Meta.
Replikon Rama
Kreu i PS dhe njëherësh kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar dje nga Serbia për deklaratat e kryeparlamentarit Ilir Meta. I pyetur nga gazetarët për idenë e listave të hapura, ai nuk e pranoi këtë gjë. "Personalisht jam kundër listave të hapura”, deklaroi Rama. Po ashtu një farë kundërshtimi tregoi dhe për idenë e uljes së numrit të deputetëve, duk shtuar se kjo ka nevojë për shumë diskutime. Sipas Ramës, reforma duhet të konsistojë vetëm te rekomandimet e OSBE/ODIHR.
“Kjo çështje kërkon një diskutim të gjerë. Unë jam që të zbatohen rekomandimet e OSBE-ODHIR”, tha kryeministri. Në këtë aspekt, ai i ka rrëzuar propozimet e Metës, duke dëshmuar se reforma zgjedhor do jetë thjesht sipërfaqësore, gjithmonë nëse realizohet në kohë.
Meta kundër biznesmenëve në politikë
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka propozuar dje që të shihet mundësia me qëllim largimin e biznesmenëve nga politika. “Një problem tjetër që unë e kam thënë dhe që të paktën në rast se unë do të jem Kryetari i LSI-së do ta kem në konsideratë në mënyrë të veçantë, është kufizimi i pjesëmarrjes së biznesmenëve në Parlament.
Mund të mos jetë me probleme do me thënë që kanë të bëjë me dekriminalizimin, por pjesëmarrja e madhe e biznesmenëve në Parlament dhe në poste publike është një problem për cilësinë e Parlamentit”, deklaroi Meta. Sipas tij, kjo sjell probleme në qeverisje, pasi ka shumë presion prej tyre.