Rroshi: Dorëhiqem dhe rikandidoj
Në një deklaratë të bërë në “Facebook”, Rroshi shpjegon se e ka të pamundur të vijojë mandatin pas akuzave dhe baltës të hedhur nga opozita. Ai shprehet se është informuar nga avokatët e tij se rezulton i dënuar pa dijeninë e tij, në kohën kur ka qenë minoren në një kamp refugjatësh në Itali. "Dua t’i kërkoj sinqerisht falje qytetarëve të Kavajës, por edhe Kryeministrit Edi Rama, të cilët më kanë besuar dhe mbështetur dhe sot duhet të marrin këtë informacion të padëshirueshëm. Po të gjithë duhet ta dinë se nuk kam fshehur asgjë që dija", thotë Rroshi në deklaratën e tij.
Deklarata e plotë
"U bënë vite që mbi mua hidhen papushim akuza sikur jam kriminel, trafikant dhe gjithë të zezat. Unë u mësova me këto që për mua u kthyen në energji plus për të fituar zgjedhje dhe ndryshuar Kavajën. Po familja ime nuk e ka të lehtë asnjëherë me këtë sulm papushim. Me vjen tmerrësisht keq për shqetësimet që iu ka shkaktuar kjo histori. E kam ditur se këtë punë do kisha me Partinë Demokratike, qysh ditën e parë që shporra Sali Berishën dhe ordinerët e vet nga Kavaja që e zhytën në zhul dhe mjerim njëzet vjet rresht. Arsyeja e vërtetë e sulmeve të tyre ndaj meje ka qenë kjo dhe s'ka për të ndryshuar asnjëherë. Po sot unë kam një arsye shumë më të fortë se kjo për të lajmëruar dorëheqjen time! Që në momentin kur ligji i dekriminalizimit hyri në fuqi, u lidha me avokatët e mi që të siguroja përgjigje me dokumente ndaj çdo sulmi te Shqup-it për jetën time në emigracion.
Të gjitha dokumentet që mora nga të gjitha shtetet ku ka kaluar rruga ime e emigrimit, provojnë qartësisht atë që unë kam thënë: Asnjëherë i dënuar askund, përveçse i përzënë si dhjetëra mijëra shqiptar në vitet e para të emigracionit për probleme dokumentesh. Kam ikur fëmijë nga Kavaja dhe kam kaluar vështirësi të mëdha dhe situata të jashtëzakonshme. Lufta për mbijetesë në fillim pa ditur asnjë llaf italisht dhe duke lëvizur për të bërë çdo lloj pune ka qenë libër më vete. Po nuk më ka bërë as kriminel, as trafikant, as hajdut dhe as shkelës të ligjit. Prandaj kam dalë ballëlart përpara qytetarëve të Kavajës dhe opinionit publik kur i jam përgjigjur shpifjeve monstruoze të Sali Berishës. Në fillim më vinte të vija ulërimën nga shpifjet dhe akuzat pastaj u mësova dhe e përqeshja me përbuzje luftën e tyre me mua. Po sot duhet te ndaj publikisht me keqardhjen më të madhe, një informacion që më ka kapur në befasi të plotë dhe ndryshon gjithçka. Avokatët e mi më kanë informuar, se papritur dhe pa kujtuar rezultoj të jem dënuar si minoren! I bie të jem dënuar pa dijeninë time në Itali në kohën kur isha ende në kampin e refugjatëve.
