Rezultatet/ Votat e kandidatëve prodhojnë një realitet tjetër politik

0.3kuti21619768846

Votat e hedhura për kandidatët kanë prodhuar një realitet tjetër politik. Në Tiranë herësi për kandidatët jashtë liste nga e majta është thyer nga Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi, ndërsa në Fier nga Gramoz Ruçi. Për të djathtën, herësin e ka thyer Luçiano Boçi në Elbasan, që do zhvendosë nga lista e sigurt Eugen Isajin, kryetarin e PD. Paradoksi shfaqet kur kandidati më i votuar në Shqipëri del Taulant Balla, me 21 mijë vota personale, shumë më tepër se shefi i tij, Edi Rama. Kryetari i PD, Basha rezulton nga demokratët si më i votuari, ndërsa në vend të dytë renditet Agron Shehaj

Numërimi i votave nominale për kandidatët, ka bërë që shumë figura politike të mbeten jashtë parlamentit. Natyrisht në marrjen e tyre ndikojnë shumë faktorë, dhe s’ka të bëjë vetëm me integritetin apo peshën që zë secila figurë në elektorat. Ky fenomen ka ndodhur më shumë tek e majta, ku për të siguruar vota personale është bërë një garë e egër. Rasti i Taulant Ballës, drejtues qarku në Elbasan është për t’u regjistruar në librin e rekordeve, pasi megjithëse ishin 14 kandidatë në garë ai arriti të merrte gati 22% të votave të të gjithë atyre që kishin votuar të majtën. Ose 21604 vota kundrejt 86 224 në total që ka marrë PS në këtë qark. Madje në qarkun e tij Balla, ka marrë dyfishin e votave që ka arritur të marrë Rama në Vlorë, apo shtatë mijë vota më shumë se sa ka marrë kryetari i partisë në Durrës.

Zhvendosjet
Ornaldo Rakipi, Fatmir Xhafaj, të cilët ndodheshin jashtë listës së fituesve kanë arritur të thyejnë herësin e Tiranës, dhe do të zëvendësojnë në renditje Fidel Yllin dhe Ervin Bushatin. Përkatësisht, Fatmir Xhafaj ka marrë 15269 vota, ndërsa pas tij vjen Rakipi me 14805 vota kur kishin mbetur vetëm 4 kuti në të gjithë qarkun pa u numëruar. Jashtë listës së fituesve, ka arritur ta thyejë herësin dhe Gramoz Ruçi në Fier me 10292 vota, megjithëse kjo ka qenë e panevojshme pasi ai do zinte vendin e Bashkim Finos, i cili ndërroi jetë javën e dytë të fushatës. Në fakt herësin e kanë thyer dhe të tjerë brenda së majtës, por kanë qenë brenda vijës së sigurt. Kështu, në Berat e ka thyer herësin Blendi Klosi, i pesti në listë, në Durrës Edi Rama dhe Lefter Koka, në Elbasan Taulant Balla, siç e përmendëm më lart, në Fier Erjon Braçe dhe Gramoz Ruçi, në Gjirokastër Blendi Çuçi, në Korçë Niko Peleshi, në Tiranë Belinda Balluku, dhe Etjen Xhafaj, ndërsa i është afruar shumë Arben Ahmetaj. Në Vlorë Edi Rama.

E djathta
Për të djathtën i vetmi që ka mundur të thyejë herësin jashtë liste ka qenë kandidati Luçiano Boçi në Elbasan, i renditur i shtati, dhe do duhet të spostojë vendin e pestë të listës, kryetarin e degës së PD Elbasan, Eugen Isaj. Në qarqet e tjera të djathta nuk ka pasur surpriza, pavarësisht se kandidatë të ndryshëm jashtë listës fituese i janë afruar thyerjes së herësit. Ndër kandidatët më të votuar mbetet Lulzim Basha me më shumë se 15 mijë vota në qarkun e Tiranës, e ndjekur nga Agron Shehaj me 12816 vota. Belind Këlliçi ka marrë 9 435 vota, e kështu me radhë. Për sa u përket qarqeve, bie në sy kandidatura e Agron Kapllanaj në Fier, që i është afruar herësit me rreth 1 mijë vota duke marrë në këtë qark 9274 vota. Në qarqe të tjera nuk ka pasur surpriza të këtij lloji, por vlen të përmendet kandidatura e Ervin Salianjit në Korçë, që ka marrë më shumë se 9 mijë vota nominale. Duhet theksuar, se votat nominale për opozitën kanë qenë shumë herë më të vështira për t’u siguruar se ato për mazhorancën. Në rast se e majta, kishte si mbështetje pushtetin qendror dhe lokal, që në jo pak raste u vu në dispozicion të ministrave apo deputetëve sipas preferencës, nga e djathta votat janë siguruar në bazë të performancës që ka treguar gjithsecili. Natyrisht ka dhe nga ata që kanë punuar vetëm për siglën dhe jo për votat e tyre, të cilët s’mund të vlerësohen apriori për punën e tyre në bazë të votave preferenciale që kanë marrë.

Majtas dhe djathtas, 28 deputetët që u larguan nga Kuvendi
28 deputetë të Kuvendit aktual të Shqipërisë nuk ia arritën që të siguronin një tjetër mandat nga zgjedhjet e 25 Prillit. Abcnews.al sjell më poshtë listën e plotë të deputetëve nga PS, por edhe atyre që u futën në Kuvend nga listat e PD-LSI dhe partive të tjera, të cilët të dielën dështuan të bindin qytetarët që t’u besonin edhe 4 vite në parlament. Nga lista me 28 deputetët që do të detyrohen t’i thonë lamtumirë Kuvendit për 4 vitet e ardhshme në pikëpyetje janë vetëm Pandeli Majko dhe Mimi Kodheli në Tiranë, nëse do të arrijnë që të thyejnë herësin deri në kutinë e fundit edhe pse gjasat janë shumë të vogla, pasi kanë mbetur edhe shumë pak fletë për t’u numëruar. Deri tani janë numëruar 1159 nga 1243 kuti në Tiranë dhe Pandeli Majko ka 6801 vota, ndërsa Kodheli 4347, por u duhet që të arrijnë numrin magjik, 10 mijë për të hyrë në Kuvend./MAPO

Deputetët që nuk fituan mandatin

Ilir Beqaj

Artemis Malo

Edlira Bode

Robert Bitri

Enver Roshi

Fidel Ylli

Ervin Bushati

Pandeli Majko?

Mimi Kodheli?

Ylli Shehu

Spartak Braho

Eljo Hysko

Halit Valteri

Nimet Musaj

Artur Roshi

Adriatik Alimadhi

Andi Përmeti

Kostaq Papa

Selami Jenishehri

Kujtim Gjuzi

Edmond Stojku

Rudina Hajdari

Lefter Maliqi

Myslym Murrizi

Vasil Sterjovski

Elda Hoti

Zef Shtjefni

Korab Lita

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.