Clinton i përqendron kritikat te Trumpi
Kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton, po e përqendron mesazhin në dallimet mes saj dhe kandiadatit republikan Donald Trump.
Megjithëse as Clinton, as Trump nuk e kanë siguruar emërimin e partive përkatëse si kandidatë të tyre në zgjedhjet e nëntorit, shanset për secilin janë thuajse të garantuara që të jenë dy rivalët që ballafaqohen në zgjedhjet presidenciale.
Dje Clinton u tha përkrahësve të saj në Kaliforni se Trump është kundër rritjes së pagës minimale dhe se nuk do t’ia dijë për gratë apo imigrantët.
Komentet e kandidatit republikan për të deportuar në masë imigrantët e paligjshëm shkaktuan protesta të reja dje në shtetin Oregon.
Nga ana e tij, Trump është hedhur në akuza kundër Clinton-it duke thënë se ajo përpiqet të fitojë pikë duke theksuar se është grua, përndryshe askush nuk do të votonte për të. Sipas anketave, Donald Trump nuk gëzon mbështetjen që i duhet mes grave.
Ndërkohë në kampin demokrat, kandidati Bernie Sanders nuk ka hequr dorë nga beteja duke u zotuar para përkrahësve se rivalja e tij Clinton, nuk do të arrijë të marrë numrin e duhur të delegatëve para fillimit të kuvendit të partisë në korrik.