Dekorohet balerini Eno Peçi, Meta: Jemi krenarë që kemi artistë të tillë të klasit botëror
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në nisje të vizitës së tij zyrtare në Austri, vlerësoi balerinin dhe koreografin e famshëm shqiptar, Eno Peçi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin: "Në vlerësim të kontributit të dhënë si ambasador i kulturës shqiptare në skenat austriake dhe ato botërore”.
Në fillim të ceremonisë, u shfaq për të pranishmit një film dokumentar për Eno Peçin, i realizuar nga producenti Gjergj Mazi.
Gjatë dekorimit, presidenti Meta mbajti një fjalë përshëndetëse, ku u shpreh se ndjehej krenar dhe i lumtur që Peçi ishte admiruar dhe duartrokitur në shumë skena prestigjioze botërore.
Mund të them se ai u rrit artistikisht këtu në Austri, duke ndjekur traditën më të mirë të poetëve, gjuhëtarëve dhe artistëve të shquar shqiptarë para Luftës së Dytë Botërore dhe më tej pas ndryshimeve demokratike në fillim të viteve ‘90. Dëshiroj gjithashtu ta shfrytëzoj këtë mundësi të mrekullueshme për t’i shprehur zyrtarisht z.Peçi vlerësimin tim për arritjet në karrierë, duke u ngjitur deri në majat e kërcimit klasik. Unë jam i sigurt se zoti Peçi do të vazhdojë të mahnisë dhe të na befasojë me performancën e tij të shkëlqyer si balerin edhe në të ardhmen. Dhe ne shqiptarët do të jemi shumë krenarë që kemi një artist të tillë të klasit botëror.
Ilir Meta, president
Në ceremoninë e dekorimit, që u zhvillua në Vjenë, ishin të pranishëm Ambasadori i Shqipërisë në Austri, z. Roland Bimo, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Austrisë e personalitete të artit.
LEXO TE NGJASHME