Meta në Berlini/ Lutem që Shqipëria të gjejë rrugën e paqes dhe t'i hapen negociatat
Presidenti i Republikës Ilir Meta nga Berlini, ku mori pjesë në takimin e 24-të Ndërkombëtar mbajti edhe një fjalë në 'Mëngjesin e Lutjeve' të moderuar nga anëtarët e parlamentit gjerman (Bundestag-ut) Albert Weiler dhe Bernd Rützel, me pjesëmarrjen e zotit Joachim Herrman, Ministrit të Brendshëm të Landit të Bavarisë dhe shumë politikanëve, deputetëve dhe përfaqësuesve të fushave të ndryshme. Ai tha se shqiptarët presin hapjen e negociatave këtë muaj, ndërsa ftoi të pranishmit që të bashkohen me lutjet, që Shqipëria të gjejë rrugën për një paqe, stabilitet, begati dhe të ardhme të pakthyeshme evropiane të merituar.
“Bashkatdhetarët dhe bashkëatdhetaret e mia presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen sa më shpejt, shpresoj këtë muaj, ashtu siç dua t’ju siguroj se ata mbeten po aq kërkues edhe ndaj qeverisë së tyre që ajo të përmbushë detyrimet e të kryejë punët që i takojnë”, - theksoi Presidenti Meta në fjalën e tij. ‘Demokracia qëndron në zemër të NATO-s’, – tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, teksa partitë pro Bashkimit Europian shënuan sërish një fitore të madhe në zgjedhjet europiane para disa ditësh.
Ne, në Ballkanin Perëndimor e shikojmë NATO-n dhe Bashkimit Europian si garancitë më të mira për rendin paqësor, të qëndrueshëm dhe të begatë, në brendësinë e tyre si dhe në rajonin tonë. Vendet e rajonit të Ballkanit janë të ankoruara në mënyrë të vendosur në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Mbështetja e fortë popullore për këto procese nuk buron nga iluzioni i ndryshimeve të kufijve, por nga kërkimi për standarde më të arrira mirëqeverisjeje, sundimin e ligjit, rritjen ekonomike dhe kohezionin social. Duhet të ndaj me ju faktin se bashkatdhetarët dhe bashkëatdhetaret e mia presin që negociatat e pranimit me Bashkimin Europian të hapen sa më shpejt, shpresoj këtë muaj, ashtu siç dua t’ju siguroj se ata mbeten po aq kërkues edhe ndaj qeverisë së tyre që ajo të përmbushë detyrimet e të kryejë punët që i takojnë.
Kohët e fundit, bashkësitë e krishtera dhe myslimane nëpërmjet Këshillit të tyre Ndër-fetar bënë apel për urtësi e bashkim kombëtar si dhe për një dialog të mirëfilltë, për t’u dhënë fund politikave ndarëse që turbullojnë vendin. Me përulje ju ftoj të bashkoheni me lutjet tona, që vendi im të gjejë rrugën për një paqe, stabilitet, begati dhe të ardhme të pakthyeshme evropiane të merituar. Lutem gjithashtu që Bashkimi Europian dhe NATO-ja, që mundësuan dhe siguruan paqen, stabilitetin dhe lirinë për këtë kontinent, do të vazhdojnë të kenë sukses dhe të përparojnë, si paqeruajtës të fortë për brezat e ardhshëm" tha Meta. Shqipëria prej disa muajsh po kalon një krizë politike, pasi opozita dogji mandatet duke dalë në protesta, ndërsa ka bojkotuar edhe zgjedhjet.
LEXO TE NGJASHME