OSBE/ODIHR: Votim korrekt në 94 % të qendrave të votimit
Në 95 për qind të qendrave të votimit të monitoruara, vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë vlerësuar pozitivisht procesin e votimit. Ky është konstatimi i OSBE/ODIHR në raportin paraprak për zgjedhjet e 30 qershorit. Por, sipas raportit të siguruar nga Shqiptarja.com në shumë raste, aktivistët e PS-PD mbajtën shënime për zgjedhësit që votuan, duke ushtruar presion ndaj tyre. Pra, sipas OSBE/ODIHR të dyja palët kanë ushtruar presion mbi zgjedhësit. Në raport reflektohen të gjitha lëvizjet dhe aktet e Partisë Demokratike dhe LSI, të cilat dëmtuan zgjedhjet e 30 qershorit. Konkretisht në raport thuhet se zgjedhësit nuk patën mundësi të plota zgjedhjeje mes alternativave politike, duke qenë se partitë kryesore opozitare vendosën të mos marrin pjesë në zgjedhje. Pra, opozita është përgjegjëse për mungesën e garës në shumicën e bashkive.
Gjithashtu, sipas OSBE/ODIHR refuzimi i partive opozitare për të emëruar anëtarët e tyre në KQZ dhe KZAZ e la administratën zgjedhore të paekuilibruar politikisht. Po ashtu, në raport theksohet se protesta të vazhdueshme të opozitës, të drejtuara nga PD-ja, u shënjuan nga dhuna dhe vandalizmi kundër institucioneve shtetërore, duke përfshirë më vonë edhe administratën zgjedhore.
Raporti thekson se punonjësit e bashkive të PD, PDIU dhe LSI penguan fizikisht administratën zgjedhore për administrimin e zgjedhjeve. Pjesa më e madhe e këtyre incidenteve përfshinte shkatërrimin e materialeve zgjedhore, si dhe përplasjet mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit. Po ashtu, disa kryetarë bashkish të PD u përpoqën të përdorin kompetencat e tyre për të mos lejuar përdorimin e ndërtesave publike si qendra votimi. OSBE/ODIHR thotë gjithashtu se kombinimi i thirrjeve të opozitës drejtuar elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, anshmërisë politike të autoriteteve bashkiake dhe përbërjes së paekuilibruar të administratës zgjedhore ndikuan negativisht në besimin e publikut te procesi zgjedhor. Në raport theksohet se përfaqësues të BD-së e informuan ODIHR-it se disa prej kandidatëve të tyre u tërhoqën për shkak të presionit nga PD-ja (në Kamëz, Kavajë dhe Lezhë), kurse njëri për shkak të presionit nga PS-ja (në Skrapar).
(KLIKO KETU PER TE LEXUAR RAPORTIN E OSBE\ODIHR NE GJUHEN SHQIPE)
Ndër të tjera, në raport thuhet se presidenti Ilir Meta kontribuoi në pasigurinë juridike dhe politike, me atë të dy dekreteve të tij, të parin për anulimin e zgjedhjeve dhe të dytin për caktimin e një date të re zgjedhjesh, vendime të cilat u konsiderua nul nga shumica e anëtarëve të KQZ-së. Sipas OSBE/ODIHR gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit.
36 konstatimet në raportin e OSBE/ODIHR
Kuadri ligjor mbetet kryesisht i pandryshuar nga zgjedhjet e mëparshme. Ai mund të përbënte një bazë të shëndoshë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, por zbatimi i tij si duhet kërkon vullnet politik nga aktorët zgjedhorë
Shumë rekomandime të mëparshme të ODIHR-it mbeten të paadresuara, duke përfshirë edhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore, transparencën e financimit të fushatës dhe efiçencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore.
Listat e zgjedhësve u afishuan fillimisht në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe në Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV), por u hoqën në shumicën e bashkive që drejtohen nga opozita në mes të muajit qershor, duke e kufizuar në këtë mënyrë mundësinë e zgjedhësve për të verifikuar të dhënat e tyre.
Në total u regjistruan 97 kandidatë për kryetarë bashkie dhe 544 lista kandidatësh për këshillat bashkiakë në të 61 bashkitë. Pavarësisht kësaj, zgjedhësit nuk patën mundësi të plota zgjedhjeje mes alternativave politike, duke qenë se partitë kryesore opozitare vendosën të mos marrin pjesë në zgjedhje.
