Grupi “Blushi” ndryshon fokus: Oponencë ndaj qeverisë “Rama”

Kopliku nuk bojkoton referendumin 

 

 albestblushiiiGrupi prej 12 figurash socialiste që u rreshtuan përkrah Blushit në fillim të debatit për zgjedhjen e kryetarit të PS-së, nuk kanë marrë pjesë në votim, disa për arsye objektive të mos ndodhjes në vendvotime, e disa të tjerë, për arsye se besojnë që ky referendum ishte një farsë. Nga grupi i cili përbëhej nga Ben Blushi, Arta Dade, Mimoza Hafizi, Rexhep Meidani, Ndre Legisi, Petrit Ago, Mark Nikolli, Namik Kopliku, Marko Bello, Tritan Kalo, Suzana Hakrama dhe Maqo Lakrori, rezulton se asnjë nuk ka votuar, Kopliku sepse ndodhej në Shkodër e votonte në Tiranë, Dade sepse ndodhej jashtë vendit. Mimoza Hafizi tha për “TV KLAN” se nuk kishte marrë pjesë. “Sigurisht që nuk mora pjesë. Desha vetëm të jem pjesë e monitorimit të procesit përmes vëzhguesve, por nuk u lejova”. Por pyetja që bëhet pas kësaj faze, është se çfarë do të bëjë grupi mbështetës i Blushit, i regjistruar me atë që quhet “Lëvizja për Demokraci në PS”. Dy nga protagonistët e kësaj nisme, Petrit Ago dhe Maqo Lakrori thonë se ky është vetëm fillimi, dhe paralajmërojnë se aksioni i radhës do të jetë kritika e qeverisjes së Ramës.

Petrit Ago shpjegon se pse nuk mori pjesë në votimin e djeshëm. “Nëse do të merrja pjesë në këtë votim unë do të legjitimoja shkeljet flagrante që janë bërë në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të Partisë Socialiste sipas parimit një anëtar një votë”-tha Ago. I pyetur se çfarë do të ndodhë më tej, ai thotë se aksioni sapo ka filluar. “Kauza jonë sapo ka filluar. Ne me punën tonë, me të drejtën tonë do të bindim elektoratin e majtë se ne jemi në të drejtën tonë. Koha sapo ka filluar”-tha Ago. I pyetur nga Shqiptarja.com se çfarë kanë parashikuar të bëjnë dhe si do ta bindni elektoratin e majtë, ai tha se do të shumëfishohet lëvizja. “Ne do të vazhdojmë lëvizjen që e kemi afishuar. Do të shumëfishojmë forcat dhe energjitë për të realizuar të gjithë objektivat që ka kjo lëvizje. Nuk ka qenë problem fushata. Unë jam prononcuar kundër referendumit dhe do të vazhdoj ta bëj. Nuk është problem vetëm referendumi. Problemi madhor që ka Partia Socialiste si mazhorancë është qeverisja e dobët e saj.

Gjendja e keqe, shumë e vështirë ekonomike, është kryesore. Çfarë tha Banka Botërore dje është në të njëjtën linjë me të gjitha vërejtjet që ne kemi bërë”-tha Ago. Pyetjes se a do t’i bëhet oponencë qeveritare në 2017 Edi Ramës, Ago nuk ju përgjigj drejtpërdrejtë nëse e kishte fjalën për një parti të re, por tha se opozita nuk do të jetë ndaj socialistëve, por ndaj rilindësve. “Do t’ia lëmë kohës. Por Rama nuk do të ketë shans të thotë që këta duhan që të humbasin socialistët. Realisht ne jemi socialistët, Rama është rilindja. Janë njerëzit e katapultuar në PS”-tha Petrit Ago. Maqo Lakrori tha se aksioni i Lëvizjes për Demokraci në PS që ai vetë e drejton, sapo ka filluar.

“Në Kongresin e PS-së votova hapur kundër zhvillimit të këtij lloj referendumi. Në vijim të atij qëndrimi nuk morra pjesë në votimin e sotëm. Lëvizja për Demokraci në Partinë Socialiste të Shqipërisë vetëm sa ka filluar. Në mbledhjen e fundit të AKS në marsin e kaluar në paraqitem platformën e 20 shkurtit 2016, të Lëvizjes sonë. Argumentet e platformës për demokraci reale në PS, u konfirmuan, madje u pasuruan më tej, nga vetë mënyra e përgatitjes dhe e zhvillimit të Kongresit të 19 marsit, e po ashtu edhe nga gjithë ecuria e këtij referendumit të sotëm. Prandaj, ju thashë që ky është vetëm fillimi”-tha Maqo Lakrori për Shqiptarja.com .

Lakrori

“Problemi madhor që ka PS si mazhorancë është qeverisja e dobët e saj. Rama nuk do të ketë shans të thotë që këta duhan që të humbasin socialistët. Realisht ne jemi socialistët, Rama është rilindja. Janë njerëzit e katapultuar në PS”.

Ago

“Në Kongresin e PS-së votova hapur kundër zhvillimit të këtij lloj referendumi. Në vijim të atij qëndrimi nuk morra pjesë në votimin e sotëm. Lëvizja për Demokraci në Partinë Socialiste të Shqipërisë vetëm sa ka filluar”.

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.