Jam akoma i shokuar nga ky njoftim dhe as unë vetë nuk di çfarë të shpjegoj më shumë. E vetmja gjë që mund të kujtoj është se na patën shoqëruar njëherë në polici në tufë nga kampi pas një sherri të madh. Mua më ndanë veç se isha minoren dhe kur më morën në pyetje nuk dija akoma as pesë fjalë italisht. Por as kam qenë ndonjëherë në gjyq as kam bërë ndonjë ditë burg për këtë dënim të dhënë nga një gjykatë minorenesh, që rezulton në kartelën time penale kur sapo kisha mbushur 16 vjeç. Kjo është e vërteta tronditëse që sapo kam marrë dijeni. Por s'ka pikë rëndësie e vërteta që tregoj unë sot. Faktikisht pa e ditur këtë dënim s'kam pasur si ta deklaroj. Ndërsa pasi jam vënë në dijeni, kjo për mua është bërë një çështje që i përket drejtësisë jo politikës. Prandaj unë nuk mund të vazhdoj i qetë detyrën time si deri dje, për sa kohë pafajësia ime nuk është më një e vërtetë e provuar ligjërisht përballë çdo shpifësi. E kam të pamundur të vazhdoj të kryej detyrën time si Kryetar i Bashkisë së Kavajës edhe sikur kundërshtarët e mi të mos e merrnin vesh kurrë këtë informacion.
Dua t’i kërkoj sinqerisht falje qytetarëve të Kavajës po edhe kryeministrit Edi Rama, të cilët më kanë besuar dhe mbështetur dhe sot duhet të marrin këtë informacion të padëshirueshëm. Po të gjithë duhet ta dinë se nuk kam fshehur asgjë që dija. Ndoshta do vijë dita që këto fjalë që duken si llafe që i merr era, do t'i provojë drejtësia. Në radhë të parë për hatër të familjes time dhe dy gocave të mia, po dhe për hatër të gjithë atyre që nuk i besuan kurrë shpifjet ndaj meje dhe më mbështetën pa rezerva. I falënderoj të gjithë dhe kërkoj falje që duhet të largohem kokulur nga detyra. E kam bërë këtë detyrë me gjithë forcat e mia. Kam punuar ditën dhe natën. Kam qëndruar afër çdo kavajasi në nevojë për shërbimin dhe ndihmën e bashkisë. S'kam kursyer asgjë dhe tani që largohem i shokuar nga kjo që më ndodhi papritur, kam vetëm një ngushëllim: Kavajën që rindërtuam nga gërmadhat në 4 vjet e gjysmë! Një qytet që ka hyrë në rrugën e një ndryshimi të madh dhe që gdhihet i pastër dhe në darkë është plot jetë. Nuk e kisha menduar kurrë këtë ndarje me qytetin dhe njerëzit si kryetar bashkie. Po as nuk e mendoj që ta mbyll këtë histori pa fituar në rrugën e drejtësisë pafajësinë që meritoj. Kjo është tani beteja ime për dy gocat e mia dhe për gjithë qytetarët e Kavajës”-shkruan Roshi.
Formulari i dekriminalizimit
Në formularin e vetëdeklarimit, kryebashkiaku Elvis Rroshi ka pranuar ndryshimin e emrit nga Ervin në Elvis. Ky ndryshim është bërë me vendim gjykate, që mban datën 1. 11 2002. Në formularin e vetëdeklarimit rezulton se Rroshi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Rrethit të Kavajës me nr. 69, datë 18.09. 2002. Dënimi ka qenë me gjobë për veprën penale 278/ 2 të Kodit Penal. Roshi ka deklaruar në formular se para vitit 2002 ka qenë në hetim nga një gjykatë në Mynih të Gjermanisë. Në formular përmendet edhe ndalimin i tij nga prokuroria për shkak se goditi me grusht trajnerin e Tiranës, Nevil Dede, më 10 mars 2013. Në lidhje me ndalimin në Gjermani, në formular ai u shpreh se nuk e mban mend arsyen, por kujton se është dëbuar nga Gjermania.
