Basha: Prej 17 ditesh kemi ofruar rrugen e daljes, maxhoranca refuzon
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një dalje për mediat para selisë, bëri të ditur se prej 17 ditësh opozita ka ofruar rrugën e daljes nga ngërçi, për përmbylljen e reformës në drejtësi.
Pavarësisht kësaj, Basha theksoi se mazhoranca vijon të refuzojë.
“Mbledhja e grupit parlamentar rikonfirmoi qëndrimin tonë dhe vendosi të bëjë publike faktin se opozita prej 17 ditësh i ka ofruar mazhorancës përmes një formule në përputhje të plotë me rekomandimin 88, rrugën e daljes, kompromisin për të miratuar reformën në drejtësi. Deri ditën e sotme ne nuk e kemi bërë publik këtë fakt, me shpresën dhe besimin se pala tjetër do të vazhdonte të negocionte për të gjetur zgjidhje. Prej 17 ditësh refuzojnë kompromisin e ofruar nga opozita.”- deklaroi Basha.
Sipas liderit të opozitës, “sa më shumë maxhoranca futet në llogoret e saj, duke refuzuar jo vetëm rekomandimin 88, por edhe vullnetin për të shkuar në zgjidhje, aq më shumë shqiptarët e kanë të qartë se Rama nuk e do reformën në drejtësi dhe fajin do t’ia lërë opozitës. Nëse ka bërë plan të shkojë në zgjedhje të parakohshme me këtë kalë beteje, po i them se e ka gomar të ngordhur.”.
Nga ana tjetër Basha pohoi se opozita nuk do të lejojë që Rama në 21 korrik të drejtojë gishtin nga ana për mosdakordësi. Kryeopozitari ftoi kryeministrin që të reflektonte për reformën në drejtësi.
“Tahiri ka shpallur zonën Fushë-Krujë në zonë krimi. Nëse drejtësia shqiptare vepron me 50 për qind të drejtësisë, nesër të marr të pandehur Ramën për foton në SHBA. Në këtë kontekst ndodh edhe refuzimi i Ramës për të gjetur zgjedhjen funksionale. Javën e shkuar i bëra thirrje, harxhoi edhe një javë tjetër. Rama nuk do reformën në drejtësi. Rama vazhdon të insistoj në mospranimin e këtij propozimi dhe përgatitja që bën për të dështuar këtë reformë me shpresën t’ja lërë fajin opozitës. Për gjithçka për reformën, për BKH-në, duhet të jetë në përputhje me Venecian. Në 21 korrik s’do lejojmë që Rama të drejtoj gishtin nga opozita, se ja ka prerë Bilali. Ndaj e ftoj të reflektojë. Kjo nuk është një përplasje mes Ramës e Lulzim Bashës, por sot që na ndan kjo çështje; ofertën e kanë në tavolinë.”, tha Basha. Nga ana tjetër ai u pyet për formulën e re për reformën në drejtësi, ndërsa tha se detajet në lidhje me të do të bëhen publike disa ditë më vonë.
“Formula jonë është bazuar në dokumentin final të Venecias, mbi atë nuk ka asnjë institucion. Formulën tonë do e bëjmë publike pas disa ditësh. Operacioni ndërkombëtar i Monitorimit nuk i heq asnjë kompetencë që ka pasur, por është i mbështetur tek ndërkombëtarët.”, pohoi Basha.