Qytetarët, sidomos ata që punonin për administratën publike, u përballën me presione direkte dhe indirekte për të demonstruar preferencat e tyre politike.
Mediat janë të larmishme, por mbeten të varura nga pozicionimet politike dhe interesat e biznesit të pronarëve të tyre. Në mungesë të një vetërregullimi efikas, gazetarët operojnë në kushte pune të pasigurta dhe zgjedhin shpesh autocensurën.
Praktika e përdorur nga partitë kryesore politike dhe zyrtarët publikë e vënies në dispozicion të mediave vetëm të regjistrimeve të gatshme apo të regjistrimeve të drejtpërdrejta nga aktivitetet zyrtare dhe ato të fushatës, duke ua kufizuar ndërkohë aksesin mediave në aktivitete, e kufizoi mundësinë e zgjedhësve për të marrë informacion objektiv.
Ndonëse të dhëna në seanca të hapura, vendimet e KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor nuk u publikuan në kohë, gjë që solli pasoja negative mbi të drejtën për zgjidhje dhe transparencë të kufizuar rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore.
Duke qenë se disa parti të pakicave kombëtare vendosën t’i bashkoheshin bojkotimit të zgjedhjeve, në disa komunitete ku pakicat kombëtare mund të nxjerrin normalisht kandidatë, zgjedhësve nuk iu dha kjo mundësi.
Dita e zgjedhjeve qe përgjithësisht paqësore, me protesta të vogla dhe disa raste të izoluara vandalizmi ose dhune të vërejtura në disa zona. Sipas KQZ-së, votimi nuk mund të zhvillohej në shtatë qendra votimi.
Votimi u vlerësua pozitivisht në 94 për qind të qendrave të votimit të vëzhguara nga MVZ-ja e ODIHR-it.
Numërimi u vlerësua pozitivisht në të 51 qendrat e numërimit të vëzhguara, përveçse në 6 prej tyre, ndonëse disa procedura nuk u ndoqën gjithmonë me korrektesë.
Protesta të vazhdueshme të opozitës, të drejtuara nga PD-ja, u shënjuan nga dhuna dhe vandalizmi kundër institucioneve shtetërore, duke përfshirë më vonë edhe administratën zgjedhore. Kryeministri i hodhi poshtë kërkesat e opozitës dhe, duke paralajmëruar se kjo mund të çonte në krijimin e një precedenti që do të kërcënonte atë çka ai e përshkroi si “bashkëjetesë demokratike” të qeverive të zgjedhura dhe të opozitave të tyre parlamentare, bëri thirrje që zgjedhjet të mbaheshin siç ishin planifikuar.
Kuadri ligjor për zgjedhjet, kryesisht i pandryshuar që prej zgjedhjeve të fundit, mund të përbënte përgjithësisht një bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike. Megjithatë, mungesa e qartësisë së disa dispozitave çoi në perceptim njëanësish në zbatimin e tyre nga KQZ-ja. Aktorët zgjedhorë nuk demonstruan gjithmonë vullnet politik për të zbatuar si duhet dispozitat ligjore.
Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit.
Refuzimi i partive opozitare për të emëruar anëtarët e tyre në KQZ dhe KZAZ, kombinuar me interpretimin e mëvonshëm të ligjit nga KQZ-ja se vetëm ato parti që garojnë në zgjedhje kanë të drejtën të emërojnë anëtarë, e la administratën zgjedhore të paekuilibruar politikisht. Rrjedhimisht, shumë bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ngritën shqetësime rreth paanshmërisë së komisioneve të të gjitha niveleve.
Në vendimet për regjistrimin e kandidatëve dhe për përbërjen e niveleve më të ulëta të administratës zgjedhore, KQZ-ja e zbatoi ligjin në një mënyrë që tregonte njëanshmëri. Disa vendime të KQZ-së, duke përfshirë ato në lidhje me mosregjistrimin e kandidatëve dhe ankesat e tyre, u publikuan me vonesa të konsiderueshme, duke cenuar kështu transparencën.
