Kuvendi, Murrizi: Nga sot qytetarët do paguajnë 75 milionë euro borxh
Deputeti Muslim Murrizi ka folur në Kuvendin e Shqipërisë pas deklaratave të ministres së Shëndetësisë për përmirësim të sistemit shëndetësor.
Murrizi ka thënë se janë rritur borxhet që do detyrohen qytetarët shqiptarë të pagujanë nga xhepat e tyre.
“15 milionë eurot e pandemisë nuk kanë asnjë lloj shpjegimi si dhe për 100 milionë eurot e tjera nuk është dhënë shpjegim në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës.
Në dijeninë time 15 milionë eurot e marra për pandeminë do të shkojnë në shumicën dërrmuese të tyre për rikonstruksionin e godinës së të ISHP-së. Pjesa tjetër do të blihen disa I-pad dhe do na u përhapet teknologjia apo mbrojtja nga pandemia nëpërmjet informacioneve në kohë reale dhe koherente.
Të dyja së bashku të futura në marrëveshje të veçanta janë 115 milionë euro, nga të cilat 75 milionë euro do t’i paguajnë shqiptarët nga sot e në vazhdim. Pjesë që do t’i shtohet borxhit të madh publik marrë në 30 vite pothuajse nga të gjitha qeveritë”, tha Murrizi.
Deputeti ka vijuar më tej, duke i bërë thirrje qeverisë të ndalojë marrjen e borxheve, ndërkohë që thotë se 70% e qytetarëve janë në gjendje të keqe ekonomike.
“Paratë që merrni borxh në emër të qytetarëve shqiptarë dhe i shisni në çdo foltore apo në çdo media si para’ të marra për të zgjidhur hallet e fatkeqëve në këtë kohë krize dhe pandemie, janë para që do të shkojnë për muze, për manastire, për jetëzim të veprave të artit dhe do shkojnë për një farë rikonstruksioni apo rregullimi të kësaj kulture të lënë në harresë ndër vite në këtë kohë ku më shumë se 70% e familjeve shqiptare janë në limitet e mbijetesës. E nëse agravon situata dhe shkohet në një mbyllje të dytë, janë me kuptimin e plotë të fjalës ku të thërret qameti. Mos merrni borxh në emër të shqiptarëve për të ngrohur xhepat e 3 -4 zyrtarëve.”
LEXO TE NGJASHME