A do të mbyllen shkollat? Rama: Është përgjegjësi e autoriteteve tona, nuk konsiderohen një vatër e nxehtë. Mbrojtja psikologjike e fëmijëve domosdoshmëri
TIRANË
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur apelin sot ndaj qytetarëve për respektimi ne masave antiCOVID dhe që të gjithë të bëjnë pjesën e tyre për të ruajtur familjarët, të afërmit e miqtë dhe se ky është një kontribut i jashtëzakonshëm në luftën kundër koronavirusit.
Rama foli dhe për çështjen e shkollave dhe mundësisë për mbylljen e tyre, teksa theksoi se është përgjegjësi e autoriteteve tona të autorizuara që kanë të gjithë ekspertizën dhe autoritetin ligjor që të marrin vendime në këto kohë të vështira.
“Sot do të fokusohemi tek arsimi, me fokus të posaçëm tek procesi i rindërtimit por jo vetëm.
Duke e shkurtuar ndjeshëm këtë herë dhe për shkak të formatit hyrjen time, dua të nënvizoj faktin që është me një rëndësi të posaçme dhe do të kërkoja dhe ndihmën e të gjithëve ju që më ndiqni që të jemi sa më të vetëdijshëm që kemi në dorë, secili në pozicionin e vet por patjetër së bashku si komunitet, si bashkësi që jetojmë në këtë vend, të shmangim qoftë kalimin e spitaleve në një mbingarkesë që do ta bënte praktikisht tejet të vështirë trajtimin normal në vazhdimësi të atyre që janë në nevojë dhe qoftë mbylljen e përgjithshme. Është absolutisht e domosdoshme që secili prej nesh, çdo qytetar dhe qytetare të vetëdijesohet se ka një rol për të luajtur në këto dy drejtime. Pa diskutim në radhë të parë për të mbrojtur shëndetin e vet, të afërmve dhe miqve. Duke bërë këtë jep një kontribut të jashtëzakonshëm për të ndihmuar luftën e përditshme dhe të përnatshme në vijën e zjarrit kur trajtohen pacientët e prekur nga COVID dhe që kanë simptoma të rënda, qoftë për të shmangur një mbyllje që do kishte pasoja të padiskutueshme në ekonomi.
Duke qenë se jemi sot për arsimin dhe kam ndjekur me vëmendje që ka së paku për sa kam mundur unë të konstatoj nga çfarë lexoj në faqen time dhe në rrjetet e mia sociale një zë të përsëritur për mbylljen e shkollave. Dua të theksoj dhe njëherë se çfarë hapet dhe çfarë mbyllet është përgjegjësi e autoriteteve tona të autorizuara që kanë të gjithë ekspertizën dhe autoritetin ligjor që të marrin vendime në këto kohë të vështira. Sipas të gjitha të dhënave dhe ndjekur të gjitha orientimet e autoriteteve shkencore, shëndetësore në të gjithë vendet që ne i ndjekim me shumë vëmendje për të mësuar sa më shumë shkollat nuk konsiderohen një vatër e nxehtë por një hapësirë që si të gjitha hapësirat e tjera kanë patjetër dhe potencialin e tyre të rrezikut. Nga njëra anë është shumë e rëndësishme që masat të zbatohen nga çdo shkollë, siç po ndodh, që personeli drejtues dhe pedagogjik të jetë sa më i durueshëm dhe këmbëngulës në zbatimin e tyre dhe nga ana tjetër ajo çka kam dëgjuar nga ekspertët tanë është që në vlerësimet e përgjithshme që bëhen lidhur me shkollat, domosdoshmëria për të mbajtur një ekuilibër midis këtij aspekti, mbrojtjes së drejtpërdrejt dhe mbrojtjes psikologjike të fëmijëve është në rendin e ditës të kësaj vendimmarrjeje. Është një vendimmarrje në dorë të autoriteteve tona, nuk më takon mua, nuk na takon neve”, deklaroi Rama.
LEXO TE NGJASHME