Meta i pergjigjet deputeti Rakipi te PDIU- Mos kerko te behesh protagonist

meta13212121

Kryetari i Parlamentit Ilir Meta u ka kthyer përgjigje kritikëve për trajtimin që i bëri çështjes çame gjatë vizitës së tij dy-ditore në Greqi.

Ka qenë deputeti i PDIU Aqif Rakipi që akuzoi sot Metën se deklarata e tij në Athinë për çështjen çame ishte antishqiptare.

Kurse, kryeparlamentari Meta në një intervistë sonte me gazetarin Everest Dedaj në Ora News është shprehur se çështja çame nuk zgjidhet me protagonizëm spekulativ, por me krijimin e një klime pozitive midis dy vendeve.

Meta deklaron se çështja çame plaga më e thellë midis e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Kryeparlamentari deklaron se kjo çështje nuk mund të zgjidhet nga asnjë politikan dhe as nga Shqipëria, por vetëm nga mirëkuptimi i dyanshëm.

Për sa i përket çështje së varrezave greke në Shqipëri, Meta deklaroi se do të përmbushen detyrimet ndërkombëtare si vend anëtar i NATO-s dhe se do të zbatohet marrëveshja midis dy vendeve.

Intervista e plotë:

-Z. Meta, me takimin me kryeministrin Tsipras përmbyllët një vizitë dy-ditore në Athinë. Cili ishte qëllimi i takimeve tuaja në këtë vizitë?

Meta: Qëllimi  ishte i qartë, për t’i dhënë një hov të ri marrëdhënieve mes dy vendeve, në veçanti mes dy parlamenteve. Vetë takimet me gati të gjithë forcat parlamentare në Greqi synonte në krijimin e një klime sa më pozitive në politikën e dy vendeve në mbështetjen e politikave të përbashkëta, në zhvillimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë e Greqisë pasi dihet që këto janë marrëdhënie të rëndësishme që janë përgjegjësi jo vetëm e qeverive por e të gjithë klasës politike sepse janë të interesave strategjike afatgjata dhe kërkojnë dhe angazhimin e opozitave në vendet respektive.

-Mendoni se me një shikim nga e ardhmja mund të zgjidhen çështjet e mbetura pezull?

Meta: Çështjet e trashëguara mund të zgjidhen vetëm me shikim nga e ardhmja. Çdo politikë tjetër për t’i zgjidhur ato në mënyrë të një anshme, imponuese, konfliktuale nuk sjell zgjidhje, se zgjidhja duhet të jetë e dy-anshme, por krijohen 100 probleme të tjera.

Pasi dihet se marrëdhëniet mes dy vendeve sot janë jashtëzakonisht të lidhura, jo vetëm ekonomike, apo politike por edhe njerëzore, familjare, lidhje që kanë të bëjnë me çdo familje, dhe e parë në këtë këndvështrim vetëm konsolidimi i një terreni të qëndrueshëm pozitiv, do të bëjë të mundur trajtimin me kujdes të çështjeve që bartim nga e kaluara.

Jo rastësisht sot në takimin me Tsipras theksova se të gjithë popujt e këtij rajoni, që përveç se kanë bashkëjetuar, por kanë pasur edhe plagë midis tyre, edhe plagën kur e përkëdhel të dhemb, jo më kur e ngacmon.

Mendoj se është e rëndësishme qasja pozitive. Ne kemi disa vlera të përbashkëta themelore, jemi anëtare të NATO-s, Greqia është anëtare e BE-së, ndërsa ne jemi kandidatë dhe njëkohësisht është vend që aspiron. Pra kemi përkatësi të përbashkët europiane. E rëndësishme është mirë-besimi e respekti reciprok, dhe gjenden të gjitha instrumentat e duhur për t’i zgjidhur këto probleme.

-Zt. Meta me kryeministrin Tsipras, ju afruat shembullin e plagës. A ishte në fakt një mesazh për Athinën zyrtare apo për kritikat në Tiranë? Kujtojmë se aleati më i ri i mazhorancës, Shpëtim Idrizi ishte mjaft kritik me qëndrimin të zbutur që ju mbajtët për çështjen çame.

