Basha kundër: Ligji i mbetjeve për interesa korruptive e kriminale
Kreu i PD, Lulzim Basha thotë se “ligji i plehrave është një tjetër provë e qartë se qeveria Rama e ka braktisur përfundimisht interesin publik dhe i shërben vetëm një pakicë që po pasurohet në kurriz të shumicës”.
“Ky ligj i miratuar në kushte kur kishte dhe ka një vullnet të qartë popullor kundra tij është bërë vetëm për një arsye: për interesa korruptive dhe kriminale. Pasi e miratoi pabesisht ligjin, tashmë Rama ka filluar një fushatë manipulimi, kërcënimi dhe keqinformimi të publikut për t’i detyruar njerëzit të mbyllin gojën dhe t’i nënshtrohen vullnetit të tij”, shkruan Basha.
Sipas Bashës, qeveria “Rama” nuk garanton dot sigurinë e importit të mbetjeve”.
“Qeveria e tij nuk garanton dot as sigurinë ushqimore të produkteve që hyjnë në vend, por Rama do që ne të besojmë se ai do kontrollojë pleharat që ai do importojë”, thotë ai.
“Është fakt se një pjesë e tregtisë ndërkombëtare të plehrave është nën kontrolln e grupeve të dyshimta dhe kriminale. Të gjithë ata kërkojnë të gjejnë vende ku nuk ka rend e siguri, ku politikanët të korruptuar jane të gatshëm të shiten për para”, deklaron Basha.
“Shqipëria e Edi Ramës është vendi ideal për këtë gjë. Në Shqipëri sot trafikohen me dhjetra mijëra tonë drogë. Ne Shqipëri policia, administrata publike dhe drejtuesit më të lartë të vendit janë të korruptuar dhe të kapur nga bizneset klienteliste dhe nga krimi. Në këto kushte është e sigurtë: plehrat do të sjellin helm në Shqipëri, helm për fëmijët tanë dhe për gjithë vendin. Shqipëria pa Edi Ramën do të jetë një Shqipëri pa plehra”, mbyll reagimin e tij kreu i PD, Lulzim Basha.