PD-së i humbet kauza e bojkotit, u bie bidonave

 politikebojkoti222

Prej javësh, Parlamenti shqiptar më tepër si një institucion për miratimin e ligjeve është kthyer në një arenë sulm-kundërsulmi dhe bllokimi. Vetëm 60 minuta zgjati seanca e ditës së djeshme, ndërsa tashmë opozita nuk ka më as pretekst për të braktisur seancat. Ndryshe nga javët e shkuara, opozita nuk u largua, por bllokoi foltoren e kuvendit, duke bërë zhurmuesin për rreth 60 minuta. Se cila është arsyeja që u bllokua foltorja këtë as vetë përfaqësuesit e opozitës nuk e dinë, por u mjaftuan me një pretekst të ri: “Do e bllokojmë sepse kjo mazhorancë nuk po respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.

Seanca

Në shenjë solidariteti me Belgjikën dhe në nderim të kujtimit të viktimave të pafajshme që humbën jetën nga sulmet terroriste në Bruksel, Kuvendi mbajti një minutë heshtje në nisje të seancës plenare. Ky ishte momenti i vetëm kur mazhoranca dhe opozita ranë dakord mes tyre. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se Shqipëria renditet krah shteteve të tjera evropiane për të luftuar terrorizmin. “Ky agresion i përsëritur ndaj qytetarëve dhe shteteve të Evropës, por mbi të gjitha edhe vlerave të Evropës së bashkuar na motivon më shumë edhe ne për të shtuar kontributin tonë dhe vendosmërinë për ta fituar këtë betejë deri në fund sepse terrorizmi s’mund të ketë vend dhe të ardhme në Evropë” tha kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Më pas do të vijonte komedia nën regjinë e opozitës. Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi, si rrallë herë në ndonjë seancë ishte i vetmi që foli nga foltorja e parlamentit, duke shprehur qëndrimin e radhës të opozitës se do të bojkotonin për shkak se javën e kaluar mazhoranca e rrëzoi kërkesën e PD-së për të çuar në Gjykatën Kushtetuese deputetin e majtë Rakip Suli.

Në përfundim të fjalës së Halimit, deputeti i mazhorancës kërkoi fjalën për replikë, për shkak se iu përmend emri, por nga ky moment “ligjvënësit” opozitarë me në krye ish-ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, bllokuan foltoren. Për këtë shkak dhe për të ulur disi tensionet kryeparlamentari Meta e ndërpreu seancën për 5 minuta, por duket se gjithçka rinisi aty ku mbeti. Halimi tha se kërkesa e demokratëve është që të futet në axhendë anulimi i vendimit që nuk çoi për shqyrtim në Kushtetuese mandatin e Rakip Sulit. Me këtë deklaratë, demokratët ju drejtuan foltores së Kuvendit duke mos lejuar asnjë deputet të mbante fjalën. Këtu nisi edhe saga e deputetëve të PD-së. Në momentin që ishte duke folur deputeti Besnik Baraj, opozitarët Edmond Spaho dhe Helidon Bushati përdorën bidonat e ujit për të bërë zhurmuesin, ndërsa pati edhe një përgjigje nga deputeti Baraj: “Meqë po e bëni këtë gjë, merrjani dhe një isoje labe”, tha deputeti socialist. Ndërsa deputetet e PD-së të udhëhequra nga Kastriot Islami zgjodhën të shkaktoni rrëmujë nga karriket e tyre. Në një moment ish-kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli u pa të përdorte kutinë e syzeve do e përplasur mbi tavolina. Duke ironia deputetët e opozitës, Erjon Braçe teksa i filmoi në “aksionin” e tyre, i shpërndau në rrjetet sociale me dixhiturën “Kësaj i thonë t’i biesh me dorë, o bidon”, shkruan Braçe.

