"Drejtësia” në dorë të Nuland, takime me Bashën dhe Ramën

rama nurland 709x445 620x389

Duke parë që palët politike në vend po “luajnë” vazhdimisht nga qëndrimet e tyre dhe nuk po gjejnë dot konsensusin, sot do të mbërrijë për një vizitë disa orëshe në Tiranë, Viktoria Nuland, ndihmëse e sekretarit amerikan të Shtetit, për të shtuar presionin ndaj partive politike dhe në veçanti ndaj opozitës që të votojë “drejtësinë”. Dita e votimit të draftit të reformës në drejtësi në Kuvend po afron dhe SHBA po bën çdo lloj përpjekje të mundshme që të arrihet konsensusi për miratimin e saj, ndërkohë që vetëm me datë 21 korrik do të zbulohet “fati” i reformës në drejtësi, i cili është në dorë të ligjvënësve shqiptarë.

Agjenda

Sot mbërrin në Tiranë ndihmës/sekretarja amerikane e shtetit Viktoria Nuland, me një axhendë të ngjeshur takimesh dhe me një dosje diplomatike të përcaktuar, reformën në drejtësi. Nuland arrin në kryeqytet në mesditë dhe nis në orën 14:30 takimet me Ministrin
e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati. Rreth 60 minuta më vonë Nuland do të takojë kreun e opozitës shqiptare, Lulzim Basha, me të cilin Nuland ka pasur në 3 qershor edhe një bisedë telefonike, që i parapriu takimit mes tij dhe Kryeministrit. Sikurse në vizitën e sekretarit John Kerry, edhe Nuland do të ketë një takim me gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, në orën 16:00. “Axhenda e ndihmës/sekretares amerikane të shtetit Viktoria Nuland, mbyllet me një darkë pune me kryeministrin Edi Rama. SHBA-të kanë investuar direkt për reformën në drejtësinë shqiptare, me misionin OPDAT, por edhe me negiociatat e pandërprera të ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu, i cili i parapriu vizitës së Nuland me një letër drejtuar deputetëve ku shprehej mosmbështetja për vendet e rezervuara, që kërkon opozita.

Tashmë demokratët kanë prezantuar një tjetër formulë për vettingun, por të njëjtën lëvizje ka bërë edhe shumica me dy propozime të reja për KLGJ dhe KLP. Takimet me Nuland duket se do të jenë një busull e mirë orientimi për formulën që do të shkojë drejt Kuvendit në 21korrik. Ndërkaq opozita, vizitën e saj e ka vlerësuar sidomos pas raporteve jo të mira që javët e fundit ka pasur kreu demokrat me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, pas thirrjeve individuale që ky i fundit i bëri deputetëve të Kuvendit që të votojnë në 21 korrik reformën në drejtësi. Duke parë raportet e “ftohta” mes Bashës dhe Lu-së, ardhja e zyrtares së lartë amerikane në Tiranë është mëse e arsyeshme, po t’i shtosh kësaj dhe faktin që Nuland është përfshirë drejtpërdrejt në çështjen e miratimit të reformës në drejtësi, edhe ditën që komisioni i posaçëm për reformën, duhet të votonte një për një, dhe nen për nen, draftin e ndryshimeve në Kushtetutë. Në atë kohë, ajo kërkoi me forcë që në komision “të mos kishte surpriza” dhe surpriza nuk pati.

Ndryshimet në Kushtetutë u miratuan me shumicën e votave në komision, me votat e PS-së e LSI-së. Prej angazhimit për hartimin e drafteve konkrete të reformës në drejtësi, amerikanët kanë ndarë autorësinë e tyre me evropianët dhe ekspertët shqiptarë të angazhuar për të. Ata në çdo rast, janë angazhuar e prezantuar si bashkëhartues të reformës duke e mbrojtur fort atë.

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.