Basha: Largimi i Tahirit dhe drejtuesve te policise, parakusht per hetimin
Cdo investim i heshtur ose aktiv i Kryeministrit, e implikon dhe Ramën
Partia Demokratike kërkon largimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, si një parakusht që hetimi për pajisjen e përgjimit të bëhet i pandikuar dhe paanshëm. Kërkesa është artikuluar nga vetë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili veç Tahirit, kërkoi dhe largimin e drejtuesve të lartë Policisë së Shtetit. “Zbatimi i ligjit në rastin konkret do të thotë që prokuroria të marrë në dorë e të hetojë pa ndikim, në mënyrë të plotë dhe të paanshme skandalin. Qëndrimi im, qëndrimi i Partisë Demokratike është se kjo nuk mund të ndodhë sa kohë që ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e lartë të policisë pengojnë hetimin e prokurorisë. Largimi i Saimir Tahirit dhe i drejtuesve të policisë është parakusht, parakusht për një hetim të plotë, të paanshëm dhe të pandikuar. Kjo nuk është kërkesë me sfond politik. Sigurisht që duam dhe kemi kërkuar largimin e Tahirit për Balilin, për Shullazin, për dhjetëra skandale të tjera. Në këtë rast dua që ta kuptojnë mirë të gjithë shqiptarët, nuk ka për t’u zbardhur ky skandal, prokuroria nuk do ta zbardhë dot, sa kohë që personat drejtpërdrejt të implikuar, Saimir Tahiri dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre.
Nëse duam një hetim të pavarur, të paanshëm, të pandikuar, largimi i Saimir Tahirit dhe i drejtuesve të policisë është parakusht. Çdo investim i heshtur apo aktiv i Kryeministrit për të mos larguar ministrin e Brendshëm dhe drejtues të policisë implikon Edi Ramën në këtë skandal”, deklaroi kryedemokrati Basha pas mbledhjes së grupit të PD-së. Lideri demokrat theksoi se “ne kemi një pozicion të qartë për këtë çështje dhe pozicioni që kemi shpalosur përpara publikut është që ne kërkojmë transparencë. Transparenca është një detyrim kushtetues i ministrit të Brendshëm, i policisë, i organeve të tjera që janë thirrur sot në seancën dëgjimore të komisionit, i Kryeministrit si personi me përgjegjësi politike për këtë çështje”. “Ne jemi investuar për transparencë, ata janë investuar për mjegull. Shikoni vetëm deklaratat e ministrit të Brendshëm gjatë 48 orëve të fundit. Mohoi pajisjen, pohoi pajisjen, me trajnime ose jo, e ka, s’e ka policia, s’mund ta ketë policia. Vetëm në emisionin televiziv të para dy netëve e ka kundërshtuar veten e vetë plot 10 herë duke rënë ndesh me ligjet e Kushtetutën. E gjitha kjo bëhet për të investuar në mjegull dhe jo në transparencë. Ne kërkojmë transparencë e para. Dhe e dyta, ne kërkojmë zbatimin e ligjit. Këta kërkojnë t’i ikin me propagandë zbatimit të ligjit. Një gjë është e sigurt, ashtu sikur ka qenë e sigurt edhe para 40 vitesh, kur teknologjia ishte shumë më e prapambetur, dhe një Presidenti amerikan i kushtoi detyrën, skandali do të zbardhet deri në fund dhe personat do të mbajnë përgjegjësi për shkeljen e ligjit”, theksoi Basha. Opozita akuzon ministrin e Brendshëm për pajisjen e përgjimit, që sipas tyre, është futur në mënyrë ilegale. Fillimisht kanë qenë zyrtarët e PD-së, si Ristani, Alibeaj që kanë kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm, por tashmë për të ashtuquajturin skandal, që pretendon PD-ja, kërkesa erdhi nga vetë kryedemokrati Basha.