Dekreti i Presidentit i 10 qershorit u konsiderua nul dhe i pavlefshëm nga një shumicë e anëtarëve të KQZ-së. Megjithatë, bashkitë i trajtuan përgatitjet e mëtejshme për zgjedhjet sipas kësaj ndarjeje politike. Kështu, në bashkitë e drejtuara nga kryetarë bashkie të PS-së, përgatitjet për zgjedhjet vazhduan. Në shumë bashki, kryetarët e bashkive të opozitës u kërkuan KZAZ-ve të ndërprisnin përgatitjet dhe të lironin ambientet e bashkive. KQZ-ja duhet të zhvendoste më shumë së 200 qendra votimi, si dhe disa KZAZ dhe VNV. Kombinimi i thirrjeve të opozitës drejtuar elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, anshmërisë politike të autoriteteve bashkiake dhe përbërjes së paekuilibruar të administratës zgjedhore ndikuan negativisht në besimin e publikut te procesi zgjedhor.
Në mesin e muajit qershor, listat e zgjedhësve u hoqën me urdhër të autoriteteve bashkiake në bashkitë e drejtuara nga opozita, duke i privuar zgjedhësit nga mundësia për të verifikuar të dhënat e tyre.
KQZ-ja demonstroi qartazi një qasje gjithëpërfshirëse në regjistrimin e kandidatëve. Ndonëse kjo rriti numrin e garuesve, KQZ-ja e interpretoi ligjin në një mënyrë tejet të gjerë dhe, ndonjëherë jokonsistente, duke cenuar sigurinë juridike. KQZ-ja e regjistroi Bindjen Demokratike (BD) si subjekt zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj. Përveç kësaj, KQZ-ja nuk i kërkoi partisë së saporegjistruar, Bindjes Demokratike, të mblidhte firma mbështetëse, duke e shpërfillur kërkesën për periudhën gjashtë-mujore. Në përgjigje të ankesave ndaj mosregjistrimit të kandidatëve nga KZAZ-të, KQZ-ja rifuti në garë 11 kandidatë.
Kodi Zgjedhor e ndalon bërjen e ndryshimeve në listat e kandidatëve pas miratimit të tyre përfundimtar dhe nuk e rregullon tërheqjen e kandidatëve. KQZ-ja hodhi poshtë disa kërkesa për tërheqje të paraqitura nga kandidatë për kryetarë bashkie të Bindjes Demokratike, duke i lënë kështu emrat e tyre në fletën e votimit.
Përfaqësues të BD-së e informuan MVZ-në e ODIHR-it se disa prej kandidatëve të tyre u tërhoqën për shkak të presionit nga PD-ja (në Kamëz, Kavajë dhe Lezhë), kurse njëri për shkak të presionit nga PS-ja (në Skrapar). Përveç kësaj, një nga kandidatët pretendoi se i ishte falsifikuar firma në dokumentet e regjistrimit.
Heqja dorë e partive kryesore opozitare nga procesi zgjedhor ua kufizoi votuesve mundësinë e zgjedhjes mes alternativave të ndryshme politike. Kryetarët e 26 bashkive nga partitë opozitare, të cilëve u mbaron mandati, zgjodhën të mos rikandidojnë.
Aktivitetet e kufizuara të fushatës mbetën në hije për shkak të zhvillimeve në shkallë vendi që i thelluan edhe më tej ndarjet e hershme politike. Debatet mbi një numër të madh temash politike u dominuan nga çështja e mospjesëmarrjes në zgjedhje të partive kryesore opozitare dhe nga diskutimet rreth datës së zgjedhjeve. Përmes medias audiovizive, medias së shkruar dhe asaj sociale, tubimeve publike dhe takimeve me përfaqësues të partive politike, qytetarët u ekspozuan ndaj pikëpamjeve të ndryshme rreth zgjedhjeve, të cilat në shumë fusha, ishin jokonkurruese. Gjuha me të cilën kundërshtarët politike shprehën pikëpamjet e tyre ishte shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundërakuza.
Punonjësit e bashkisë ishin mes atyre protestuesve që MVZ-ja e ODIHR-it i vëzhgoi teksa e pengonin fizikisht administratën zgjedhore në bashkitë, ku kryetarët e bashkisë që i përkisnin PD-së, Partisë për Drejtës, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe LSI e kishin njoftuar KQZ-në se kishin për qëllim të zbatonin dekretin e 10 qershorit të Presidentit. Këtu përfshihen incidentet e ndodhura në Devoll, Dibër, Kamëz, Kavajë, Kukës, Mat, Pogradec, Përrenjas, Shkodër, Tropojë, Vau i Dejës dhe Vorë. Pjesa më e madhe e këtyre incidenteve përfshinte shkatërrimin e materialeve zgjedhore, si dhe përplasjet mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit.
