Rama-Bashës: Ja pikat që nuk do të negociohen në takimin tonë

rama basha 620x4568959

Dy ditë përpara takimit me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, Kryeministri Edi Rama ka hequr një pengesë për kompromisin mbi reformën në drejtësi. Nga tribuna e kongresit të partisë më të madhe të çamëve, PDIU, Rama i ka premtuar opozitës se pranon propozimin për votimin me 2/3 të paketës kushtetuese të reformës në drejtësi. Kryeministri i ndezi kështu dritën jeshile konsensusit për një çështje që edhe Komisioni i Venecias ia kishte lënë në dorë vetë politikës që të arrinte një zgjidhje.

Megjithatë Rama bëri të qartë edhe njëherë dy pika ku nuk mund të negociohet me opozitën, skanimi ndërkombëtar i gjyqtarëve dhe ngrehina e re e sistemit të drejtësisë.

Bashkë me Ilirin

“Ne, unë personalisht, bashkë me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kemi bërë çdo përpjekje dhe kemi besuar, - unë më shumë se Iliri se Ilir durimin e ka armën e vet më të fortë. Unë nuk jam dhe aq i durueshëm, por këtë herë kam mësuar se mund të durohet përtej çdo durimi, - për të krijuar kushtet që kjo reformë të votohet nga të gjithë”, deklaroi Rama duke u kujdesur që të theksoj faktin që për këtë kompromis ka marrë miratim edhe nga aleati i tij. “Ne nuk kemi asnjë problem, duan 2/3, atëherë 2/3 le t’i marrin. Neve nuk na intereson fare kjo pjesë.

Duan 2/3, duan të jenë edhe ata pjesë, se kanë vënë një kusht që duhet votuar për kandidaturat nga parlamenti me 2/3, sa të jetë gjallë Edi Rama. Nuk mund t’u premtoj që do të vdes kur duan ata, por mund t’u premtoj se derisa të jem gjallë, me 2/3”, garantoi Rama opozitën. Duke konfirmuar vullnetin e mazhorancës, Rama tha se “Kam thënë që reforma mund të kalojë dhe mund të kalonte në dhjetorin e kaluar, se mund të kalojë në shkurt, në mars, në prill, po ju them se java e ardhshme është java e së vërtetës. E gjithë shumica jonë, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, PDIU, mbështet pa asnjë ngurrim draftin e dakordësuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian”, tha Rama.

Ja çfarë nuk negociohet 

“Kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset, por me dy kushte”, tha kryeministri. E para, deklaroi Rama, nuk ka kompromis mbi shtyllën themelore të reformës, që është hedhja në erë e sistemit të korruptuar që mban bashkë gjykatës e prokurorë që nuk duhet të hetojnë e të gjykojnë të tjerët, por duhet të hetohen e gjykohen nga drejtësia. Këtu Rama saktësoi se ky proces “garantohet përmes një skanimi me kontroll ndërkombëtar të pasurisë, të karrierës, të vendimmarrjeve dhe të aftësive”. “Vetëm pasi ta kalojnë këtë test me standardet më të larta ndërkombëtare, le të ulen në punë e të hetojnë dhe gjykojnë të tjetër”, tha Rama, duke nënvizuar rolin që do të kenë ndërkombëtarët në sistemin e drejtësisë. “E dyta, nuk negociohet ngrehina e sistemit. Është një sistem i ri që do të ngrihet mbi sistemin e vjetër, që reforma do ta shembë, sepse ky është vullneti i më shumë se 90% të shqiptarëve”, deklaroi Rama.

Këshilla e Idrizit

Kreu i DIU-së, Shpëtim Idrizi në fjalën e tij i bëri apel Ramës që reformën në drejtësi të mos e kthejë në pazar me Bashën. Idrizi apeloi Ramën t’i qëndrojë draftit të mbështetur dhe hartuar me asistencën e ndërkombëtarëve dhe të mos e kthejë në çështje pazaresh mes dy partish, siç ka ndodhur në të shkuarën. “Ne jemi pa mëdyshje në favor të reformës në drejtësi. E dimë se është e ashpër, e paprecedent ndoshta dhe cenon konceptin klasik të sovranitetit. Por sa herë ne politikanët shqiptarë e kemi shkelur këtë koncept klasik në këtë 25 vjet.

E dimë shumë mirë që është një zgjidhje ekstreme dhe sigurisht që do një zgjedhje ekstreme”, u shpreh Idrizi. Më tej Idrizi vazhdoi me apelin për kryeministrin Rama. “Zoti Kryeministër, ju ditën e hënë keni lënë takim me kryetarin e opozitës. Unë do t’ju bëj një thirrje. Reforma në drejtësi nuk është çështje pazaresh midis jush, por ajo duhet të zbatohet dhe të bëhet pjesë e gjithë politikës shqiptare, ashtu siç kemi mbështetjen dhe ashtu si e kanë dizajnuar partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE. Jam i bindur zoti Kryeministër që ju do tu rrini këtyre linjave”, tha ndër të tjera Idrizi.

Rama: PD mund të mos pranojë! 

