Reforma në drejtësi, Hahn: Vendosni interesin e vendit mbi ato individuale
Komisioneri i Bashkimit Europian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn, ka nxitur palët e politikës shqiptare të vendosin interesin e vendit dhe të qytetarëve mbi interesat individuale dhe të gjejnë kompromis për çështje politike pa prekur thelbin e reformës në drejtësi.
Në një deklaratë për mediet, Hahn është shprehur: “Përshëndes punën konstruktive të bërë deri tani për reformën themelore të drejtësisë në Shqipëri që është mbështetur nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë si Euralius, OPDAT apo Komisioni i Venecias”.
Sipas tij, një miratim i shpejtë i reformës dhe zbatimi i saj pasues është tashmë kyç. “Kjo jo vetëm që do t’i përgjigjej mbështetjes së madhe publike në Shqipëri për reformimin e sistemit të drejtësisë, por do të sinjalizonte gjithashtu një angazhim të qartë ndaj standardeve europiane dhe procesit të integrimit europian”, deklaron Hahn.
Komisioneri i Bashkimit Europian për Fqinjësi dhe Zgjerim ka shtuar se “tani është me rëndësi të bëhet dhe kilometri i fundit dhe të sigurohet shumica prej dy të tretash që nevojitet për ndryshimet përkatëse kushtetuese”.
“Prandaj, i nxis të gjitha palët, përfshirë opozitën, që ta vendosin interesin e vendit të tyre dhe atë të qytetarëve mbi interesat e tyre individuale dhe të gjejnë kompromise për çështjet e mbetura politike, pa kompromentuar thelbin e draft reformës të pranuar ndërkombëtarisht”, shprehet më tej eurokomisioneri.
Hahn në mënyrë figurative shprehet se ditët e ardhshme do të ketë një vendim për Shqipërinë nëse do të përparojë drejt Kampionatit evropian.
“Ditët e ardhshme do të vendosin nëse Shqipëria do të përparojë drejt Kampionatit Evropian apo nëse do të qëndrojë në fazën e grupeve”, përfundon deklarata e Hahn.
Deklarata e komisionerit vjen pak ditë para takimit të kryeministrit Edi Rama me kreun e opozitës, Lulzim Basha pikërisht për çështjen e reformës në drejtësi