Shkodër, protestë para jetimores
Shoqëria civile së bashku me jetimë ish-rezidentë të shtëpisë së fëmijës shkollor në Shkodër kanë protestuar pasditen e së shtunës në një marshim paqësor, ku kanë kërkuar ndërgjegjësim dhe ndjeshmëri të komunitetit për situatën e krijuar në këtë institucion si dhe mbylljen e tij. Protesta ka nisur para bashkisë dhe ka vazhduar deri para institucionit ku dhe u zbulua skandali i bërë publik. Pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e pakët dhe drejtues të shoqërisë civile kanë deklaruar se indiferentizmi i tyre është i pakuptimtë pasi në këtë protestë duhej të ishin shumë më tepër pjesëmarrës. Përfaqësues të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për rritje të vëmedjes ndaj jetimëve. Sipas tyre, duhet të ndryshojë kjo situatë e ndjeshmërisë së ulët lidhur me këto fenomene të shëmtuara që ndodhin në shoqërinë tonë dhe në institucionet rezidenciale.
Kjo situatë ndodh prej vitesh, ka shumë kohë që është prezent në këto institucione dhe do të vazhdojë të jetë e tillë përderisa mendimi qytetar nuk merret parasysh dhe sensibiliteti për të reaguar fuqishëm është jo në nivelin e duhur. Ish-rezidentë të këtij institucioni kanë kërkuar pushimin nga puna të drejtorit dhe personelit si dhe mbylljen e qendrës rezidenciale.”Për 25 vjet nuk është bërë asgjë dhe dhuna këtu ka qenë prezent në forma të ndryshme. Shtëpia është kthyer në burg dhe pse ne kemi të drejtë të vijmë e të kërkojmë informacion e të shohim konkretisht si trajtohen ato që jetojnë aty”, thotë Albert Rekaj ,nënkryetar i shoqatës së jetimëve në Shkodër. Ndërsa Spartak Sofia ish jetim i rritur në këtë institucion është shprehur se këtu ka hajdutë e abuzues dhe shteti me strukturat e tij duhet të ndërhyjnë fuqishëm. Gjatë protestës para institucionit, protestuesit janë konfliktuar me rojen e tij i cili ka tentuar t’i godasë. Protesta është shpërndarë paqësisht ndërsa priten të ketë dhe reagime të tjera lidhur me këtë situatë.