Presidenti nga populli, Blushi kerkon firmen e 10 deputeteve te tjere
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, bëri të qartë se nisma e 10 deputetëve që Presidenti të zgjidhet nga populli, ka nisur edhe si peticion online. Në fjalimin që mbajti në Kuvend, Blushi duke folur për nismën kushtetuese, e cila që të futet për diskutim në Kuvend nevojitet të firmoset edhe nga 10 deputetë të tjerë. Deputeti socialist është shprehur pesimist se do të ketë deputetë të tjerë që do ta mbështesin, dhe për këtë arsye peticioni është hedhur online në mënyrë që të mbledhë firmat e nevojshme.
Në rreth 24 orë nga momenti i hedhur si peticion online, nisma kushtetuese që Presidenti të zgjidhet nga populli ka marrë 800 nënshkrime. “Kjo ide është në fakt një amendament kushtetues i firmosur nga 10 deputetë. Ne jemi 10 deputetë që kemi firmosur një amendament, jemi 10 burra e gra të pikëpamjeve të ndryshme që në fund na bashkon një qëllim. Ne mendojmë njësoj se Presidenti i Shqipërisë duhet të zgjidhet nga populli i Shqipërisë. 60% e vendeve të Evropës e zgjedhin presidentin e tyre nga populli. Ne kemi mbështetur këtë amendament me bindjen se ndryshimet kushtetuese që po bëhen nuk ka arsye mos prekin edhe Presidentin.
Nuk e kemi fjalën për kompetencat e Presidentit dhe as format e Republikës, që duhet të mbetet pa dyshim Republikë parlamentare. Kam dëgjuar të thonë ‘nuk duan që Presidenti të zgjidhet nga populli, duan ta mbajnë vetë’, e të tjerë kanë thënë që ‘duan ta mbajnë nën vete’. Janë kryesisht tri partitë e vjetra që nuk e duan: Rilindja, PD-ja edhe LSI-ja. Ato nuk duan që populli të zgjedhë drejtpërdrejt Presidentin”, deklaroi Bushi. Më tej ai tha se nëse ky amendament nuk miratohet, në zgjedhjet e ardhshme do të zgjidhet një president i paaftë me 71 vota nga ata që kanë shumicën e votave në këtë Kuvend. “Nga dita e djeshme kemi iniciuar një peticion online, që i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë. E kemi iniciuar në platformën e njohur në botë ‘Change.org’. ‘Change.org’ ka të paktën 154 milionë votues dhe aty kanë fituar 18 mijë peticione, për kauza që njerëzit i kanë mbrojtur online.
Ne jemi në ‘Change. org’ me këtë peticion, i cili nga dita e djeshme ka marrë 800 nënshkrime”, përfundoi deputeti Ben Blushi. Ka qenë deputetja Mimoza Hafizi që përmes një postimi në rrjetin social Facebook bëri publik propozimin, duke publikuar edhe listën me deputetët që kanë dhënë mbështetjen e tyre për këtë nismë, e që mes tyre ka edhe nga radhët e opozitës. Hafizi ka shtuar se vijojnë kontaktet me shumë deputetë të tjerë dhe me grupet parlamentare, për të siguruar mbështetjen e nevojshme që këto ndryshime në Kushtetutë të miratohen, ndërkohë që ka theksuar se, këto ndryshime kushtetuese janë të domosdoshme për jetën demokratike të vendit.
Por dy ditë më parë, kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së, Mesila Doda ka qenë shumë e ashpër me dy deputetëve socialistë, duke i akuzuar ata për vjedhje të propozimit të saj për Presidentin. Pas publikimit të dy amendamenteve nga 10 deputetët e Parlamenti të Shqipërisë, ku si iniciator janë deputetët socialistë Ben Blushi, Mimoza Hafizi dhe Arta Dade për zgjedhjen e presidentit nga populli, ka reaguar edhe deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, e cila thotë se është e-maili i saj. Propozimin e hedhur në tregun politik dhe mediatik Doda e ka konsideruar një plagjiaturë të vërtetë, pasi kjo nismë është depozituar 6 muaj më parë nga PDIU.