Eurostat/ Shqipëria me të ardhurat për frymë më të ulëtat në Ballkan

0.4varferia 1511339087 8623050

Shqipëria në pesë vitet e fundit kishte ritmet e rritjes së ekonomisë nga më të lartat në Ballkan, por të ardhurat për frymë ne vlera neto gjatë kësaj periudhe janë rritur më pak se kudo në Ballkan. 

Sipas të dhënave të Eurostat gjatë periudhës 2012-2017 të ardhurat për frymë të Shqipërisë u rriten me 700 euro, nga niveli 3300 euro arritën në 4000 euro për frymë. 

Rritja më të madhe neto e të ardhurave për frymë ka ndodhur në Malin e Zi. Niveli i tyre nga 5100 euro në vitin 2012 arriti në 6900 euro në vitin 2017 duke u rritur me 1800 euro. Kjo vlerë ishte gati sa dyfishi i rritjes neto te të ardhurave për frymë se në vendet e tjera të Ballkanit. 

Më pas për rritjen më të lartë vjen Maqedonia, të ardhurat për frymë të së cilës u rriten me 1100 euro gjatë 2012-2017.  

Gjithashtu Serbia dhe Bosnja raportuan rritje të njëjtë të ardhurash për frymë, me 900 euro për periudhën në fjalë.  

Shqipëria dhe Kosova raportuan nivele më të ulëta të rritjes, të ardhurat për fryme te të cilave u rriten përkatësisht me 700 dhe 800 euro për frymë gjatë 5 viteve. 

Të ardhurat mesatare për frymë në BE ishin 30 mijë euro më 2017. Një studim i BERZH i vitit të kaluar kalkuloi se sipas të gjitha gjasave vendet e Ballkanit Perëndimor në skenarin bazë kapin nivelin e BE-në në vitin 2078, në skenarin optimist në 2053 dhe në atë pesimist në 2220. 

Rritja mesatare e GDP-së për frymë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është sa gjysma e mesatares së 11 vendeve të Europës Lindore dhe sa një e katërta e rritjes në ekonomitë e zhvilluara të Europës Perëndimore. Problemi që duket se kërkon edhe zgjidhjen e shpejtë sipas BERZH është garantimi i një rritje produktive afatgjatë. 

Stabiliteti makroekonomik ka qenë i vështirë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht pas krizës së vitit 2008. Kriza globale financiare tensionoi pozicionet fiskale në të gjashtë vendet, duke ulur ndjeshëm rendimentin fiskal dhe, nga ana tjetër, rriti presionin mbi borxhin publik. 

Politikat kundërciklike çuan në dyfishim të deficiteve primare në rajon, nga 1.7% e PBB-së në vitin 2008 në 3.8% në vitin 2009, duke vijuar mbi 2% deri në vitin 2016. Si rezultat, mesatarja e borxhit bruto në rajon u rrit nga rreth 30% e PBB-së në 2008 në mbi 50% në vitin 2016 (Shqipëria dhe Mali i Zi kanë nivelin më të lartë në mbi 70%). 

Shpenzimet publike në rajon mbeten të përqendruara në paga, pensione dhe pagesa sociale, duke lënë pak hapësirë për investimet.  

Vitet e fundit, konvergjenca për të arritur vendet e BE-së ka qenë e ulët në vendet e rajonit.  

Shqipëria, Bosnjë – Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia shënuan ulje të fortë të varfërisë që nga fillimi i tranzicionit drejt ekonomive të tregut. Standardet e jetesës u rritën gati gjashtëfish në Bosnjë – Hercegovinë, pothuajse u trefishuan në Shqipëri dhe u dyfishuan në Serbi midis 1995 dhe 2015.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.