Nard Ndoka i ve kusht mazhorances, ja cfare kerkon per 'Drejtesine'
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, shprehet “pro” miratimit të reformës në drejtësi, por lë të kuptohet se vota e tij në Kuvend do të kushtëzohet nga dy faktorë. I ftuar në “45 minuta” në Report Tv, Ndoka theksoi se neni që legjitimon martesat brenda të njëjtit seks, i adoptuar në draftin final të reformës në drejtësi, është i papranueshëm. Kreu demokristian shtoi se ai nuk do ta votojë një nen të tillë, pasi sipas tij, martesat brenda të njëjtit cenojnë familjen.
“Unë jam kategorikisht kundër. Themeli i programit tonë demokristian është familja. Është e pabesueshme sesi po tentohet të kalohet disi fshehur, pa i dhënë atë rëndësinë që duhet t’i japë politika shqiptare kësaj çështje. Duhet të jenë preferencat e disa deputetëve që kanë çuar të bëjnë një hap të tillë. Nuk do ta votoj këtë nen. Jam “pro” reformës në drejtësi, por jam kundër këtij neni“, u shpreh Ndoka.
Një tjetër faktor që ndikon votën e Ndokës në Kuvend është mënyra sesi do të votohet. Ai thekson se një votë pazaresh në Kuvend dhe miratimi i reformës në mënyrë të njëanshme është e rrezikshme për vendin .
“Vota e PDK, nuk do të jetë një votë pazaresh, por do të jetë një votë dinjitoze. Tendenca për të miratuar në mënyrë të njëanshme reformën, me deputetë të trafikuar, është shumë e rrezikuar, e kemi provuar edhe në të kaluarën e problemet që kanë shkaktuar. Të paktën deri tani, është një ndër gjërat që unë do t’i konsideroja pozitive të z.Rama, i cili nuk ka tentuar dhe s’e ka pasur strategji në stilin e tij, për të peshkuar deputetë të opozitës“, theksoi Ndoka.