Dekretimi i Lleshit, Meta Ramës: Amatorët të lexojnë Kushtetutën
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar sot ndaj sulmit të kryeministrit Edi Rama në Kuvend, sipas të cilit, Presidenti nuk kishte asnjë të drejtë me Kushtetutë dhe nuk kishte dhënë asnjë argument ligjor bindës për të mos e dekretuar Sandër Lleshin, Ministër të Brendshëm.
Presidenti Meta, i pyetur nga mediat pasi doli nga forumi "Tirana Connectivity" nëse do ta dekretojë Sandër Lleshin si Ministër të Brendshëm, pasi Rama paralajmëroi se do t'ia dërgonte sërish atë emër, tha: " Forumi “Tirana Connectivity” i mbajtur sot ishte i mrekullueshëm dhe besoj se interkonektiviteti duhet të rrezatojë kudo."
Pyetje: Z. Meta, a keni një arsye ligjore për mosdekretimin e z. Lleshi si ministër? Jo bindje, arsye ligjore...
Meta: Përsa i takon anës ligjore padashur të jap leksione për Kushtetutën, por të gjithë amatorët, diletantët apo atyre që janë të njëanshëm, do t’i ftoja edhe një herë të lexojnë Kushtetutën, kompetencat e Presidentit dhe se akt formal apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti. Dhe të gjithë atyre, që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal dhe se Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite që Presidenti mund të kthejë mbrapsht një propozim, kam një pyetje tjetër: A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër? Sepse edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kështu që, më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë, si gjithmonë.
Pyetje: A do t’i drejtoheni parlamentit për të shpjeguar arsyen e plotë të mosdekretimit të ministrit?
Meta: Unë jam mjaft i lidhur me Parlamentin dhe jam i zgjedhur nga parlamenti, kështu që parlamenti për mua është gjithçka.
Më 9 nëntor 2018, ditën kur socialistët votuan në Kuvend, shkarkimin e Fatmir Xhafajt, Rama doli në foltore posaçerisht për mosdekrimin e ministrit të ri Sandër Lleshi nga Presidenti Ilir Meta dhe tha:
"Kushtetuta i ka të përcaktuara një për një, e zeza mbi të bardhë, të 12 kompetencat e Presidentit të Republikës. Ndër to nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit të Kryeministrit, për sa kohë ky gëzon besimin e shumicës në Parlament dhe po njësoj, të ministrave që gëzojnë besimin e Kryeministrit. Është pak, por e sigurt që, nëse do të ekzistonte një kompetencë e tillë, qoftë dhe e fshehur nëpër rreshtat e atyre 12 kompetencave të shkruara qartësisht, nuk ka diskutim që paraardhësi i Ilir Metës nuk do e kishte lënë pa e zbuluar, edhe pse haptazi partiak, botërisht i njohur si artiljer i zellshëm i Partisë Demokratike, pasi e bombardoi me gjithë furinë e grykës së gojës, ministrin e propozuar prej meje, Presidenti i gjashtë i Republikës e firmosi dekretin për atë ministër, me duart e lidhura nga Kushtetuta e Shqipërisë.
Sepse Kushtetuta, ua ka thënë copë, në një nen të veçantë, të tërë presidentëve që janë betuar për të, se nuk mund të ushtrojnë asnjë kompetencë tjetër, përveç atyre që u njihen shprehimisht prej saj dhe u jepen me ligje të tjera, të nxjerra në pajtim me të. E pikërisht pse Kushtetuta nuk i njeh Presidentit të Republikës, as shprehimisht, as me nënkuptim, e lëre pastaj t’i ketë dhënë me ndonjë ligj të nxjerrë në pajtim me të, kompetencën për të refuzuar propozimet e Kryeministrit për anëtarët e kabinetit qeveritar, Presidenti Ilir Meta ka formuluar një letër refuzimi, pa asnjë referencë kushtetuese apo ligjore...
...Keqkuptimi i madh i Presidentit të Republikës është në faktin se unë nuk i kam propozuar atij një kandidat për ministër. Jo, unë Presidentit të Republikës i kam çuar dekretin për një ministër, jo për një kandidat. Ministër, të cilin, sipas Kushtetutës sonë, Presidenti nuk ka kompetencë ta refuzojë, por ka detyrën ta miratojë.
Presidenti i Republikës sonë parlamentare, përveç 12 kompetencave që Kushtetuta ia njeh shprehimisht dhe ligjet e nxjerra në pajtim me të, ia përkufizojnë qartësisht, ka edhe detyra siç kanë të gjithë subjektet e Kushtetutës. Ndër këto detyra është edhe detyra për të dekretuar qeverinë, si dhe çdo anëtar të saj, sipas kërkesës së Kryeministrit, madje brenda 7 ditësh me një dispozitë taksative. Nuk lë asnjë vend për interpretim."
LEXO TE NGJASHME