SHBA - Clinton dhe Trump shënojnë fitore të mëdha në New York
Rrjetet televizive amerikane parashikuan se republikani Donal Trump dhe demokratja Hillary Clinton kanë fituar në zgjedhjet e kandidatëve në New York, duke lëvizur para drejt garës kundër njëri tjetrit për postin e presidentit të SHBA-ve, në zgjedhjet e nëntorit.Të dy kandidatët fituan në shtetet e tyre lehtësisht më 19 prill dhe që të dy kishin nevojë për këto fitore, në mënyrë që t’i afroheshin më shumë numrit të votave të delegatëve, që u nevojiten për ta fituar nominimin e partive të tyre respektive në konventat që mbahen në verë.
Fitorja e fuqishme dy-shifrore e Clintonit në shtetin që dikur ajo e përfaqësonte në Senatin Amerikan këputi fillin e fitoreve të rivalit të saj demokrat, Bernie Sanders, dhe e bëri pothuajse të pamundur për Sanders-in që ta mposhtë udhëheqjen e saj në votat e delegatëve, që janë të nevojshme për nominim. “Gara për nominimin demokrat është shtrirë në shtëpi dhe fitorja është në horizont”, ka thënë Clinton, 68 vjeçare, para një mase të përkrahësve të saj në Manhattan.Clinton ka arritur të fitojë një numër të përkrahësve të Sanders, pas një konkurrence të pavolitshme në New York, ku të dy rivalët i hodhën njëri tjetrin akuza të ashpra.
“Ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa që na ndajnë”, ka thënë Clinton. Trump, nga ana tjetër, u shfaq i gatshëm të fitojë shumicën ose të gjithë nga 95 delegatët e republikanëve në New York, duke fituar 60 për qind të votës mbarë shtetërore, me më shumë se 3/4 e rezultateve të numëruara.“Nuk kemi kushedi se çfarë gare, bazuar në atë që po e shoh nëpër televizione”,ka thënë Trump, 69 vjeçar, para përkrahësve të tij në Manhattan.Ai tha se liderët e partisë republikane që janë munduar ta pengojnë fitoren e tij për nominim gjatë rundit të parë të delegatëve “ndodhen në vështirësi”.
Votimi është shënuar me parregullësi, përfshirë më shumë se 125 mijë njerëz që mungonin në listat e votuesve të New Yorkut, nga rreth 4 milionë votues potencial në atë shtet.Konventat partiake kombëtare të demokratëve dhe republikanëve mbahen në fund të verës.Partia Republikane takohet në Klivlend, më 18 korrik, ndërsa demokratët në Filadelfia, më 25 korrik. Në konventë,përfundimisht, partia e mbështetë kandidatin e saj për president.Pasi secila parti zyrtarisht e nominon kandidatin e saj, atëherë mbeten afro tre muaj deri në Ditën e Zgjedhjeve.
Gjatë kësaj kohe kandidatët kalojnë nëpër secilën pjesë të vendit për t’u takuar me votuesit, për të mbajtur fjalime me shpresë për ta konsoliduar mbështetjen brenda partisë dhe, eventualisht, për t’i fituar votuesit e tjerë të jashtëm. Shpalljet politike dhe reklamat i vërshojnë radiot dhe televizionet.Parashihet edhe mbajtja e disa debateve televizive kombëtare, në të cilat kandidatët, kryesisht nga partia republikane dhe ajo demokrate, ballafaqohen me njëri-tjetrin dhe përgjigjen në pyetjet e moderatorit.Përfundimisht, ditën e martë, që vjen pas të hënës së parë në nëntor, amerikanët votojnë për president.