Kryetarja e radhës e OSBE, Ann Linde, viziton sot Tiranën
Mbërrin sot në Shqipëri për vizitë zyrtare, Kryetarja e radhës së OSBE, Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde.
Vizita u njoftua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri: “Mirëpresim për vizitë në Shqipëri kryetaren e radhës së OSBE, ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde. Në takimet me homologët e saj shqiptarë, kryetarja Linde do të flasë me ta për sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe për programin e reformave të vendit”, thuhet në njoftimin e publikuar në Fb, nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Linde do të takojë Presidentin Ilir Meta dhe Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.
Linde do të marrë pjesë në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet OSBE-së dhe Shqipërisë për fuqizimin e punës kundër rrezikut të shpërndarjes dhe keqpërdorimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta. Takimi ndërmjet dy ministreve do të ndiqet nga një konferencë për shtyp në orën 11:40 në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ajo do të takohet gjithashtu me Kryetaren e Kuvendit, me përfaqësues të shoqërisë civile dhe me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.
LEXO TE NGJASHME