Ndërkaq, në Asamblenë e Zgjeruar të Forumit të Gruas Socialiste, Rama ka shpjeguar sërish konsensusin e ofruar ndaj opozitës. “E thashë dhe në kongresin e PDIU-s, rrokanisën kokën e popullit “do na e kapi sistemin Edi Rama. Prandaj sa të jetë gjallë Edi Rama duhet të vendosim në Kushtetutë që jo 3/5, por 2/3 duhet të votojnë.” Shumë dakord!” tha Rama, por më tej u shpreh skepticist nëse do ta pranojë PD ofertën. “Kujtoni se do t’i pranojnë 2/3?! Unë dua shumë t’i pranojnë. Unë jam gati, ne jemi gati. S’ka problem, sepse ne nuk duam ta kapim sistemin e drejtësisë.

Ne duam që ta çlirojmë nga kthetrat që e kanë kapur, që nuk janë kthetrat tona, se ne nuk kemi kthetra me thënë të drejtën, se po t’i kishim, disa nuk do të ishin në parlament, por do ishin në burg”, deklaroi Rama. Në falën e tij Rama i kushtoi shumë vend sulmeve nga jashtë dhe brenda partisë që synojnë, sipas tij, “kriminalizimin” e Rilindjes. “Po nuk është vetëm PD, por është e gjithë rezistenca e interesave të të shkuarës e atyre që guxojnë të shkojnë në pikën sa të pretendojnë se mund të ballafaqojnë PS me Shqipërinë si në ballafaqim të kundërt”, reagoi Rama ndaj kritikave të bëra nga deputeti Ben Blushi. “Nëse ne do të ishim kjo bandë uzurpatorësh që gdhihemi duke thithur drogë në vend të kafesë, unë me Pandin, imagjinoni. Atëherë këta duhet të ishin në revolucion për të votuar reformën në drejtësi”, tha Rama. “Askush nuk merret me reformat dhe me mënyrën se si ato janë konceptuar, mënyrën se si ato janë futur në zbatim ku natyrisht mund të ketë shumë gjera për të diskutuar. Të gjithë merren me personat, të gjithë merren me kush është më kriminel, kryeministri, ministri i brendshëm, ministrat me rradhë, deputetët, kryetarët e bashkive?! “ tha Rama.  Çwshtja çame Rama për ligjin e luftës Ne e kemi kusht për të çuar në një fazë të re marrëdhënien me Greqinë, për të cilën jemi shumë të interesuar, heqjen e ligjit të luftës.

Ne duam të krijojmë një miqësi prej një standardi të ri, Nga Preng Gjoka tek Mesila Doda “Teksa pashë këtu Mesila Dodën, e veshur perfekt me ngjyrën e Rilindjes, nuk kam sesi të mos e nis me Preng Gjokën, pinjollin e Gjon Markajve të Mirditës, i cili në vitin 1883 kryesonte një Komitet qendror shqiptar të Korfuzit...” Edhe Zeusi është çam “Sipas artistes së paharruar botërore, Isadora Duncan, altarin e tij të parë, Zeusi e pati në shpatet hyjnore të Çamërisë. Shpresoj që mos ma marrin për keq fqinjët, të mos ankohen që e bëmë edhe Zeusin, çam”. Mos prisni të hedh rrufe “Mos prisni që nga ky kongres unë të hedh rrufenë mbi Greqi, sepse këtu nuk jemi në malin e Olimpit. Megjithatë më lejoni ta them me krenari atë qe e dinë të gjithë. Unë jam i kryetari i të parës parti shqiptare që futi në programin e vet çështjen çame”.

Telefonata me Nuland, Berisha vë kusht votimin elektronik

SHBA i kërkon Berishës të mos pengojë reformën në drejtësi, ish kryeministri shton një kërkesë, votimin elektronik. “Kërkesa e opozitës për të votuar, së bashku me nenet e reformës në drejtësi, edhe nenin për votimin dixhital, biometrik, do të dëshmonte vullnetin e qeverisë për një proces zgjedhor transparent, jetik për vendin”, është shprehur ish-kryeministri në një bisedë telefonike me Departamentin e Shtetit.

Të premten, ndihmës/sekretarja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, përveç kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, i ka telefonuar ish-kryeministrit dhe ishkryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Berisha ka këmbëngulur në propozimet e opozitës. Sipas njoftimit të PD-së, Nuland ka theksuar në bisedë rëndësinë e madhe të kësaj reforme për integrimin e Shqipërisë në Europë dhe shprehu vlerësimin e saj në përpjekjet e fundit të ambasadorëve të SHBA dhe BE për një kompromis midis palëve në ditët që vijnë. Berisha ka theksuar se beson se një kompromis në rast se qeveria dëshiron reformën, është plotësisht i mundshëm. Sipas Berishës, kërkesa e opozitës për vende të rezervuara është një kërkesë anti-kapje, bazohet plotësisht në rekomandimet ndërkombëtare dhe Qeveria nuk ka asnjë arsye të mos e pranojë. Berisha thotë se thjeshtimi i arkitekturës së institucioneve të drejtësisë është plotësisht i mundshëm dhe se shpreson që palët do të bien dakord për këtë.

Në bisedë Berisha ka përmendur edhe reformën zgjedhore. Në të njëjtën ditë zyrtarja e Departemntit të shtetit telefono edhe kryetarin e PD-së Lulzim Basha. Basha rikonfirmoi qendrimin e Partisë Demokratike në mbështetje të formulës së vendeve të rezervuara të propozuar nga SHBA dhe BE që prej muajit shkurt 2016 për institucionet e reja të sistemit të drejtesisë, si dhe e njohu ndihmëssekretaren e Shtetit me zgjidhjet e propozuara nga Partia Demokratike për thjeshtimin e arkitekturës së drejtësisë në funksion të moskapjes politike.

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.