Universitetet, nis (s) kualifikimi
Në gusht të vitit 2014, qeveria doli me një raport tronditës për cilësinë e arsimit të lartë, teksa pas verifikimit që u bë në të gjitha universitetet e vendit për kriteret e ligjshmërisë, vendosi mbylljen e 18 prej tyre. Alarmi që dhanë shkollat e larta, të cilat çdo vit pranonin me qindramijëra studentë, bëri që Ministria e Arsimit të kërkojë ndihmën e të huajve për të bërë të bërë vlerësimin dhe renditjen e tyre sipas cilësisë. Ndërkohë, rezultati i Agjencisë Britanike “Quality Assurance Agency” që do të vendosë në sitë universitetet tona, do të dalë në qershor të vitit të ardhshëm. Tashmë është përgatitur dhe dokumenti, sipas të cilit kjo Agjenci do të vendosë “notat” kaluese ose jo, e pas kësaj maturantët me shumë gjasë do të ndryshojnë mendim për fakultetet ku do të aplikojnë. Sipas manualit që “Shekulli” disponon, ekspertët britanikë do të punojnë për të vendosur pikët përkundrejt pesë fushave kryesore akademike dhe proceduriale, të nxjerra nga Standardet Shtetërore të Cilësisë, në fuqi që nga viti 2012. Në rend, pesë pikat kanë të bëjnë me organizimin dhe menaxhimin e universitetit; burimet; kurrikulat; Mësimdhënien, mësimnxënien, vlerësimin dhe kërkimin si dhe studentët. “Të njëjtat fusha vlerësimi do të zbatohen për të gjitha universitet që do t’i nënshtrohen vlerësimit institucional, pavarësisht nga madhësia, historiku apo statusi i tyre”, thuhet në dokument, ndërsa ekspertët do të përqendrohen sipas secilës fushë, mbi bazën e shqyrtimit të dokumentacionit.
Organizimi dhe menaxhimi
Kjo fushë vlerësimi ka të bëjë me mënyrën se si shkolla e larta është organizuar dhe se si menaxhohet për të përmbushur misionin, strategjinë dhe qëllimet; si ushtron dhe ruan autonominë; në ç’masë bashkëpunon me partnerët si dhe politikat e procedurat për sigurimin e cilësisë. Këtu merret parasysh konceptimi, rishikimi, rregullimi dhe përmirësimi i politikave të brendshme, rregulloreve dhe statutit të shkallave të larta. Gjithashtu, rëndësi ka të identifikohet nëse universiteti ka debat konstruktiv në nivele të ndryshme institucionale dhe shqyrtohet vlerësimi i brendshëm mbi shkallën e përmbushjes së misionit, qëllimit dhe planeve të zhvillimit.
Burimet
Kjo fushë ka lidhje me planifikimin dhe menaxhimin e burimeve njerëzore e fizike të Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL), në dispozicion të studentëve, që mundësojnë IAL-në të përmbushë misionin e saj. Këtu vlerësohet gjithashtu menaxhimi financiar dhe sistemet e menaxhimit të informacionit. Për menaxhimin e burimeve njerëzore, vlerësimi merr në konsideratë efektivitetin e menaxhimit të stafit akademik, mbështetës dhe administrativ. Ai shikon politikat mbi burimet njerëzore dhe zbatimin e tyre duke treguar kujdes në zbatimin e legjislacionit përkatës, trajnimin, zhvillimin dhe menaxhimin e performancës së tij. Qëllimi parësor në shqyrtimin e këtyre standardeve është të shohë nëse IAL ka politikat e duhura për burimet njerëzore dhe se si zbatohen në praktikë, në përputhje me misionin, strategjinë dhe qëllimet e saj.
Kurrikulat
Vlerësimi në këtë fushë përqendrohet veçanërisht në gjykimin se në çfarë shkalle kurrikulat dhe programet e studimit ofrohen në përputhje me objektivat institucionale, kombëtare e ndërkombëtare dhe se si ato promovojnë dhe nxisin mobilitetitn e studentëve në Evropë dhe përtej. Gjithashtu kontrollon nëse programet e ofruara janë në përputhje me misionin, strategjinë zhvillimore dhe kapacitetet burimore të saj. Kjo ka të bëjë me hartimin e programeve të ciklit të parë dhe të dytë dhe përmirësimin e tyre të vazhdueshëm.
Mësimdhënia, mësimnxënia, vlerësimi dhe kërkimi
Kjo fushë mbulon dhe rezultatet e të mësuarit, vlerësimin, përhapjen dhe transferimin e tyre. Ajo shqyrton gjithashtu edhe politikat e vlerësimit të studentëve, procedurat dhe praktikat përkatëse si dhe efektivitetin e komunikimit të stafit dhe studentëve për rregullat e përparimit gjatë zhvillimit të programit dhe diplomimit si dhe ato të procesit të apelimit të rezultateve nga studentët, nëse paraqitet rasti. Në pjesën e cilësisë së kërkimit dhe programeve kërkimore, Vlerësimi Institucional përqendrohet në mënyrat se si IAL-ja siguron cilësinë e programeve të saj të kërkimit. Këtu shihet se si IAL-ja inkurajon zhvillimin e kërkimit përmes organizimit të saj, në nivel departamenti dhe përmes identifikimit të prioriteteve institucionale të kërkimit. Rëndësi të veçantë këtu i jepet dimensionit ndërkombëtar, së bashku me publikimet mbi rezultatet e kërkimit dhe reflektimi i rezultateve që nxirren nga vlerësimi i kërkimit.
