Deputeti Perparim Spahiu- Ne 2017 LSI te kete Kryeministrin si kusht
Deputeti i përjashtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu, në një takim me anëtarësin në Pukë për postin e kryetarit të LSI ka folur për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017 dhe koalicionin me PS.
Duke folur në këtë aspekt, Përparim Spahiu u shpreh qartë se LSI duhet të dalë me kandidatin e saj për Kryeministër dhe ta ketë si kusht këtë për partinë me të cilën do të hyjë në koalicion. Madje, deputeti Spahiu shtoi se duhet të mbahet një referendum se me cilën parti do të hyjë në koalicion LSI-ja.
“Unë mendoj se, edhe për vendimin e madh sesi do të garojmë për zgjedhjet e vitit 2017, duhet të mbahet një referendum apo pyetësor, ku e gjithë anëtarësia e saj të shprehet për vendimmarrjen. Nëse do të vendoset kjo, propozimi im do të jetë që në çdo koalicion të ardhshëm nga viti 2017, LSI të ketë kandidatin e saj për kryeministër dhe këtë ta vendos si kusht të koalicionit të saj. LSI-ja e para.
Do marrim përgjegjësi më të mëdha vetë ne si LSI, apo do të vazhdojmë të prodhojmë kryeministra që s’e kanë teserën tonë, nuk janë të LSI-së dhe, jo vetëm nuk janë mirënjohës, por dhe na faturojnë dështimet e tyre, sikur janë dështimi ynë. Unë mendoj që kjo është një çështje që ia vlen të ngrej zërin dhe, për një çështje si kjo, ia vlen të kandidosh kundër linjës kaq të butë e kaq besnike të Ilir Metës”, ka thënë kandidati për kreun e LSI-së.