Urimet për ditëlindje

Në një seancë të shkurtër, ndryshe nga mbledhjet e Kuvendit me orë të tejzgjatura e me debate të forta që tejkalojnë programin e ditës, këtë radhë në Parlament, si rrallë herë, fjalimet u mbajtën vetëm për projektligjet e rendit të ditës, përveç deklaratës së Halimit. Projektligjet u diskutuan dhe miratuan pa debate. Mazhoranca ishte në limitet e deputetëve, pasi kishte vetëm 71 vota, madje në një rast kryeparlamentari Meta kërkoi vëmendjen e deputetëve.

Por ndërsa ishin duke u diskutuar projektligjet e ditës dhe opozita vijonte aksionin e saj, të qeshura në sallë krijoi një deklaratë e deputetit Bujar Çela. “Më lejoni për procedurë të uroj ditëlindjen e zotit Ilir Meta, si pjesëtar i të dy koalicioneve dhe i të gjithë sallës”, tha Çela. Në këtë moment nuk mund të fshihej buzëqeshja dhe e papritura në fytyrën e kryeparlamentarit. Urimi u shoqërua me duartrokitje nga mazhoranca, ndërsa opozita e kaloi në heshtje teksa ishte mbledhur rreth foltores. Por ky veprim i opozitës nuk kaloi pa përgjigje nga deputeti “nismëtar”. “Mendoj se krahu tjetër i kësaj salle mund ta respektojë duke duartrokitur që të gjithë. Nuk është faji im që ju si opozitë jeni indiferente. E keni për detyrë se keni bashkë qeverisur me kryetarin e Kuvendit”, tha Çela.

Por kjo nuk do të ishte e papritura e vetme në sallë. Fill pas fjalëve të deputetit Çela, deputetja Arta Dade, uroi Ilir Metën për ditëlindje, por njoftoi se në të njëjtën ditë feston ditëlindjen edhe kreu i diplomacisë shqiptare, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Kjo ishte krejt e papritur për shkak se Arta Dade, si kryetare e Komisionit të Jashtëm herë pas herë ka pasur përplasje dhe kritika në drejtim të ministrit Bushati. “Duke u bashkuar me urimet për kryetarin e Kuvendit, unë dëshiroj t’i uroj ditëlindjen zotit Ditmir Bushati, Ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Mazhoranca e përcolli me duartrokitje edhe këtë moment. “Për ne sot është ditë e veçantë, për opozitën mesa duket e kanë marrë përsipër të bëjnë zhurmuesin. Për fat të mirë zërin e kemi të fortë, teknika funksionon më së miri”, tha Dade.

Idrizi: Varreza çame në Greqi, nëse lejojmë hapjen e varreve greke

Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Dinjitet, njëkohësisht nënkryetari i Kuvendit, Shpëtim Idrizi, gjatë seancës së djeshme kërkoi fjalën për të reaguar ndaj vizitës së Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati në Greqi. Idrizi tha se Bushati nuk e hapi çështjen çame gjatë takimeve të tij dhe nuk foli as në konferencën për shtyp. Në këto kushte ai tha se nëse nuk ngrihen varrezat e çamëve të vrarë nga bandat e Napolon Zervës në Greqi, PDIU dhe shoqëria civile nuk do të lejojë hapjen e varrezave greke në Shqipëri. “E mora fjalën për vizitën e ministrit të Jashtëm në Greqi dhe për atë fakt që më ka bërë përshtypje për mos hapjen e çështjes çame as në konferencën për shtyp. Në këto kushte unë kërkoj mirëkuptimin tuaj, do ta tërheq fjalimin tim. Ne kemi kërkuar ngritjen e varrezave të çamëve të vrarë nga bandat e Napolon Zervës, në Igumenicë, ku ndodhet edhe busti i Zervës. Nëse nuk merren masa për ngritjen e varrezave për shqiptarët e masakruar ne nuk do të lejojmë hapjen e varrezave greke në Shqipëri megjithë shoqërinë civile”, tha Idrizi.

