Ndryshojnë lejet e legalizimit
Për të vazhduar punën për procesin e legalizimeve të ndërtimeve pa leje do të punohet me një ritëm më të shpejtë, teksa në zyrat e ALUIZNI-t do të shtohen edhe 300 punonjës të rinj me kontratë. Ata do të vijojnë punën me procedura të reja, ndërkohë që nga koha kur u ligjërua procesi e deri më tani janë ndarë afro 66 mijë leje, nga 400 mijë ndërtime informale që llogariten të jenë ndërtuar 25 vitet e fundit. Vendimi i marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë, është bërë publik edhe nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi. “Vendosëm të shtojmë me 300 punonjës me kontratë numrin e punonjësve të ALUIZNI-t. Kjo është pjesë e strategjisë sonë për t’i dhënë një ritëm të lartë legalizimeve në vend. Legalizimet kanë qenë një prej reformave të para më qëllim formalizimin e ekonomisë, e premtuar dhe e ndërmarrë nga kjo qeveri”, deklaroi zëvendësministri pas miratimit të vendimit, ndërkohë që bëri edhe kërkesën publike për aplikimet, në mënyrë që përshpejtimi i punës të nisë sa më shpejt. “Reforma ka marrë një shpejtësi tjetër, 45 mijë legalizime të kryera deri tani, krahasuar me 21 mijë nga qeveria e kaluar. Kujtojmë dhe 400 vende pune të hapur pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ftoj të gjithë profesionistët të bëhen pjesë e garës në këto vende pune”, tha ai. Procesi i legalizimeve, edhe pse ka filluar vite më parë, ende nuk është mbyllur për numrin më të madh të ndërtimeve pa leje të ndërtuara gjatë viteve të fundit.
Procedurat
Por, si do të realizohet puna për përshpejtimin e procesit? Me masat e marra së fundmi nga ALUIZNI, tashmë qytetarët që kanë ndërtuar pa leje, pas lëshimit të lejes së legalizimit nga ALUIZNI, nuk do t’i drejtohen Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të bërë aplikimin për hipotekën. Kërkesa për kontrata të reja vjen pikërisht për faktin, se do të jenë punonjësit e rinj të institucioneve (ALUIZNI dhe ZRPP) që do të bashkërendojnë punën për të nxjerrë tapitë e banesave. Gjithashtu, për të vijuar punën për dhënien e lejeve të banesave, të cilat në total arrijnë afro 400 mijë, do të ndërtohet edhe një sistem hartografik, i cili do të zgjidhë njëherë e mirë kaosin e krijuar gjatë 25 viteve të fundit. Një risì tjetër që do të aplikohet për periudhën në vazhdim, është fakti që ALUIZNI do të bëjë të mundur legalizimin e objektit pa leje, dhe më pas pjesa e parcelës do të paguhet kur të mundet, duke mos e kushtëzuar pagesën apo statusin e truallit nga ndërtimi pa leje. Për këtë do shihet që edhe atje ku bie një studim apo plan rregullues, do të legalizohet objekti në mënyrë që, kur të prishet për arsye infrastrukture të jepet dëmshpërblim.
Dhënia e lejeve
Deri më tani Agjencia mbyllte vetëm dhënien e lejes së legalizimit, ndërsa kjo leje i jepej qytetarit për të aplikuar në Hipotekë për të marrë certifikatën e pronësisë. Ndërkohë me sistemin e ri, edhe këtë pjesë të procesit, do ta ndjekë ALUIZNI, që do të aplikojë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. E thënë ndryshe, qytetari do të pajiset me një kopje të lejes, ku informohet se ka mbaruar procesin e legalizimit, por ndërkohë ALUIZNI do të vazhdojë procedurën dhe aplikimin, duke ndjekur edhe problematikat e mundshme për regjistrimit në ZRPP. Pas ndërveprimit të këtyre institucioneve, qytetari duhet të paraqitet pranë zyrës së Hipotekës për të tërhequr certifikatën e pronësisë.
Afatet
Për të përshpejtuar afatet për dhënien e lejeve, ALUIZNI ka ngritur një sistem, sipas të cilit do të ndahet leja e legalizimit nga blerja e truallit. Kjo skemë e re do të mundësojë dhënien e lejes, pa u përfunduar procedura e blerjes së truallit. Mungesa e burimeve njerëzore në institucion e ka bërë më të ngadaltë procesin në përmbushjen e dokumentacionit të truallit nga qytetarët dhe kjo bënte që të pengoheshin edhe ata që kishin truallin e tyre dhe ata që kishin ndërtuar në truall-shtet. Ndarja e lejes së legalizimit nga blerja e truallit dhe vazhdimi në dy kohë, do të krijojë mundësinë e legalizimit të objektit për shumë objekte që sot nuk mund të legalizohen për shkak të projekteve të infrastrukturës.
