Skandali me përzgjedhjen/ Pse u paditën kreu i SPAK dhe i BKH

0.6arben kraja 504x360

Pas padisë së dy ditëve më parë në Gjykatën Administrative, dje, 7 nga kandidatët për hetues të BKH-së që u skualifikuan nga gara, pasi nuk arritën të merrnin pikët e nevojshme në testin fizik, kanë kallëzuar për shpërdorim detyre dhe manipulim të rezultateve Komisionin e Përzgjedhjes së Vlerësimit. Gjithashtu ata kanë kallëzuar edhe drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj dhe kryeprokurorin e SPAK-ut, Arben Kraja.

Ata pretendojnë se është shpërdoruar detyra, pasi sipas tyre nuk kishte rregulla të qarta e po ashtu nuk kishte as një prag minimal apo maksimal të pikëve që ata duhej të grumbullonin për t’u kualifikuar, shkruan Panorama.

Nga ana tjetër, Byroja Kombëtare e Hetimit, edhe në formë zyrtare këmbëngul se ka pasur kritere të qarta dhe transparencë, madje ky proces është monitoruar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që po ndjekin të gjitha hapat e garës për hetues në BKH. Në lidhje me padinë e dy ditëve më parë, që u dorëzua në Gjykatën Administrative, dje është hedhur shorti, që i ka rënë gjyqtares Elda Vrioni.

Ajo tashmë ka 7 ditë afat për të përcaktuar datën se kur do të shqyrtojë padinë administrative të kandidatit të skualifikuar që kërkon pezullim të procesit. Dy ditë më parë është zhvilluar faza tjetër e konkursit për hetues në BKH, eseja me temë: “Çfarë shkakton një gjyqtar i korruptuar në një sistem demokratik”. Kjo temë është zhvilluar të hënën nga 103 kandidatët që kaluan me sukses testin fizik që u zhvillua javën e kaluar në repartin e forcave speciale RENEA.

Në kallëzimin e depozituar në prokurori nga 7 kandidatët për hetues të BKH-së, thuhet se procedura gjatë ditës së testimit fizik, ka qenë totalisht jotransparente, e fshehtë, e manipuluar, jo e drejtë. Sipas tyre, ajo vazhdon të jetë edhe sot e tillë. “Ndryshe nga testi logjik, për të cilin ishte publikuar kufiri minimal kalues (sepse vlerësimi përmes ‘scan’ është i pamanipulueshëm), në fazën e testimit fizik nuk është bërë asnjë transparencë, nuk është thënë asnjë e dhënë, asnjë kriter vlerësimi, asnjë kufi minimal kalues, etj.

Sikurse në testin logjik, përgjegjësia për sanksionimin e kritereve të konkurrimit ka qenë dhe është mbi drejtuesin e SPAK-ut, Arben Kraja, mbi anëtarët e vlerësimit Dritan Prençi, Vladimir Mara, Enkelejda Millonai dhe drejtuesen e BKH-së, Aida Hajnaj, të cilët në bashkëpunim kanë manipuluar konkurrimin, kanë shkatërruar garën, kanë thyer të gjitha rregullat morale dhe etike mbi të cilat ishte ngritur iluzioni jonë për një konkurs të pavarur, nën garancinë ndërkombëtare”, thuhet në kallëzim.

Gjithashtu, 7 kallëzuesit pretendojnë se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit, Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Enkelejda Millonai, kanë pasur detyrim që të jenë prezent gjatë gjithë fazës së konkurrimit, me qëllim vlerësimin e çdo kandidati. “Por nën përgjegjësinë tonë të plotë sqarojmë se këta anëtarë komisioni, në periudha të gjata kohore, nuk kanë qenë pjesëmarrës fare në këtë konkurrim, prandaj nuk e dimë se mbi çfarë të dhënash na kanë vlerësuar. Anëtarja, Enkelejda Millonai, nuk ka qenë prezente asnjë minutë gjatë zhvillimit të këtij konkursi, madje përveç mediave dhe kërkimit në ‘google’, edhe sot nuk e njohim si fytyrë këtë vlerësuese”, shprehen kandidatët e skualifikuar.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.