Rregullat e reja per detyrat dhe emerimet ne prokurori

Kuv1

Komisioni i reformës në drejtësi dje ka publikuar projektligjin për organizimin dhe funksionimin e institucioneve që do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në draftin e publikuar zbardhen kriteret e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe strukturës së organizimit të prokurorisë dhe funksionimin e Këshillit të Lartë i Prokurorisë. Projektligji saktësohen kompetencat e të gjitha organeve të prokurorisë si sqaron rolin që do të ketë Prokuroria e Posaçme. “Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën për veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe veprat penale të kryera nga funksionarë të lartë në çdo institucion të shtetit”, thuhet në draft.

Po ashtu në projektligj caktohet numri i prokurorëve për çdo prokurori si dhe marrëdhëniet që duhet të kenë këto institucione me Ministrin e Drejtësisë. Projektligji në fjalë është përgatitur gjatë periudhës janarqershor 2016 nga një grup pune i përbërë prej ekspertëve të nivelit të lartë dhe EURALIUS, dhe është rishikuar pas marrjes së opinionit të grupit. Ky projektligj është i bazuar në projekt amendamentet kushtetuese të muajit qershor 2016, sikurse u miratuan në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të datës 12 qershor 2016.

Prokuroria e Posaçme

1. Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën për veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe veprat penale të kryera nga funksionarë të lartë, sipas përcaktimeve të bëra me ligj. 2. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të Prokurorisë së Posaçme si dhe, rregullohen sipas ligjit të veçantë. Prokurorët pranë gjykatave të apelit. Funksionet e Prokurorisë pranë çdo gjykate apeli të juridiksionit të përgjithshëm ushtrohen nga prokurorët e apelit. Juridiksioni i tyre shtrihet në territorin e juridiksionit të gjykatës përkatëse. Prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë. Funksionet e Prokurorisë pranë çdo gjykate të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm ushtrohen nga prokurorët e shkallës së parë. Juridiksioni i tyre shtrihet në territorin e juridiksionit të gjykatës përkatëse.

Degët e Prokurorive 

Në rastin kur janë ngritur degë të gjykatave, mbledhja e përgjithshme e prokurorisë përkatëse, bazuar në objektivat e parashikuara në nenin 20 të këtij Ligji, përcakton nëse pranë tyre duhet të ngrihet një degë e përhershme ose e përkohshme e prokurorisë. Prokurorët caktohen në degët e pokurorisë me pëlqimin e tyre. Nëse asnjë prokuror nuk jep pëlqimin për caktimin në një një degë të gjykatës, Këshilli i Lartë Prokurorisë i cakton ata me short çdo dy vjet në degë të gjykatës, duke u bazuar në kriteret dhe procedurat e përcaktuara nga

Këshilli i Lartë i Prokurorisë 

Organizimi i prokurorisë dhe përfaqësimi i saj. Prokuroria përbëhet nga:

a) Prokuroria e Përgjithshme e Republikës;

b) Prokuroria e Posaçme, sipas ligjit të veçantë;

c) Prokuroritë pranë gjykatave të apelit me juridiksion të përgjithshëm;

ç) Prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.

2. Drejtimi dhe përfaqësimi i prokurorisë, sipas këtij organizimi, bëhet, respektivisht, nga:

a) Prokurori i Përgjithshëm;

b) Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme;

c) Drejtuesit e prokurorive pranë gjykatave të apelit me juridiksion të përgjithshëm; ç) Drejtuesit e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.

Numri i përgjithshëm i prokurorëve 

1. Prokurori i Përgjithshëm propozon numrin e përgjithshëm të prokurorëve dhe buxhetin për të gjitha prokuroritë pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, bazuar në kërkesat e tyre.

2. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme propozon numrin e përgjithshëm të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe buxhetin e kësaj prokurorie.

3. Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, në ushtrimin e funksioneve si më sipër, krahas garantimit të veprimtarisë të prokurorisë, mbajnë në konsideratë edhe nevojën e sigurimit të aksesit të shtetasve në shërbimin e prokurorisë, uljen e shpenzimeve, përdorimin e të ardhurave publike në mënyrë eficiente, dhe rritjen e cilësisë e shërbimeve të prokurorisë.

4. Numri i përgjithshëm i prokurorëve propozohet bazuar në raportin mbi ngarkesën e punës së prokurorive, duke marrë në konsideratë edhe rekomandimet e Këshillit i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit gjatë, të paktën, tre viteve të fundit.

Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh kandidaturat për Prokuror të Përgjithshëm, ndër ata që përmbushin kushtet dhe kriteret e parashikuara në këtë ligj. Këshilli, në përzgjedhjen e kandidaturave zbaton rregullat e këtij seksioni. Rregulla më të detajuara për procedurën e përzgjedhjes miratohen me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm

1. Këshilli i Lartë i Prokurorisë i paraqet Kuvendit të Shqipërisë propozimin për të emëruar si Prokuror të Përgjithshëm një nga tre kandidatët e renditur më lart në listë. Propozimi përfshin vendimin e arsyetuar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

2. Prokurori i Përgjithshëm emërohet në përputhje me nenin 148/a të Kushtetutës.

Kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm 

1. Prokurori i Përgjithshëm është drejtuesi i Prokurorisë së Përgjithshme dhe ka përgjegjësi për menaxhimin e punës në administratën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të prokurorive pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm të apelit dhe shkallës së parë.

2. Prokurori i Përgjithshëm ushtron kompetencat e parashikuara në nenin 148/b të Kushtetutës, si dhe kompetencat shtesë si vijon: a) nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, me përjashtim të atyre të Prokurorisë së Posaçme;

Marrëdhëniet me Këshillin e Lartë të Prokurorisë 

1. Marrëdhëniet e prokurorisë me Këshillin e Lartë të Prokurorisë përcaktohen në legjislacionin e posaçëm në fuqi.

2. Prokurori i Përgjithshëm dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme raportojnë, të paktën një herë në vit, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë lidhur me ecurinë e veprimtarisë së strukturave përkatëse.

1. Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kanë detyrimin të bashkëpunojnë me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për çështje në juridiksionin e tij dhe të informojnë lidhur me shkeljet disiplinore dhe problematikat që hasin në ushtrimin e veprimtarive të tyre.

2. Rregulla të veçanta mbi mënyrën e funksionimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë përcaktohen në ligjet e posacme në fuqi.

Marrëdhëniet me Ministrin e Drejtësisë

1. Ministri i Drejtësisë mbështet Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shqyrtimin paraprak të nevojave të buxhetit të tyre dhe i paraqet dhe mbron ato në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

2. Ministri i Drejtësisë ka detyrimin të depozitojë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ankesat që paraqiten kundër prokurorëve. Urdhrat dhe udhëzimet e karakterit të përgjithshëm dhe të posaçëm që lidhen me procedimin penal janë të detyrueshme për policinë gjyqësore.

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.