Integrimi, pandemia, rindërtimi: 59% e shqiptarëve, të pakënaqur me qeverinë

integrimi.rama

Instituti Demokratik Amerikan dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, kanë publikuar dje një sondazh me 1536 të anketuar, ku shumica janë shprehur të pakënaqur me qeverinë. Dështimet në procesin e rindërtimit, hapjen e negociatave apo dhe menaxhimin e pandemisë, apo dhe skandale të tjera duket se kanë sjellë mungesë besimi te qytetarët për qeverinë, në masën 59% dhe për parlamentin shqiptar në masën 60% . Gjithsesi në sondazh vihet re dhe një numër i madh votuesish të pavendosur, dhe atyre që janë shprehur se nuk do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku numri i atyre që janë shprehur se nuk do të votojnë apo janë të dyzuar për të dalë në votime mbetet i lartë.

Shqiptarët janë shprehur të pakënaqur me punën e qeverisë Rama në shumicën e tyre. Në një sondazh të organizuar nga Instituti Për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Instituti Demokratik Amerikan (NDI), nga 1536 persona të pyetur 59% e tyre janë shprehur se nuk janë aspak të kënaqur me punën e qeverisë, 22% janë shprehur të dyzuar, dhe vetëm 18 % janë shprehur të kënaqur. Sondazhi është zhvilluar në korrik dhe gjasat që shifra e të pakënaqurve të jetë rritur është e madhe, sidomos pas valës së dytë së pandemisë. Por në sondazh vihet re dhe një masë e madhe njerëzish që janë të pavendosur për të votuar. Të pyetur nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në korrik, vetëm 29% e tyre janë treguar të gatshëm për të votuar, përgjigjen “ndoshta do të votoja” e kanë dhënë 18 % e tyre, “ndoshta nuk do të votoja” 18% dhe të sigurt për të mos votuar rreth 22% e të anketuarve, ose 8% më shumë se në vitin 2016. Ekspertët shprehen se në pavendosmërinë për të votuar mund të ndikojë dhe situata e pandemisë, megjithatë shifra e të pavendosurve për të votuar mbetet sërish e lartë.

Pandemia

Por cilat janë arsyet se përse është një masë kaq e madhe njerëzish të pakënaqur me punën e qeverisë, në kundërshtim me atë që pushteti mundohet ta reklamojë si histori suksesi. Në rast se flasim për vitin 2020, vendin e parë e zë situata e pandemisë dhe menaxhimi i saj. Qeveria gjatë muajve të karantinës, dha vetëm 120 milionë euro ndërkohë që papunësia në Shqipëri është alarmante. 30 mijë persona humbën vendet e punës, dhe shuma e vënë në dispozicion është më e ulëta në rajon. Një sondazh i kryer nga CRCA me të rinjtë 66.2 për qind e tyre u shprehën se pandemia ka ndikuar në rritjen e çmimeve, ndërsa rreth 48 % e tyre u shprehën se karantina ka ndikuar në humbjen e vendeve të punës për familjarët e tyre.

Në sondazhin e mësipërm rreth 60% e të intervistuarve i përkisnin moshës nga 18-45 vjeç që është dhe pjesa më vitale e shoqërisë. “Përgjatë karantinës 33.8% e të rinjve konsideronin si shqetësimin kryesor të ardhurat e pamjaftueshme si përgjatë karantinës ashtu dhe post-karantinë, e ndjekur në vendin e dytë me 29.4% frikën nga virusi dhe masat mbrojtëse që duhet të ndërmerrnin ndaj tij, si dhe në vendin e tretë me 22.1% frika lidhur me shëndetin. Ndërkohë 17.7% e të rinjve përgjatë karantinës ndiheshin të shqetësuar se mund të humbisnin vendin e punës dhe të mbeteshin pa papunë”, thuhet në raportin e CRSA.

Ndërkohë përgjatë karantinës puna e qeverisë u shoqërua me skandale të tjera, ku vlen të përmendet prishja e teatrit kombëtar, por edhe tenderat sekretë të qeverisë, abuzimet me fondet dhe PPP-të, apo fitorja e Francesco Becchettit, pronarit të Agon Channel në arbitrazh, të cilit qeveria tashmë i detyrohet më shumë se 110 milionë euro për t’i paguar.

Integrimi

Një kosto jo të vogël për qeverinë shqiptare, ka qenë dhe shtyrja pa limit e procesit të integrimit. Në momentin që është bërë sondazhi qeveria dhe mazhoranca po bëheshin gati për të kaluar ndryshimet kushtetuese, dhe në kodin zgjedhor, për të cilat komuniteti ndërkombëtar kishte bërë jo pak thirrje që të tërhiqeshin pasi këto do të minonin procesin e negociatave. Drita e hapur në muajin mars nga BE-ja për këtë proces u refuzua nga qeveria dhe mazhoranca për qëllime thellësisht elektorale, që çuan në ndryshimin e sistemit.

Kjo shpjegohet dhe pse votuesit janë shprehur të pakënaqur me punën e parlamentit në masën 60%. Thirrjet e ndërkombëtarëve në atë periudhë dhe refuzimi sistematik i Ramës kanë ndikuar në perceptimin e përgjithshëm në lidhje me atë çka pritej për këtë proces. Në fakt ashtu ndodhi, Shqipërisë iu refuzuan negociatat edhe këtë vit, pavarësisht tentativave të qeverisë për të kaluar gjetkë fajin, sërish faji për humbjen e kësaj mundësie të cilësuar si historike është vetëm i mazhorancës qeverisëse.

Rindërtimi

Por duket se në perceptim, ka ndikuar jo pak dhe menaxhimi i procesit të rindërtimit. Akoma sot kur ka kaluar më shumë se një vit, ka njerëz që ende banojnë në çadra ndërsa më shumë se 90% e atyre që humbën shtëpitë vazhdojnë të jetojnë me qira. Për këtë proces ka pasur akuza të shumta dhe nga opozita, por e vërteta është se nga 270 milionë euro të planifikuara, qeveria përgjatë këtij viti shpenzoi vetëm 21 milionë të tilla. Këto kanë shkuar në shumicë për pagesa qirash, apo riparime për të cilat ka pasur jo pak akuza se janë ndarë në mënyrë preferenciale. Në një raport të FMN thuhet se deri në shtator të këtij viti nga qeveria janë plotësuar vetëm 8% të volumit të punimeve.

Në raportin e FMN-së thuhet: “Shpenzimet totale u rritën me 5.5 për qind me bazë vjetore, po janë të nënrealizuara në krahasim me planin e buxhetit. Ky nënrealizim është veçanërisht i dukshëm për rindërtimin pas tërmetit, me shpenzimet që në shtator ishin vetëm 8 për qind të planifikimit buxhetor vjetor. Në buxhetin e 2020-s, shuma totale e parashikuar për rindërtimin ishte 34 miliardë lekë, ose 270 milionë euro. Sipas këtyre të dhënave, deri në shtator, qeveria kishte shpenzuar vetëm rreth 22 milionë euro për rindërtimin pas tërmetit”./MAPO

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.