Meta ne Vlore- Vendi ka nevoje per drejtesi te pavarur
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka riktheksuar edhe njëherë se e ardhmja e vendit është rinia. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një takimi me të rinjtë e LRI-së në qytetin e Vlorës, ku të pranishëm ishin dhe nënkryetarja e LSI-së kejdi mehmetaj, anëtari i kryesisë, Sokol Dervishaj, kandidati për kryetar i LSI-së Shezai Rrokaj dhe kryetarja e LRI-së Floida Kërpaçi.
Në fjalën e tij Meta arritjet e vendit gjatë këtyre 25 viteteve pluralizëm ja ka atribuuar të gjithë bashkëpatriotëve shqiptarë që të cilët dolën në shesh për të përmbysur diktaturën me shpresën e madhe që Shqipëria të bëhet një ditë si Europa.
‘Besoj fort se ne jemi në gjendje të kuptojmë se kjo Shqipëri që sot ndeshet me sfida të shumta, të cilat imponohen jo vetë nga procesi i zhvillimit, nga procesi i integrimit evropian, por sidomos dhe nga një proces tjetër madhor me të cilin ne duhet të ndeshemi dhe duhet të përballemi çdo ditë, siç është ai i globalizimit. Nuk ka nevojë një vend kaq modest sa jemi ne për të qenë kaq i ndarë, kaq konfliktual, kaq shpërdorues i energjive të veta të pafundme”, tha Meta, duke u ndalur më pas te tranzicioni 26-vjeçar dhe ndryshimet që kanë ndodhur në një vend tashmë anëtar të NATO-s dhe kandidat për t’u anëtarësuar në BE’, u shpreh Meta.
Meta u shpreh se konflikti që ekziston, shteron energjitë e popullit tonë dhe sidomos shpërdoron energjitë e rinisë sonë sepse sipas tij politika duhet të përqendrohet tek zgjidhja e problemeve dhe jo tek mbajtja gjallë e konflikteve që nuk zgjidhin asnjë gjë.
Politika duhet të përqendrohet më mirë te reformat që përmirësojnë dhe japin impakt në jetën e të gjithë qytetarëve dhe mbi të gjitha jemi një vend modest që nuk e ka luksin që përmes këtij konflikti, të vazhdojë t’u provokojë të rinjve tanë ëndrrën e largimit për fat të keq nga vendi. Kjo është edhe politika e LSI-së, edhe për reformën në drejtësi kjo ishte politika e LSI-së.
Sepse ne besojmë se vendi ka nevojë për një drejtësi të pavarur, efikase, që krijon besimin tek qytetarët të funksionimit të ligjit dhe të shtetit ligjor, që u jep atyre të drejtat që u takojnë, që lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sepse kjo është shumë e rëndësishme për të krijuar një mjedis më pozitiv dhe më optimist për zhvillimin e ekonomisë, për nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja dhe për të krijuar vende të reja të punës. Vende të reja të punës sa më të mira, me kushte dhe paga sa më të mira sepse është shumë e rëndësishme që ne jo vetëm të hapim vende pune, por edhe të hapim vende pune sa më cilësore”, vijoi kryetari i LSI-së.
Duke folur në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të LSI-ë, Meta, si kandidat për një mandat tjetër premtoi se do të bëjë gjithçka në mbështetje të LRI-së në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë. Sipas tij LSI e ka treguar me vepra dhe me fjalë që për këtë forcë politike Shqipëria është e para dhe të rinjtë janë të parët.
Gjithashtu, Meta shprehu edhe një herë besimin e tij te LRI-ja dhe tek energjitë pozitive të saj, pasi beson te të rinjtë. Kryetari i LSI-së solli shembullin e Këshillit Bashkiak të Tiranës ku nga 13 këshilltarë të LSI-së, 9 vijnë të LRI-së.
Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, ai shprehu vendosmërinë e tij për të ushtruar ndikimin e tij për të rritur në mënyrë të ndjeshme cilësinë e përfaqësimit të LSI-së në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore, të qeverisjes rajonale e vendore dhe të përfaqësimit të LSI-së si forcë politike.