Meta: Mendoj se nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit tim ndaj çështjes çame. Ky qëndrim është bërë i ditur prej kohësh. E theksoj edhe një herë tjetër, se zgjidhja e kësaj çështjeje nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme, as nga unë dhe asnjë nga një përfaqësues tjetër i Shqipërisë, madje as nga e gjithë Shqipëria së bashku për të qenë realist zgjidhja e çdo çështjeje që mbartet nga e kaluara kërkon një mirëkuptim të dyanshëm. Asnjë zgjidhje nuk vjen në mënyrë të njëanshme dhe për këtë duhet një klimë sa më pozitive në këto marrëdhënie.

Kjo çështje duhet trajtuar si domosdoshmëri për t’i përmirësuar më tej marrëdhëniet me Greqinë në të ardhmen, në një plan më afatgjatë dhe strategjik dhe jo thjesht për t’i konfrontuar këto marrëdhënie. Mendoj se është shumë e rëndësishme qasja ndaj këtij problemi dhe akoma më i rëndësishëm se retorika është rruga e instrumenteve që do të ndihmojë në zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve të përzënë me forcë nga trojet e tyre, ku një e drejtë e padiskutueshme është ajo e pronës.

-Zt. Meta a mund të ishit ju më konkret apo më i qartë në artikulimin e çështjes çame në Athinë. Kujtoj se në vitin 1999 ju keni këmbëngulur për këtë çështje duke kërkuar zgjidhje….

Meta: Unë besoj se kjo nuk ka të bëjë aspak me qartësinë time, sepse ajo vazhdon të jetë e njëjta, por unë besoj se në kontekstin e marrëdhënieve të sotme midis dy vendeve, duhet investuar më tepër energji pozitive për të rritur mirëbesimin midis dy vendeve tona, midis gjithë institucioneve por edhe të opinionit publik. Mendoj se kjo do të ndihmojë edhe për trajtimin e suksesshëm të çështjes çame në të ardhmen dhe të çështjeve të tjera. Këtu nuk bëhet fjalë për protagonizëm spekulativ, i cili thjesht mund të bëjë një lajm të pëlqyeshëm për disa të themi sot, por që nuk ndihmon në krijimin e asaj klime për të zgjidhur problemet e të shkuarës.

-Zt. Meta ju flisni për marrëdhënie reciproke mes palëve. Kur ju nisët vizitën në Athinë, ministri i Jashtëm grek i dërgoi një letër komisionerit Hahn, ku i theksoi dhe i shprehu se nuk do të njihej kurrë çështja çame. Duke qenë kaq konstruktivë Shqipëria dhe Greqia mendoni se do zgjidhen çështjet e mbetura pezull?

Meta: Mendoj që Shqipëria dhe shqiptarët çdo çështje mund ta zgjidhin vetëm në mënyrë konstruktive. Sepse mendoj se fuqia e Shqipërisë qëndron në planin rajonal dhe ndërkombëtar. Shqipëria gjithnjë është vlerësuar si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Ky është vlerësimi më i rëndësishëm për Shqipërinë nga BE, NATO e SHBA. E nëse Shqipëria humbet këtë vlerësim, atëherë mendoj se dobëson pozitat e saj për të mbrojtur të drejtat e shtetasve të saj për çdo lloj çështje që lidhet me qytetarët tanë. Apo dobëson për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi a kudo tjetër.

-Zoti Meta ju pamë që u fokusuat më shumë tek ligji i luftës dhe kërkesa për heqjen e ligjit të luftës. A është kjo një strategji  për t’i hapur rrugë dhe çështjes çame ndoshta për një këndvështrim më shumë ndoshta diplomatik?

Meta: Besoj që heqja formale e ligjit të luftës do të ishte pozitiv për të avancuar me të gjithë instrumentet e duhur që zgjidhin shumë çështje nga e kaluara.

-Përsa i përket varrezave të ushtarëve grekë. Ju diskutuat me Presidentin për këtë çështje. A i premtuat presidentit grek diçka për këtë çështje?

Meta: Kjo nuk është një çështje premtimi. Greqia e ka një shqetësim në këtë drejtim. Ekziston një marrëveshje mes dy vendeve, është bërë një punë në këtë drejtim më pas është ndërprerë për shkak të disave shqetësimeve në një fshat të Përmetit, dhe në këtë drejtim ne si vend evropian, anëtar i NATO-s do respektojmë detyrimet ndërkombëtare.

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.