Vendimi i bashkisë, hiqen dy taksa për 7 kategori qytetarësh
Pas protestave dhe pakënaqësive të biznesit dhe qytetarëve për ndryshimet dhe rritjen e taksave vendore, bashkia e Tiranës ka bërë një sërë ndërhyrjesh, të cilat kanë të bëjnë me lehtësira dhe përjashtime. Kështu, taksa e përkohshme e infrastrukturës (e destinuar për t’u paguar nga qytetarët dhe biznesi për 7 vite) si dhe tarifa e pastrimit, nuk do të jenë më detyrim pagimi për 7 kategori. Në total, të dyja këto kapin vlerën vjetore prej 6800 lekësh për familjet që jetojnë në një nga 11 njësitë e kryeqytetit. Bashkia ka vendosur që të përjashtojë prej tyre, pensionistët, veteranët, invalidët e punës e luftës, përfituesit e ndihmës ekonomike, të verbrit, si dhe të sëmurët para dhe tetraplegjikë.
Por, këto pagesa, të cilat me rregullat e vendosura që në muajin shkurt të këtij viti paguhen çdo muaj brenda faturës së ujit, nuk do të fshihen automatikisht. Për të eliminuar taksën e arsimit dhe tarifën e pastrimit, ata duhet të dorëzojnë në zyrat e Njësive Administrative të Bashkisë, dëshmitë për gjendjen e tyre. Përpos dëshmisë, ata duhet të dorëzojnë edhe dokumentin që vërteton kushtin e të qenit kryefamiljarë dhe pa persona të tjerë madhorë, përveç bashkëshortit ose bashkëshortes në certifikatën familjare. Gjithashtu, institucioni u kërkon atyre në mënyrë të veçantë sipas kategorisë, librezën e veteranit; statusin e invalidit të punës e të luftës; statusin e të verbrit, të sëmurit tetraplegjik a paraplegjik; librezën e pensionit dhe vërtetimin nga Njësia Administrative për përfituesit e ndihmës ekonomike.
Ndërkohë në pikat lehtësuese dhe përjashtuese që ka miratuar bashkia dje, është edhe një nga ato që ka kritikuar Dhoma Amerikane e Tregtisë pak javë më parë, për të cilat vetë zv/kryetari, Arbjan Mazniku lajmëroi ndryshimin. Bëhet fjalë pikërisht për bizneset e reja, të cila deri më dje u ishte lënë afat 30-ditor për pagesat e detyrimeve, e që tashmë ky afat bëhet 3 muaj. Në nenin që i referohet taksës së tabelës, bashkia ka shtuar paragrafin “përjashtimisht për bizneset e krijuara të reja, afati i pagesës së detyrimit është brenda 3 muajve nga data e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. I njëjti ndryshim afatesh është vendosur për bizneset në Tiranë, edhe për tarifën e pastrimit.
Taksa e fjetjes në hotel
Propozimi i dytë brenda vitit për këtë taksë ndryshon që në paragrafin e parë të vendimit, teksa është vendosur që baza e taksës së fjetjes në hotel, të jetë numri i netëve të qëndrimit. Ndërkohë, këshilli bashkiak ka vendosur që kjo taksë deri në vendosjen e një sistemi kualifikues për hotelet, të jetë 350 lekë në natë për tri hotelet më të mëdhenj të jetë 350 lekë dhe për hotelet e tjerë (bujtina, fjetina, motele) të jetë 140 lekë në natë.
Taksa e ndikimit të infrastrukturës
Pasi e dyfishoi këtë taksë, bashkia ka parë të udhës ta rishikojë edhe njëherë atë sipas llojit të ndërtimeve dhe funksioneve përkatëse. Kështu, për ndërtimet me qëllim banimi, të cilat nuk destinohen për përdorim publik dhe as në sektorin e turizmit e industrisë, kjo taksë do të jetë në masën 8 për qind të çmimit të shitjes për metër katror të sipërfaqes së shfrytëzueshme. Ndërsa, për ndërtime të ndryshme të reja niveli i taksës do të llogaritet në masën 4 për qind të vlerës së investimit. Kjo e fundit, do të llogaritet sipas kostos mesatare të ndërtimit të banesave të miratuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Për ndërtimet e tjera (për funksione publike me investime dhe grante), niveli i taksës së ndikimit në infrastrukturë do të jetë 2 për qind e vlerës së investimit. Edhe në këtë rast, vlera e investimit do të llogaritet sipas kostos mesatare të caktuar nga EKB-ja, ndërkohë që përllogaritjen dhe vjeljen e kësaj takse do ta marrë përsipër Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore.
Taksa e ndërtesës
Taksa e ndërtesave të banimit në 11 njësitë e Tiranës, Dajtit, Farkës dhe Kasharit ka një nivel. 15 lekë/m² për ndërtimet para vitit 1993 dhe 30 lekë/m² për ndërtimet pas `93. Ndërsa për njësitë e tjera, taksa e ndërtesës është caktuar 50 për qind më pak; 7.5 lekë për ndërtesat vjetra dhe 15 lekë për ndërtesat pas `93.
