Zbulohen zonat, ja ku levizi pajisja e pergjimit
Një informacion i ri ka mbërritur ditët e fundit në duart e grupit të prokurorëve, që po hetojnë çështjen e pajisjes përgjuese “IMSI Catcher”.
Bëhet fjalë për një informacion operativ apo raport informues të Shërbimit Informativ, që i është dërguar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Ka qenë kjo e fundit që ka vendosur që raportin t’ua dorëzojë prokurorëve që po hetojnë çështjen e pajisjes “IMSI Catcher”. “Panorama” shkruan sot se raporti i institucionit përgjegjës për sigurinë kombëtare, SHISH, vlerëson se pajisja “IMSI Catcher” ka lëvizur disa herë në Tiranë. Burimet e çështjes thanë se informacioni i përcjellë nga organet e specializuara pretendon se automjeti me pajisjen “IMSI Catcher” ka pasur një lëvizje intensive dhe disaditore në zonën pranë Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë. Po kështu, një lëvizje e përqendruar dhe e vazhdueshme e pajisjes është konstatuar sipas raportit në zonën e qendrës së Tiranës, veçanërisht pranë Bashkisë së Tiranës dhe disa ministrive aty (ministria e Brendshme aktualisht është boshatisur, pasi po rikonstruktohet). Një tjetër zonë ku pretendohet se pajisja ka lëvizur dhe ka qëndruar vazhdimisht është zona e Rrugës së Elbasanit, veçanërisht zona pranë Radiotelevizionit Shqiptar.