Vendimi i PD: Nuk bëhemi pjesë e zgjedhjeve me Ramën kryeministër
Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar 3 propozimet e kreut Lulzim Basha në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhje.
Vendimi është marrë me një ndryshim në fjalinë e fundit, qe lidhet me qeverinë tranzitore.
Kryesia e PD vendosi t’i propozojë Këshillit Kombëtar:
1.Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.
2.Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
3.Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
LEXO TE NGJASHME