Delegacioni i BE: Kreu i Autoritetit të Mediave të zgjidhet nga parlamenti i ri në shtator
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri i ka rekomanduar sot Kuvendit të Shqipërisë të shtyjë zgjedhjen e kryetarit të ri të Autoritetit të Mediave Audiovizive për në legjislaturën e ardhshme, me deputetë e rinj të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
Rekomandimi është dhënë sot, kur ky Kuvend pritet që ta zgjedhë kryetarin e ri në seancën e sotme që është edhe e fundit e kësaj legjislature dhe një nga dy kandidatet, e kontestuar gjerësisht dhe e denoncuar nga opozita është Armela Imeraj Krasniqi, ish-Zëdhënëse e PS.
Argumenti që ka sjellë në deklaratën e tij, Delegacioni i BE është i qartë: “Që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s.”
Në vijim, deklarata e plotë e Misionit të BE:
"Autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe me një legjitimitet të njohur nga të gjithë. Bashkimi Evropian ka rishikuar Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audiovizive dhe ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente dhe të pavarura për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të këtyre autoriteteve.
Ky legjislacion është pjesë e acquis të BE-së të cilin Shqipëria duhet të përshtasë.
Ne kemi ndjekur nga afër procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe anëtarëve të bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s.
Vëmë re se votimi nga Parlamenti për emërimin e kryetarit është planifikuar për sot, në seancën e fundit të kësaj legjislature.
Ne i ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht."
LEXO TE NGJASHME