Rroshi, socialistëve: Do të rikandidoj për kryetar bashkie
Mbështetës të ish-kryetarit të bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, të dorëhequr dje, kanë dalë në një tubim mbështetës në qendër të qytetit, mbrëmë në orën 19.00. Elvis Rroshi ka mbajtur një fjalim para protestuesve të mbledhur te Bashkia duke deklaruar se do të vazhdojë betejën ligjore në Itali dhe se do rikandidojë për Kavajën. “Do të rikandidoj në krye të bashkisë së Kavajës. Do vazhdoj betejën ligjore në Itali. Kam qenë 15 vjeç kur kam ikur në Itali. S’jam në dijeni të gjyqit që është bërë në mungesën time. Thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë në Kavajë. Do t’i mbyll gojën SHQUP-it dhe Bashës për akuzat kundër meje”, ka thënë Rroshi. Elvis Rroshi u kandidua nga PS-ja për kryetar bashkie në zgjedhjet e majit 2011 dhe fitoi për herë të parë në emër të të majtës në një bashki të drejtuar nga e djathta prej dy dekadash. Më pas u rikandidua dhe fitoi sërish në vitin 2015, për një mandat të dytë.
Berisha: Pas Rroshit, të dorëhiqet Rama
Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi, u zbulua se ishte i dënuar me emrin e tij të parë, Ervin Rroshi. “Elvisin e mori Ervisi, emri me të cilin ishte dënuar”, shkruan Berisha në rrjetin social Facebook. Por ai vijon edhe më tej, duke hedhur akuza se edhe kryeministri Edi Rama e ka ndërruar emrin (të cilin e ka deklaruar edhe në formularin për dekriminalizimin) për të fshehur shkeljet e ligjit që ka bërë në Spanjë dhe Paris. “Po Edin a do ta marrë me vete emri Edvin?”, ngre pyetjen Berisha. Ish-kryeministri tha se kur kreu i qeverisë quhej Edvin, është akuzuar për dosjen e tmerrshme spanjolle, e cila përmban edhe vrasje të llahtarshme, letrën e Kadriovskit ku akuzohet për rrëmbimin e drogës dhe zhdukjen e bashkëshortes së tij, shitjen në Paris të ikonave të vjedhura. Berisha bën përgjegjës Ramën për futjen në parlament dhe në pushtetin vendor të kriminelëve sic i quan ai, ndaj ai kërkon që kreu i qeverisë të sqarojë publikisht përse e ka ndryshuar emrin nga Edvin në Edi.
Basha: Funksionoi ligji i dekriminalizimit
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka komentuar dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Në një deklaratë për mediat pas takimit me ambasadorin Donald Lu, Basha akuzoi kryeministrin Rama se e ka ditur për dënimin e Rroshit në në Zvicër, por i ka ofruar atij mbështetje. “Sot Elvis Rroshi ka marrë nga ligji atë që ligji i rezervon atij dhe personave të tjerë të inkriminuar. Kjo është koha të kujtohemi se para se të vinim tek ky hap, Rroshi kishte mbështetjen e plotë të Ramës. Edhe kur Birn-i i kujtoi se ka dënim për trafik droge, edhe kur SHBA i kërkoi të mos poshtëronte popullin shqiptar. Rama pranoi të rrinte me Rroshin duke sfiduar popullin e Kavajës. Rroshi ka një dënim në Zvicër për trafik droge, ai deklaroi që nuk i kujtohej dënimi. Tani i doli që i kujtohej se ku ishte dënuar. Rama e ka dituar se ishte i dënuar në Zvicër për drogë, duke iu thënë se i vetmi dënim është ky i Italisë. Nuk është e vërtetë, Edi Ramës i është kërkuar mos e kandidonte”, tha ai. Basha shtoi se Rroshi është prova e parë që ligji i dekriminalizimit funksionoi dhe kërkoi largimin e kryeministrit Rama. “Problemi nuk zgjidhet me largimin e Rroshit. Ky duhet të largohet, ky që i gënjen shqiptarët, ky që futi vendin në krizë. Largimi i Edi Ramës është zgjidhja, ai duhet të mbajë përgjegjësi për krimin në vendimmarrje”, tha ai.
