Basha: Rama mos bli deputetët e opozitës, ndryshe do të përvëlohet Parlamenti
Partia Demokratike reagon ashpër dhe e cilëson akt provokativ dhe me pasoja nismën e mazhorancës për të përfshirë për votim në seancë ndryshimet kushtetuese, pa konsensusin e opozitës. Do të ishte vetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që do të reagonte ndaj nismës së mazhorancës, duke e konsideruar si veprim që do të përshkallëzojë situatën në vend. “Dërgimi në Kuvend i draftit të njëanshëm për ndryshimet kushtetuese, është një akt i ulët provokimi dhe një përshkallëzim i krizës dhe tensionit shoqëror në vend.
I verbuar nga krimet dhe korrupsioni 3-vjeçar, Edi Rama kërkon kapjen me çdo kusht të drejtësisë për të garantuar paprekshmërinë e tij dhe të bandës që e rrethon. Kjo manovër do dështojë me turp”, shkruan Basha në Facebook. Ndërsa kryedemokrati ka paralajmëruar Kryeministrin Edi Rama që të mos tentojë të blejë vota brenda kampit opozitar. Kjo pasi PD-ja, përveç djegies së mandateve të opozitës, synon të ndërmarrë dhe protesta.
“Çdo tentativë për të trafikuar qoftë dhe një mandat të vetëm opozitar me paratë e pista të drogës dhe krimit qeveritar do të rezultojë në djegien e mandateve opozitare si hapi i parë drejt përvëlimit të Parlamentit ilegjitim që do të jetë edhe përgjigjja e merituar e popullit ndaj një qeverie që i hap atij luftë, me çdo mjet qe siguron fuqia e padiskutueshme e sovranit. Rruga e vetme për një reformë në drejtësi që ndëshkon dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit te Venecias”, shkruan kryedemokrati.
Prej ditësh, opozita ka ndërmarrë një proces të ri duke informuar ambasadorët e shteteve të BE-së sa i përket qëndrimit për reformën në drejtësi. Kështu takimet e Bashës me diplomatët e shteteve të Unionit duket se kanë ardhur pas pakënaqësisë që PD-ja ka pasur ndaj ambasadores së Delegacionit të BE-së, Romana Vlahutin. Qëndrimet e fundit të Bashës dhe Berishës ndaj ambasadores së BE, duket se kanë bërë që negociatat e ditëve të fundit mes PD-së dhe ndërkombëtarëve, të udhëhiqen vetëm nga ambasadori i SHBA-së, Dondald Lu.
Votat e opozitës
Tashmë, lëvizja e mazhorancës për të votuar në Kuvend ndryshimet kushtetuese ka shkaktuar turbullira në kampin e opozitës. PD-ja së bashku me aleatët e saj, ka 48 deputetë gjithsej. Ndërsa PS, LSI dhe PDIU rezultojnë me 87 deputetë. Pesë deputetë janë të paangazhuar në grupet parlamentare të shumicës apo të pakicës. Ata janë Nard Ndoka i PDK-së, Mirela Ferracaku e Kristiandemokratëve, Vangjel Dule i PBDNJ-së, si dhe të përjashtuarit nga PS-ja, Armando Prenga dhe Tom Doshi.
Duke llogaritur se këta pesë të “pavarurit” në Kuvend do të jenë pro reformës në drejtësi, duke e votuar në seancë pa bekimin e opozitës, atëherë së majtës i nevojitet vetëm një votë, pasi Kushtetuta kërkon kalimin me 2/3 e votave. Gjatë kësaj kohe, ndërkohë janë dhënë sinjale që Dule dhe Ndoka janë më pranë qëndrimit të opozitës të zbatimit të rekomandimit numër 88 të Komisionit të Venecias sa u përket ndryshimeve kushtetuese. Pra duke realizuar krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, sipas formulës së kompozimit të KQZ-së, ku anëtarët zgjidhen nga Parlamenti mbi bazën e propozimeve që bëjnë PD-ja dhe PS-ja. Në kampin e opozitës, veç Fatmir Mediut të PR-së, Dashamir Shehit të LZHK-së, Agron Dukës së PR-së dhe Dashamir Tahirit të ikur nga PDIU-ja, të tjerët janë deputetë të PD-së.
Për të unifikuar qëndrimet brenda opozitës, Basha zhvilloi disa ditë më parë takim me Mediun dhe Shehin. Dy aleatët i kanë dhënë besnikërinë Bashës se nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese, nëse nuk ka një kompromis mes PS-së dhe PD-së. Ndërsa nga ana e kreut të Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, edhe pse pas marrjes së drejtimit të kësaj partie ka shprehur se do të jetë sërish pjesë e kampit opozitës, nuk ka ende ndonjë qëndrim nëse do ta votojë ose jo reformën në drejtësi. Kreu i LZHK-së ka paralajmëruar se do t’i qëndrojë besnik Bashës sa u përket ndryshimeve kushtetuese, por nuk ka mbështetur tezën e tij mbi djegien e mandateve të deputetëve. Ndërsa ka paralajmëruar se rrjedhje votash mund të ketë brenda grupit të PD-së.