Administrativja 'rrezon Veliajn'. Kryebashkiaku: Ndertimi te diga s'do te ndodhe, s'e luan topi!
Bashkia e Tiranës, tjetër padi. “Të pezullohet gjyqi përderisa nuk ka ende një vendim nga Gjykata e Lartë
Gjykata Administrative e Apelit rrëzon kërkesën e Bashkisë së Tiranës për ndryshimin e trupës gjykuese për pallatin 17-katësh, poshtë digës së Liqenit Artificial. Madje, mësohet se gjykata ka refuzuar edhe kërkesën e Avokaturës për ndryshim të gjyqtarëve.
Bashkia e Tiranës kërkonte përjashtimin e tre gjyqtarëve, që do të shqyrtojnë çështjen e pallatit 17-katësh te diga e liqenit, me argumentin se pjesë e tij janë të afërm të pronarëve të formës së ndërtimit, shoqërisë Gener2, për të cilët thonë se është konflikt i pastër interesi. Ndërsa, pas kësaj erdhi kërkesa e dytë në gjykatë. Këtë herë nga pala e akuzuar, firma që po ndërton objektin, që kërkonte shfuqizimin e vendimit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik që pezulloi ndërtimin, kërkesë për të cilën Gjykata Administrative e Apelit nuk është shprehur ende. Ka mjaftuar zbardhja e vendimit të Gjykatës Administrative, e cila rrëzon kërkesën e Bashkisë së Tiranës, që kreu i kësaj të fundit të deklaronte publikisht se shprehte keqardhje për vendimin. Ai shtoi se “një gjë është e sigurt dhe nuk e luan as topi: Ndërtimi te diga nuk do të ndodhë”, duke i shpallur kështu sfidë Gjykatës së Apelit Administrativ. “Dua të sqaroj disa gjëra: Së pari, Bashkia e Tiranës sapo ka depozituar një padi, e cila kërkon që për sa kohë që nuk ka një vendim të Gjykatës së Lartë, e cila ka marrë në shqyrtim opinionin e Komitetit të Digave për të mos ndërtuar, atëherë ky gjyq do të pezullohet. Fillimisht duhet të dëgjojmë nga Gjykata e Lartë, që jep vlerësim mbi refuzimin e kësaj leje nga Komiteti i Digave dhe vetëm pasi të kemi këtë vendim nga Gjykata e lartë, atëherë mund të gjykohet në themel kjo çështje. Ndaj, sapo e kemi depozituar këtë padi, me ligjet e këtij shteti, Gjykata Administrative duhet fillimisht të shqyrtojë padinë që sapo kemi depozituar, të japë opinion, pra ose të vazhdojë diskreditimin, ose të vendosë që nuk ia vlen të fyesh një popull të tërë i cili e ka marrë një vendim, e ka një dëshirë e ka votuar për këtë projekt, i cili po e sheh përditë paligjshmërinë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Ai theksoi se Bashkia e Tiranës ishte përgatitur të provonte lidhjen farefisnore, që siç thotë ligji deri në brezin e tretë përbën konflikt interesi. “Ne e kishim këtë të provuar, u refuzua që ne të paraqiteshim si palë dhe vendimi u mor në një dhomë të mbyllur me 3 veta. Por, të paktën njëri pati kurajën që të votonte kundër këtij vendimi të pabesë për qytetin e Tiranës. Për sa kohë që gjykata vendos fshehurazi, unë kam gjithë të drejtën time që pa i deklaruar strategjitë tona në publik, të kem filluar punën paralele për bllokimin e atij ndërtimi. Një gjë është e sigurt, aty nuk do të ketë ndërtime, por terrene sportive dhe parqe për qytetarët. Kësaj çështjeje do t’i shkoj deri në fund, qoftë edhe për të diskretituar këtë sistem të kalbur që kemi në drejtësi”, shtoi Veliaj. Ai u garantoi qytetarëve të Tiranës se jo vetëm që nuk do të ketë ndërtime te diga, por do të merren të gjitha masat që te diga të mos ketë edhe teksa ne vazhdojmë këtë proces gjyqësor. Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ka disa alternativa që ata po i shqyrtojmë dhe kanë filluar t’i vënë në operacion. “Dua t’i garantoj gjithashtu që asnjë punë nuk do t’i ngelet mangët Tiranës. Ritmi i punëve do të vazhdojë çdo ditë pa u ndalur. Garancia që u jap qytetarëve është se nuk do të ketë ndërtime te diga dhe projektet e Tiranës do të vazhdojnë pa u ndërprerë. Përkundrazi jam sot më i frymëzuar edhe të ekspozoj shkeljet e gjyqësorit, por edhe t’i rri punëve në kokë në Tiranë që Tirana të shohë ditë më të mira. Punë, punë, punë, kjo është përgjigja jonë për të gjithë ata që shkelin në besë Bashkinë e Tiranës dhe misionin tonë për të ndërtuar Tiranën”, tha kryebashkiaku i Tiranës. Ai nënvizoi se të gjithë ata që marrin vendime kundër Tiranës, nga sot e tutje u humbet e drejta t’i kërkojnë shërbime Bashkisë së Tiranës, pasi sipas tij parimi është shumë i thjeshtë: “I bën dëm qytetit, mos prit që qyteti të të shërbejë”! “Vath në vesh për ata që marrin vendime tradhtare kundër interesit publik të Tiranës. Nëse nuk i shërbeni qytetit, qyteti dhe bashkia nuk ka kanë asnjë detyrim t’ju shërbejë juve. Kush nuk respekton ligjin, kush nuk respekton qytetin, nuk do të ketë ndihmë nga Bashkia e Tiranës. Dua të sqaroj këtu edhe mediat e PD-së: ‘Nuk kam thënë se Tirana nuk i do njerëzit e bashkisë tjetër; jo, ajo që kam thënë është se Tirana nuk i duron dot vandalizmat dhe dikush, jo nga një bashki tjetër, por nga qielli të bjerë, e që shkatërron Tiranën, Tirana nuk i honeps dot sjelljet vandaliste. Këtu nuk ka të bëjë me racizëm, këtu ka të bëjë me këdo që pështyn Tiranën, që thyen në Tiranë, që shkatërron në Tiranë, që pshurr në Tiranë, që ndot në Tiranë, që fyen e që sillet harbutshëm me pronën publike”, deklaroi Veliaj. I zhgënjyer, siç shprehet ai vetë, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se sot do të shohim sesi kushërinjtë do të gjykojnë kushërinjtë e tyre për një fitim 220 milionë euro. “Besoj se ishte e nevojshme të ndodhte kjo për të ilustruar pse reforma në drejtësi është kaq jetike për vendin. Në momentin që kushërinjtë do të gjykojnë kushërinjtë dhe luhen 220 milionë euro, unë e di si do të dalë rezultati nesër; e dija edhe para një jave, por e bëra gjithë këtë organizim për të demaskuar mënyrën se si funksionojnë gjyqet në Shqipëri. Nëse deri dje ishin 98% e qytetarëve të Shqipërisë pro reformës në drejtësi, besoj se sot edhe ai 2% që kishte mbetur është 100% pro reformës”, argumentoi kryetari i Bashkisë së Tiranës. Mes të tjerash ai falënderoi një nga gjyqtarët që sipas tij, i rezistoi tundimit, pati kurajën të qëndronte për atë që është e drejtë dhe zgjodhi popullin dhe jo korrupsionin që vjen nga firmat e ndërtimit. Ndërkohë, në një tjetër njoftim të Bashkisë së Tiranës, kjo e fundit flet edhe për secilin prej gjyqtarëve, pjesë e trupës që do të shqyrtojë sot çështjen e pallateve 17-katëshe të diga e liqenit artificial, përfshirë edhe gjyqtaren e dorëhequr disa ditë më parë, për të cilët zbardh fakte, që sipas saj flasin për konflikt të pastër interesi.