Praktika e kufizimit të aksesit të medias në aktivitetet publike të organizuara nga zyrtarët e shtetit dhe partitë politike i ka kufizuar mundësitë e zgjedhësve për të marrë informacione objektive gjatë fushatës.
Më 13 qershor, KQZ-ja hodhi poshtë kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në zgjedhje, duke e bazuar vendimin pjesërisht tek arsyetimi se dekreti i Presidentit i datës 10 qershor është i pavlefshëm. Më 24 qershor, Kolegji Zgjedhor e hodhi poshtë ankimin ndaj vendimit të KQZ-së dhe e konstatoi gjithashtu të pavlefshëm dekretin e 10 qershorit të Presidentit.
KQZ-ja regjistroi 494 vëzhgues ndërkombëtarë, si dhe 630 vëzhgues vendas nga gjashtë organizata. Ndonëse nuk u ngrit asnjë problem në lidhje me akreditimin e vëzhguesve vendas, disa OJQ e informuan MVZ-në e ODIHR-it se do të tërhiqeshin nga aktivitetet e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe të edukimit të zgjedhësve për të mos u perceptuar sikur po shprehnin preferenca politike.
Votimi u krye pas një sërë njoftimesh nga shumica e bashkive të drejtuara nga opozita se zgjedhjet nuk do të zhvilloheshin më 30 qershor. Disa kryetarë bashkish u përpoqën të përdorin kompetencat e tyre për të mos lejuar përdorimin e ndërtesave publike si qendra votimi. Në një numër të vogël qendrash votimi pati dëmtime nga zjarrvënia para ditës së zgjedhjeve. KQZ-ja konfirmoi se votimi nuk u zhvillua në shtatë qendra votimi.
Dita e zgjedhjeve qe përgjithësisht paqësore, me gjithë disa raste të izoluara tensionesh dhe përplasjesh në një numër të vogël komunitetesh. Pjesëmarrja në votim varionte nga një bashki në tjetrën, ndërkohë që në shkallë vendi, KQZ-ja deklaroi se ajo arriti 21.6 për qind. Prania e vëzhguesve të partive politike (në më shumë se dy të tretat e të gjitha vëzhgimeve) dhe vëzhguesve qytetarë (një e pesta e vëzhgimeve) kontribuuan në transparencën e procesit. Megjithatë, në tre për qind të vëzhgimeve, vëzhguesit e partive ose aktivistët u panë të ndërhynin në administrimin e procesit.
Hapja e votimit u vlerësua negativisht në 9 prej 73 qendrave të vëzhguara të votimit, ku gjysma u hapën me vonesë, kurse shumica me më pak se 15 minuta vonesë. Në 11 qendra votimi, vëzhguesit e MVZ-së së ODIHR-it vunë re se nuk u ndoqën procedurat e hapjes së votimit, duke përfshirë mosdepozitimin e të dhënave të vulosjes së kutive të votimit.
Votimi qe përgjithësisht i qetë dhe u vlerësua pozitivisht në 94 për qind të qendrave të votimit të vëzhguara nga MVZ-ja e ODIHR-it. Në shumë raste, aktivistët e partive politike (kryesisht PS dhe PD) mbajtën shënime për zgjedhësit që votuan, duke sfiduar të drejtën e tyre për të votuar të lirë dhe pa frikën e ndëshkimit.
Në 23 për qind të qendrave të votimit të vëzhguara, votuesit u kthyen mbrapsht, kryesisht për arsye të vlefshme, ku në dy të tretat e rasteve u orientuan drejt qendrave të tjera të votimit. Ky ishte një tregues i ndikimit që pati ndryshimi në moment të fundit i vendndodhjes së qendrave të votimit për shkak të bllokimit të tyre nga aktivistë të opozitës apo njoftimit joefikas të zgjedhësve.
Votimi në grup, përfshirë edhe votimin familjar, u vu re në 10 për qind të vëzhgimeve, kurse votimi me prokurë u vu re në 2 për qind të vëzhgimeve.
Mbyllja e votimit u vlerësua negativisht në 7 prej 69 rasteve të vëzhguara. Rreth tre të katërtat e të gjitha qendrave të vëzhguara të votimit u mbyllën në kohë, kurse shumica e të tjerave brenda 15 minutave pas orës së caktuar të mbylljes. Në pothuajse të gjitha rastet e vëzhguara, procedurat e mbylljes u ndoqën me korrektesë dhe KQV-të i transferuan materialet në VNV pa vonesë.
LEXO TE NGJASHME