Del nga burgu Elvis Rroshi Gjykata cakton 'Arrest shtepie'
Gjykata e Tiranës ka vendosur që Elvis Rroshi të mos qëndrojë në qeli, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë 'Arrest shtëpie". Trupi gjykues ka dhënë këtë vendim, i cili i ka sjellë lirinë atij. Këtë vendim e kanë festuar dhjetra mbështetës që kanë qenë të pranishëm gjatë zhvillimit të seancës jashtë sallës së gjyqit.
Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi është arrestuar nga forcat e policisë të komisariatit të Kavajës pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës. Mbi Rroshin rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve dhe mosdeklarim në formularin e vetëdeklarimit. Rroshi nuk deklaroi arrestimin e tij në Itali, në vitin 1993, në moshën 16-vjeçare si dhe arrestimin e dëbimin dy herë nga shteti zviceran në vitin 1995 dhe 1997. Ka qenë organi i akuzës që ka kërkuar masën e sigurisë "arrest me burg", gjë e cila është pranuar nga Gjykata.
Për shkeljet ligjore si falsifikimi dhe deklarimi i rremë në formularin e vetëdeklarimit për efekt të ligjit të dekriminalizimit, Rroshi rrezikon dënim me gjobë si dhe dënim me burg nga 3 deri në 5 vite. Në 31 maj, kryebashkiaku i Kavajës dha dorëheqjen pasi siç deklaroi, avokatët e tij kishin zbuluar se ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj burg nga drejtësia italiane në vitin 1992, atëherë Rroshi në moshën 16-vjeç. Ndërsa tre ditë më pas, Elvis Rroshi tërhoqi dorëheqjen pasi publikoi dy dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga drejtësia italiane, ku ai rezultonte i pastër me të dy emrat, Ervin dhe Elvis.