Aplikimet
Kërkesa për punësimet e reja pranë ALUIZNI-t janë dorëzuar edhe në panairin e punës, i cili u hap në fund të muajit prill në Tiranë, ndërkohë që ata që nuk mund të plotësonin formularët e Agjencisë dhe të dorëzonin dorazi CV-të e tyre, mund të aplikojnë edhe nga faqja online e institucionit. Që në hyrje të kësaj faqeje është hapur një link i posaçëm, ku të interesuarit mund të plotësojnë të dhënat, të cilat do të merren në shqyrtim nga ALUIZNI. Përpos CV-së që do të ngarkojnë në faqe, ata duhet të hedhin të edhe të dhënat personale (emri, mbiemri, emaili), si dhe të dhënat e kontaktit (adresa, qyteti, telefoni). Ndërkohë, një javë më parë, drejtori i ALUZNIt, Artan Lame, zhvilloi një takim me drejtorët e ALUIZNI-t Berat, Fier, Lushnjë, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, ku u diskutuan çështje të veçanta që kanë të bëjnë me ecurinë e procedurave, normativat dhe kriteret ligjore, në funksion të përmirësimit të punës dhe plotësimit të objektivit final.
Pronat, zbulohen 8600 dosje pa vendim
Që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” e deri më sot, Agjencia e Trajtimit të pronës, ka vijuar punën mbi zbatimin e te gjitha proceseve te rregulluara nga ky ligj i ri. Kështu nga data 23 shkurt 2016 deri më datë 23 maj 2016 janë paraqitur pranë Agjencisë së Trajtimit të pronës rreth 5000 pronarë të interesuar mbi këtë proces nga të cilët 1300 aplikues janë për herë të parë. “Në mënyre që qytetarët të cilët presin vendimmarrjen administrative mbi kërkesat e paraqitura nga ana e pronarëve për njohje pronësie të vihen në dijeni për këtë proces të nisur, nga muaji prill deri më sot janë njoftuar zyrtarisht 8630 përfaqësues pronarësh të cilët kanë dosje në shqyrtim, ende pa vendim. Aplikuesve, në njoftimin e bërë nga ATP-ja, i bëhet e ditur që ka nisur procesi i shqyrtimit të dosjeve dhe nëse kanë dokumentacion plotësues për vërtetimin e pronësisë janë të lutur ta paraqesin pranë zyrave të ATPsë”, njofton Agjencia e Trajtimit të Pronave. Për 510 dosjet e para ka nisur menjëherë procesi i verifikimit, konfirmimit dhe hetimit administrativ në përfundim të të cilit Agjencia do të dalë me vendimmarrjet e para mbi njohjen e pronësisë, kompensimin fizik në pronën e njohur dhe kompensimin përkatës referuar kërkesave të ligjit te ri. Ndërkohë, në 30 maj do të zbardhet për herë të parë, edhe fatura për kërkesat e para të viteve 1993-1994, e pas kësaj do të nisë menjëherë kompensimi.
Vendimet
Vlerësimi ekonomik i vendimeve për kompensim ka filluar me hyrjen e ligjit në fuqi dhe përfundon në një afat 3-vjeçar. Ndërsa vendimmarrja apo procesi i shqyrtimit të njohjes së pronësisë dhe i vendimmarrjes përkatëse për trajtimin e kërkesave të patrajtuara deri tani për njohje pronësie zgjatet edhe ky brenda një afati 3-vjeçar. Ndërkohë që, shpërndarja e fondit të kompensimit, i cili përbëhet nga fondi financiar dhe i tokës, realizohet në krye të 10 viteve të ardhshme, pra nga sot e 10 vitet në vijim fillon shpërndarja e fondit financiar dhe fizik për kompensimin e të gjitha vendimeve të deritanishme të dhëna për kompensim ndaj pronarëve.
Kompensimi
1. Prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit;
2. Prona e kthyer vlerësohet sipas zërit kadastral aktual të saj dhe sipas zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit, duke llogaritur diferencën e vlerës, që do të rezultojë nga ndryshimi i zërit kadastral;
3. Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së.
4. Në rastet kur evidentohen mbivendosje të pronave të pretenduara për njohje dhe kompensim, palët mund të zgjidhin rastin me mbivendosje me marrëveshje me njëri-tjetrin ose në rrugë gjyqësore. ATP-ja vijon procedurat për njohjen dhe kompensimin e pronës për pjesën që nuk ka mbivendosje.