Mediu: Reformë në Drejtësi dhe kushtetuese, për zgjedhje të lira
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu kërkon që paralelisht me reformën në drejtësi të realizohet edhe reforma kushtetuese.
Gjatë fjalës së mbajtur pas zgjedhjes së kryetarit të ri të PR në Tiranë Blendi Sulaj, kryerepublikani Mediu tha se krahas kësaj reforme, opozita duhet të synojë realizimin e reformës zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme për të gjithë shqiptarët.
“Sot opozita, krahas nevojës për Reformën në Drejtësi të kërkoj hapur nevojën për një reformë të plotë kushtetuese e cila brenda parimit të kontrollit të balancimit të pushteteve të vendosë në qendër të vet në mënyrë të padiskutueshme lirinë dhe të drejtën e individit. Jo vetëm si nene të kësaj kushtetute, por si domosdoshmëri për mirëfunksionimin dhe mirëmenaxhimin e çdo pushteti, institucioni kushtetues, ligji apo vendimi qeveria. Prandaj prioritet i prioriteteve për këtë kohë që ka mbetur për opozitën është garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Zgjedhjet e ndershme janë themeli për i një qeverie përfaqësuese. Çdo herë që një votë e hedhur manipulohet i hiqet e drejta e zgjedhjes së lirë një qytetari. Manipulimi i votave është krimi më i rëndë politik, ajo që është më e rëndësishme është se Partia Republikane të mos numërojë ata që shkojnë, por ata që vijnë për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë dhe unë kam kënaqësinë që ti shikoj sot prezent në këtë sallë” tha ai