PS feston 25-vjetorin e themelimit, Rama mesazh te pakenaqurve brenda partise
Plot një muaj nga data zyrtare, Partia Socialiste ka festuar 25-vjetorin e themelimit të saj.
Ftesat ishin shpërndarë për afro 2 mijë të ftuar, por jo të gjithë iu bashkuan ftesës në oborrin e pasëm të selisë rozë. Mes atyre që mungonin ishte dhe themeluesi i kësaj force, lideri historik i të majtës Fatos Nano, i cili nuk iu përgjigj ftesës se pasardhësit të tij edhe pse ia drejtoi atë një vit më parë, në 24-vjetorin e krijimit të partisë.
Mungonte dhe bashkëkryetari i koalicionit Ilir Meta, i cili është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Malin e Zi. Festës iu bashkuan aleatët e rinj të Partisë Socialiste, ndërsa nuk mungonte dhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike që si çdo vit është Tritan Shehu.
Në fjalimin e tij, Kryetari Rama u përqëndrua më së shumti tek të pakënaqurit brenda Partisë Socialiste, zëra që ditëve të fundit i është shtuar dhe deputeti i dorëhequr Vladimir Kosta.
Rama s’ka preferuar të përmendë emra, por iu bëri të qartë se kush janë ata që meritojnë të qëndrojnë në Partinë Socialiste ose atë që ai e cilësoi shkolla më e madhe politike, e ngritur mbi parimin se askush nuk mund të ketë të drejtë për çdo gjë dhe gjithmonë.
Rama pranoi se gjatë këtyre 3 viteve qeverisje janë bërë gabime, por ato nuk kanë qenë të qëllimshme dhe se falë reformave vendi po ndryshon.
“Kam mësuar shumë për vendin, për veten, pushtetin dhe dyshimin. Kam pasur mundësinë të njoh më mirë cilësitë dhe kufizimet e mia, forcën dhe pushtetin. Partia Socialiste është një shkollë e ngritur mbi parimin se askush nuk mund të ketë të drejtë për çdo gjë dhe gjithmonë. Këtu kam mësuar se pavarësisht se kush je, i vetëm mund të arrish shumë pak dhe jo gjithmonë ajo që mund të arrish është një mundësi e përbashkët”.
Kreu i qeverisë tha se Kryeministër nuk të bën karrigia, por puna dhe përkushtimi. Sipas tij, duhet të jetosh me problemet e njerëzve. Ai deklaroi se deri në ditën e fundit në këtë detyrë do të japë gjithçka ka.
Festa u mbyll me një dokumentar ku ishin përmbledhur të gjitha momentet më të rëndësishme të Partisë Socialiste në 25 vite të jetës së saj.