Rama: PS nuk mbështet të dënuarit nga gjykata
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dorëheqjes së kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Rama shprehet se Rroshi është kandiduar dhe rikandiduar, pasi është shqyrtuar dëshmia e tij e penalitetit dhe janë verifikuar akuzat e hedhura herë pas here ndaj tij nga opozita. Kreu i qeverisë thotë se pas një verifikimi të thelluar, ka dalë në dritë se Rroshi është dënuar në moshë të mitur në Itali nga gjykata e të miturve. “Jam i keqardhur, por aspak i lëkundur në bindjen time se kur hyn në mes një problem me drejtësinë, vendimmarrja s'ka si të ketë më asnjë ngjyrë tjetër përveçse bardhezi”, shprehet Rama.
“Kur e kemi zgjedhur Elvis Rroshin si kandidat për Kavajën, kemi marrë si për të gjithë dëshminë e penalitetit, e cila ka rezultuar e bardhë. Po ashtu, kur e kemi mbështetur rikandidimin e tij, kemi sqaruar në rrugë operative të gjitha akuzat e bëra ndaj tij. Dhe asgjë nga çfarë kanë pretenduar akuzuesit e tij publikë deri më sot, nuk ka rezultuar e vërtetë. Duke i njohur dhe respektuar gjithnjë vështirësitë që të rinjtë shqiptarë kanë kaluar përmes dallgëve të larta të jetesës në emigracion, kam besuar dhe besoj se historia e Elvisit, apo Ervinit, ka qenë thjesht njëra ndër historitë e panumërta të djemve që janë përplasur nëpër ato dallgë, duke jetuar mes ëndrrës për t'ia dalë dhe makthit të rikthimit mbrapsht. Ndërrime emri për të mos u kthyer mbrapsht, përzënie për qëndrim pa leje, kalime ilegale kufiri e me radhë, janë akte të paligjshme që në vitet '90 i kanë bërë shumë e shumë emigrantë në rrugën drejt ëndrrave të tyre. Prandaj edhe nuk e kam fshehur përçmimin tim ndaj hipokrizisë ekstreme të atyre që kanë shumë gjëra për t'u turpëruar apo fshehur nga jeta e tyre në politikë dhe i turreshin kryetarit të Bashkisë së Kavajës me gjithfarë shpifjesh e akuzash. Ashtu sikundër nuk kam pasur pse ta fsheh respektin për punën e jashtëzakonshme të Elvis Rroshit për Kavajën, e cila sot është kthyer në një shembull të shkëlqyer transformimi. Por fatkeqësisht sot, një verifikim i thelluar ka nxjerrë në dritë një fakt deri tani krejt të panjohur dhe të papërfolur ndonjëherë për Elvis Rroshin, për të cilin nuk është lënë gënjeshtër pa treguar. Elvis Rroshi është dënuar në moshë të mitur në Itali nga gjykata e të miturve! Jam i keqardhur, por aspak i lëkundur në bindjen time se kur hyn në mes një problem me drejtësinë, vendimmarrja s'ka si të ketë më asnjë ngjyrë tjetër përveçse bardhezi. Kam qenë dhe mbetem i prerë në këtë pikë: Fajësinë nuk e caktojnë partitë as mediat, por gjykatat. Gjithkush sulmohet me opinione kriminalizuese të pambështetura në fakte po në shpifje, meriton solidaritet. Ama gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për çfarëdo qoftë apo qëndruar në një detyrë publike që ka. Fakti në këtë rast që Elvis Rroshi nuk e ka vuajtur asnjë ditë dënimin sepse ka qenë në moshë të mitur, nuk mund të ndryshojë gjë. Kjo ka qenë linja ime në këtë aspekt shumë më përpara se sa të kalonte ligji i "dekriminalizimit", kjo është linja jonë edhe sot. Asgjë nuk ndryshon në raport me hipokritët e lartpërmendur dhe po ashtu asgjë nuk do të ndryshojë në pikën e lartpërmendur. Dhe ndryshe nga partia përballë, që tjetër thotë e tjetër bën, me papastërtitë e hatashme që ka në grupin e saj parlamentar, deri edhe duke justifikuar shkeljen haptazi të ligjit të "dekriminalizimit" nga një deputet i saj, në familjen tonë politike nuk ka llafe përballë fakteve të provuara.”- u shpreh Rama.