Cilët nisi Biden sot për në Kosovë? Delegacioni amerikan do të takojë Osmanin

Biden sot per ne Kosove

Elizabeth Sherwood -Randall, asistente e Presidentit të SHBA për Sigurinë Kombëtare, Curtis Reid - Drejtor i Lartë për Çështje Multilaterale në kuadër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Hillary Hurd– Këshilltare e Lartë në Këshillin për Siguri Kombëtare dhe Holly Holzer- Koordinatore e Departamentit të Shtetit për Përpjekjet e Zhvendosjes nga Afganistani,  janë diplomatët e lartë amerikanë që sot vijnë në Kosovë për vizitë.

Ky delegacion do të jetë i shoqëruar edhe nga Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier si dhe Këshilltarja për Ekonomi Politike në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Amy Carnie.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu do ta presë sot në takim  delegacionin nga Shtëpia e Bardhë. ZPRK-ja përmes një komunikate për media tha se ky takim do të mbahet në orën 15:00.

Kjo vizite ndodh veç një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar një letër për presidentin amerikan Joe Biden ku kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO, ndërsa mediat kosovare kanë zbuluar detaje.

“Evropa është duke u përballur me kohërat më të errëta dhe më të rrezikshme prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Teksa ndajmë synimin e përbashkët për mbrojtje dhe promovim të sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë domosdoshmëri. Argumentet kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO shpërfillin këtë nevojë për siguri në Ballkanin Perëndimor dhe nuk shërbejnë në interes të botës së lirë demokratike, e cila është duke u rrethuar nga tendenca autoritare dhe politikat e tyre agresive”, thuhet në letër.

Sipas Osmanit, Kosova e ka dëshmuar disa herë se e meriton të jetë pjesë e Aleancës veri-atlantike dhe është shteti më pro-amerikan dhe më pro-NATO në botë. Ajo ka thënë se beson që SHBA-ja do të shfrytëzojë lidershipin dhe ndikimin që ka për të mbështetur Kosovën drejt anëtarësimit në NATO, duke nisur nga programi i Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimi i plotë në Kartën e Adriatikut.

“Ndonëse të gjithë sytë janë drejtpërdrejt në luftën shkatërruese në Ukrainë, ne nuk duhet ta humbim vëmendjen ndaj situatës së brishtë në Ballkan. Ne jemi të ekspozuar nga përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të minuar Kosovën dhe për të destabilizuar gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ndër tjerash Osmani.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.