Taksa e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore, e cila faktikisht zëvendëson tarifën e gjelbërimit, është 1800 lekë në vit për çdo familje, ndërsa për subjektet tregtare është caktuar në varësi të biznesit, pasi për biznesin e vogël, kjo taksë do variojë nga 4 mijë deri në 9 mijë lekë, ndërkohë që biznesi VIP do ketë taksën më të ‘kripur’ 22.000-37.000 lekë në vit. Kjo taksë sipas bashkisë do të aplikohet për një periudhë 7-vjeçare për të mundësuar ndërtimin e godinave arsimore, për të cilat Tirana ka mangësi të theksuar.
Tarifa e pastrimit për kategorinë familjare arkëtohet nga Ujësjellës Kanalizime sh.a, i cili aktualisht ka evidentuar një numër rreth 180.000 familje, efektivisht të mundshme për t’u kontraktuar dhe arkëtuar tarifën e pastrimit, me nivele të diferencuara për qytetin dhe njësitë administrative. Tarifa e pastrimit e diferencuar për familjarët e 11 njësive bashkiake të Tiranës është 5 mijë lekë; për familjarët e njësisë Dajt, Farkë, Kashar është 2 mijë lekë, për njësitë Bërzhitë, Baldushk, Petrelë, Vaqarr, Pezë, Ndroq, Krrabë, Shën Gjergj, Zall-Herr, Zall-Bastar do jetë 1 mijë lekë në vit. Ndërsa për bizneset ajo varion në bazë të xhiros vjetore dhe të llojit të biznesit.
“Për djemtë dhe vajzat që krijojnë një kompani të re, taksat në Bashkinë e Tiranës të jenë zero në muajt e parë”
6800 lekë llogaritet shuma vjetore që kanë për të paguar familjet në kryeqytet për taksën e arsimit dhe tarifën e pastrimit, të cilat vilen në një faturë të vetme çdo muaj
Ndryshojnë linjat dhe stacionet
Bashkia e Tiranës do të ristrukturojë edhe një pjesë të linjave të transportit publik në Tiranë. Pasi ka bërë një analizë të thellë, me ndryshimet demografike dhe territoriale që ka pësuar kryeqyteti dekadën e fundit, këshilli bashkiak ka vendosur të shtojë disa linja të reja dhe të rregullojë stacionet për linjat që kanë më tepër fluks pasagjerësh. Në studimin që bashkia ka bërë, rezulton se përdorimi i transportit publik është 36 për qind. Janë shtuar stacione të reja, gjithashtu ndryshojnë edhe stacionet për disa nga linjat që përdoren më shumë nga qytetarët, siç janë “Unaza”, “Tirana e re” dhe “Kombinat-Kinostudio”. Në vendim thuhet se shtohet linja “Selitë-Kristal-Qendër-Stacioni i Trenit- Allias”. Linja tjetër do jetë “Sauk-Kopshti Zoologjik- Ish-Stacioni i Trenit” ndërsa ajo e “Kasharit” do operojë në zonë unazore, rreth zonës së Kasharit.
Banesat sociale, përcaktohen qiratë
Miratohen shumat mujore që duhet të paguajnë familjet që jetojnë në 385 apartamente në Shkozë
Këshilli bashkiak, në listën e gjatë të projektvendimeve, ka zbardhur edhe atë për përcaktimin e vlerës minimale dhe maksimale të qerasë për përfituesit e banesave sociale në zonën e Shkozës. Bëhet fjalë për 385 banesa në këtë zonë, nga garsoniere deri apartamente 3+1. Të ndara sipas madhësisë dhe llojit të banimit, 105 janë garsoniere, 45 apartamente 1+1, 170 janë apartamente 2+1 dhe 65 apartamente janë 3+1. Skema e strehimit social është ndërtuar e tillë që në këto banesa të strehohen familje që kanë një nivel të caktuar të ardhurash dhe janë në gjendje të ndryshojnë statusin e tyre ekonomik.
Qiratë me të cilat jepen këto banesa sociale përcaktohen në bazë të ligjit për programet sociale të strehimit dhe akteve nënligjore përkatëse. Sipas kësaj pakete ligjore, qiraja përcaktohet vetëm një herë me vendimin e Këshillit të bashkiak dhe çdo vit duhet të indeksohet me indeksin e çmimeve të konsumit. Sipas vendimit, për familjet e nivelit të parë që kanë të ardhura të gjeneruara nga punësimi qiratë do të variojnë nga 3920 lekë në muaj, që është qiraja minimale për garsoniere në 18 mijë lekë në muaj që është qiraja maksimale për apartamente 3+1. Për familjet e nivelit të dytë që të ardhurat i kanë nga ndihma ekonomike ose pagesa e aftësisë së kufizuar qiratë janë më të ulëta dhe variojnë nga 1960 lekë në muaj për garsoniere deri në 4600 lekë në muaj për apartamente 3+1.