Standardi
Studentët duhet të mbështeten për punësimin
Ekspertët do të mbajnë shënime, sipas këtij për faktin se si studentët mbështeten dhe udhëzohen që nga regjistrimi dhe pranimi e deri në diplomim e punësim. Në këtë fushë vlerësohen procedurat dhe praktikat për pranimin, hyrjen, ndjekjen, këshillimin dhe udhëzimin e studentëve. Kjo ka të bëjë me zbatimin në mënyrë qëndrueshme të rregullave të publikuara që mbulojnë të gjitha fazat, dhe më tej në studime të avancuara apo drejt punësimit. Vlerësimi i kushton kujdes të veçantë mbështetjes së studentëve nga kategori të veçanta, grupet etnike apo minoritete, si për shembull, komuniteti egjiptian. Në këtë fushë vlerësohet edhe se sa studentët mbështeten për t’u angazhuar në veprimtari kulturore e sportive dhe si ata përfshihen në jetën institucionale në tërësi. Përveç sa më lart, vlerësimi shqyrton gatishmërinë dhe plotësinë e informacionit që u jepet studentëve dhe sa efektive janë rrugët e komunikimit të tyre studentëve nga IAL-ja.
Kushtet që duhet të plotësohen për studentët
Britanikët do të shënojnë në dosjet që do të plotësojnë për çdo universitet, nëse ata do të garantojnë për studentët shërbimet dhe programet përkatëse. Më poshtë është lista e kritereve të cilat do të vlerësohen sipas rastit, si shembuj të praktikës së mirë ose të jo të mirë.
Standardet për studentët
1. Institucioni harton projekte zhvillimi afatmesme, në përputhje me politikat e pranimit të studentëve.
2. Informon studentët e ardhshëm (maturantët) për programet e studimeve që ofron, nëpërmjet zyrës së këshillimit të karrierës.
3. Mirëpret dhe ndjek politika të posaçme për përthithjen dhe integrimin e studentëve të rinj;
4. Institucionet mbajnë lidhje me Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore.
5. Institucioni ngre struktura të veçanta për pritjen, informimin dhe pranimin e studentëve të rinj;
6. Ndjek një politikë të mirëpritjes së studentëve të huaj, të interesuar për të ndjekur programet e studimeve të ofruara;
7. Publikon oraret e pritjes së studentëve me qëllim plotësimin e nevojave të studentëve;
8. Raporti numerik personel akademik- student është i tillë që të sigurohet arsimimi cilësor dhe objektivat e institucionit. Për programe e studimeve që përfshijnë punë laboratorike, praktika mësimore dhe profesione të veçanta (arte, sport, etj.) ky raport është 1 me 8, ndërsa për programet e tjera të studimeve ky raport është 1 me 20. Për programet e studimeve që përfshijnë punë praktike-laboratorike (në fushat e studimit si. mjekësi, infermieri, inxhinieri, mësuesi, etj.) Institucioni i Arsimit të Lartë siguron 1 instruktor-laborant për 60 studentë (1 personel ndihmës për 3 pedagogë).
9. Programet e studimeve mundësojnë adaptimin progresiv të studentit me programin e studimit;
10. Institucioni vë në dispozicion të studentëve materiale ose broshura informuese;
Marrëveshja, 6 universitetet që vihen të parat në provë
Manuali jep në mënyrë të detajuar formën se si do të bëhen vlerësimet dhe shënimet përkatëse për to, numrin e ekspertëve që do të ushtrojnë kontrollet sipas IAL-ve, përvojën e tyre me trajnimet përkatëse si dhe evidencat për çdo shkollë. Mbi bazën e 5 kritereve bazike, universitetet do të japin llogari për afro 250 pika specifike të kushteve që ata plotësojnë për stafet akademike, mundësitë dhe lehtësitë që u japin studentëve që regjistrojnë, por edhe për standardet e godinave e raporteve pedagog-student. Ky raport, sipas dokumentit kërkohet 1 pedagog për 20 studentë.
35 universitete
Sipas marrëveshjes së firmosur me Ministrinë e Arsimit, akreditimi i institucioneve të arsimit të lartë nga Agjencia Britanike, do të nisë fillimisht me 6 universitete nga të cilat 4 janë publike dhe 2 private. Agjencia do të nisë fillimisht me universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin Bujqësor i Kamzës, Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Universitetin jopublik “Marlin Barleti” dhe Universitetin Evropian i Tiranës, e më pas do të vazhdohet me 29 të tjerët. Ne sajë të rankimit të universiteteve, studentët do të mund të zgjedhin universitetin më të mirë, por nga ana tjetër, ato me performancën më të lartë do të kenë investime nga buxheti i shtetit, sipas ligjit të ri për Arsimin e Lartë.
Ankesat
Pas vlerësimit dhe renditjes që do të bëhet, sipas të gjitha kërkesave, çdo IAL ka të drejtë të paraqesë ankesa, nëse beson se nuk i është dhënë mundësia që të japë mendim apo komente gjatë procesit të vlerësimit. Institucioni duhet të paraqesë fakte dhe prova në mbështetje të ankesave. Në varësi të natyrës së ankesës dhe nëse janë të mirëmbështetura me prova të qarta dhe fakte të justifikuara, Agjencia e Akreditimit dhe Këshilli i Akreditimit mund t’i marra ato në konsideratë