Presidenti: Mbi vetëflijimin e heroit Arjan Sala, uroj të ndërtohet një shtet më njerëzor!
Presidenti Ilir Meta ka shprehur vlerësimin më të lartë për të riun 32-vjeçar Arjan Sala, i cili humbi jetë në zjarr në krye të detyrës brenda magazinës së një qendre tregtare në Tiranë. "Hero, njeri i jashtëzakonshëm, simbol i vetëmohimit", është konsideruar ndër të tjera Sala nga kreu i shtetit, për përpjekjet e tij për shpëtimin e punonjësve.
Por, Presidenti Ilir Meta nga ana tjetër, me tone të rënda i ka rënë me forcë kambanave sot për t'u dëgjuar nga Qeveria, se "mbi vetëflijimin e tij uroj të ndërtohet një shtet më njerëzor, më i dhembshur, më social dhe më reagues, që nuk i braktis njerëzit në nevojë në momentet më të vështira."
Mesazhi i Metës me të tillë ashpërsi ka ardhur pasi që prej nga dita e mërkurë, nuk ka pasur asnjë reagim nga Qeveria dhe asnjë qendrim nga përfaqësues të lartë të saj për fatkeqësinë e madhe që goditi familjen Sala dhe tronditi opinionin, në një kohë që zjarri nuk po shuhej për ditë me radhë dhe Sala rezultonte i zhdukur.
Mesazhi i Presidentit Ilir Meta:
Arjan Sala, heroi ynë!
Shumë dhembje, mirënjohje e respekt të thellë për këtë njeri të jashtëzakonshëm, që në kushte shumë të vështira, me ndjenjën e lartë të përmbushjes së detyrës, shpëtoi jetën e shumë qytetarëve duke qenë i ndërgjegjshëm se po humbte jetën e tij.
Me sakrificën sublime, Arjan Sala hyri në zemrat tona për t’u përjetësuar si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, shembull i mirësisë dhe i vlerave më të larta humane.
Mbi vetëflijimin e Tij uroj të ndërtohet një shtet më njerëzor, më i dhembshur, më social dhe më reagues, që nuk i braktis njerëzit në nevojë në momentet më të vështira, por që mendon për ta dhe i respekton me përulësi çdo ditë Heronjtë e thjeshtë e të heshtur dhe sakrificat e tyre në shërbim të komunitetit.
Ngushëllimet më të ndjera familjes!
Lutemi që shpirti i Heroit tonë Arjan Sala të prehet në paqen e merituar!
LEXO TE NGJASHME