Bujar Çela flet me Berishën, Ruçi i tërheq vëmendjen

Ndërkohë që deputetët e opozitës u grumbulluan rreth foltores së parlamentit, Sali Berisha nuk lëvizi nga vendi, duke u marrë me tabletin e tij. Gjatë kësaj kohe ai pati një vizitë për disa minuta nga deputeti i kampit kundërshtar, Bujar Çela. Në foto duket se deputeti socialist i qarkut Fier, qëndron pranë ish-kryeministrit, dhe duket se diç kanë për të ndarë bashkë. Por kjo bisedë mes tyre nuk i shpëtoi syrit të kreut të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili duket pak i habitur nga ky takim. Duke qenë se deputeti Çela ishte i pari që uroi për ditëlindje kreun e Kuvendit Meta, mbase ai do shpëtojë thjesht më një vërejtje nga ana e Ruçit, për këtë takim të papritur me  kundërshtarin më të madh të opozitës Sali Berisha.

Deputetja Halimi fotografon mazhorancën

Seanca e ditës se djeshme përpos kohëzgjatjes së saj, jo më shumë se 60 minuta, ofroi më tepër skena gazmore. Në një moment kur deputetët e opozitës kishin bllokuar foltoren, duke bërë zhurmë me çdo lloj mjeti që mundeshin, deputetja e qarkut të Elbasanit, Arbiola Halimi ku kap teksa po fotografonte deputetët e mazhorancës, që në ndryshim nga të djathtët ishin të gjithë të ulur në vendet e tyre.

Berisha kërkon shkrirjen e parlamentit, Nishani: Do të zbatoj Kushtetutën

Pas përfundimit të seancës plenare, ish kryeministri Sali Berisha kërkoi shkrirjen e menjëhershme të parlamentit shqiptar. Kjo për shkak se parlamenti prej 3 javësh ka bllokuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kur rrëzoi kërkesën e PD-së për të çuar në Kushtetuese mandatin e deputetit Rakip Suli. Por në përgjigje të Berishës, kreu i Shtetit Nishani u shpreh se nuk do të bëjë asgjë që do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. “Nga përvetësimi i fuqisë kushtetuese dhe marrjes së këtij pushteti nga parlamenti, prej 3 javësh vazhdon bllokimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ata deputetë që kanë përdorur mandatin për qëllime politike. Kjo është një nga situatat më të rënda në historinë e vendit. Në këto kushte parlamentit meriton vetëm një qëndrim, shkrirjen  e menjëhershme të tij. Kur parlamenti ka konsumuar, grushtin e shtetit, ky parlament nuk meriton të ekzistojë më. E ftoj opozitën të marrë të gjitha vendimet sepse një situatë e tillë është kazmë në themelet e shtetit. Imagjinoni ju se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta pushtetarë kur shkelmojnë vendimet e asaj gjykatës” tha Berisha. Ish- kryeministri i bëri thirrje edhe presidentit Bujar Nishani që të shpreh qëndrimin e tij ndaj këtij akti antikushtetues siç e quan ai. “Presidenti i Republikës nuk ka prerogativa kushtetuese. Në Kushtetuta të tjera Presidenti është përmbaruesi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo nuk ekziston në Kushtetutën tonë. Por Presidenti duhet të konsultohet gjerësisht me të gjithë juristët më të mirë të vendit për të shprehur qëndrimin ndaj këtij akti antikushtetues”, u shpreh ai. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani komentoi deklaratën e ish-kryeministrit Berisha për shkrirje të Kuvendit. I pyetur nga gazetarët, Nishani u shpreh se në çdo rast Presidenti do të veprojë mbi bazën e Kushtetutës. “Prerogativat, detyrat dhe angazhimet e Presidentit të Republikës janë qartazi të përcaktuara në Kushtetutë. Kështu që në çdo rast dhe në çdo rrethanë Presidenti do të ndjekë dhe do të zbatojë kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën”, tha kreu i shtetit. Deklaratat e Nishanit u bënë pas homazheve që Presidenti zhvilloi në nder të viktimave të sulmit terrorist në Bruksel.

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.