Meta dekreton 6 marsin për zgjedhjet e pjesshme vendore
Presidenti Ilir Meta ka caktuar datën 6 mars për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore.
Me anë të një njoftimi në Facebook, bën me dije se në këtë datë do të zhvillohen zgjedhjet për kryetar bashkie në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.
“Uroj që ky proces të jetë një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë!”, shkruan Meta.
Ditën e djeshme, pas takimit me presidentin Meta, socialisti Taulant Balla dekonspiroi datën e zgjedhur sapo kaloi pragun e Presidencës.
“Për ne nuk ka asnjë datë. Data është e përcaktuar nga ligji dhe Kushtetuta dhe nga presidenti jemi informuar dhe presidenti mendon që zgjedhjet e pjesshme të zhvillohen në 6 mars”, tha Balla.
Lëvizja e Ilir Metës për ti marrë mendim Taulant Ballës befasoi jo pak. Arsyen e ftesës Presidenti nuk vonoi ta bëjë publike.
“E di unë ku doni të kaloni ju, zoti Taulant është i madhërishëm, është përfaqësues i shumicës, i cakton vendin edhe pakicës”, tha Meta.
Dashuria e re per socialistët dhe anashkalimi i opozitës nuk kaloi pa rënë në sy.
“Nuk kemi pse të spekulojmë, po të kishte takime me partitë, do t’i bëja ftesë kryetarit ose Sekretarit të Partisë. Nuk ishte ndonjë gjë e rëndësishme për të pasur në takim kryetarin e Kuvendit. Kisha dyshime mos bojkotonte shumica”, u shpreh Presidenti.
Qëndrimi i Presidentit nuk habiti demokratët. Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi e etiketoi takimin Balla-Meta si teatrin e radhës së trekëndëshit të Bermudës!
LEXO TE NGJASHME