Pronat, formulari për aplikim
Me miratimin e 3 akteve normative, të cilat kanë kompletuar ligjin e ri të Pronave, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka ndryshuar edhe formën për aplikimet dhe shqyrtimet e kërkesave për pronarët. Në rast se këta të fundit do të duan të rimarrin pronën e tyre apo paratë, sipas rregullave që përcakton ligji i miratuar, duhet të plotësojnë formularin tip dhe ta depozitojnë atë dorazi ose me postë pranë AT P-së. Në përmbajtje të këtij formulari, ka një sërë të dhënash që duhet të plotësohen nga subjekti i shpronësuar, ose nga trashëgimtarët a përfaqësuesi ligjor me prokurë, i shoqëruar ky edhe me dokumentacionin përkatës.
Kërkesa brenda formularit mund të bëhet për njohje pronësie për të gjitha kategoritë e pronës (truall, ndërtesë, tokë bujqësore, pyll/livadh/kullotë) dhe pretenduesi ka të drejtë të kërkojë rishqyrtim të vendimit të mëparshëm ose shqyrtim të ri. Formulari e përcakton në pikën ku vendoset firma e nënshkruesit, se në rast se fshehjes apo mashtrimit me të dhënat (dokumente të falsifikuara), ai jo vetëm që do të përjashtohet nga shqyrtimi i kërkesës, por do të mbajë edhe përgjegjësi penale. “Unë i nënshkruari ......, deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se pranoj dhe jam dakord të aplikoj lidhur me kriteret për njohje të pronës dhe kompensimit të saj se dhe kushtet e vendosura në VKMnë e datës 23.03. 2016”, thuhet në kërkesën që plotësohet nga pronari direkt ose i deleguari i tij. Me plotësimin dhe dorëzimin e këtyre formularëve, Agjencia për 3 vite do të bëjë verifikimet e plota dhe më pas do të marrë vendimet përkatëse.
Dokumentet
Bashkëngjitur me formularin, i cili i përmban edhe dokumentacionin e plotë, pronarët duhet të depozitojnë në Agjencinë e Trajtimit të Pronës dokumentet ligjore, hartografike dhe vërtetimet për përfitimin nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës. Të gjitha këto dokumente konfirmohen në formular, që janë bashkëngjitur me të. Dokumentacioni ligjor përbëhet, sipas rastit, nga, dokumentacioni hipotekor, kadastral, arkivor, vendimet e mëparshme të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-ZRKKP-së, AKKP-së, dokumenti që vërteton heqjen ose marrjen e së drejtës së pronësisë nga shteti subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944 apo dokumenti për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë, të krijuara përpara datës 7 prill 1939, të cilat janë sekuestruar sipas ligjit të vitit 1945, “Ligja e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës ose çdo dokument tjetër ligjor i lëshuar nga institucionet shtetërore i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes”.
Në rast se një nga dokumentet ligjore ka mangësi lidhur me sipërfaqen dhe kufijtë e pronës së pretenduar, subjekti depoziton vendimin gjyqësor të formës së prerë së bashku me planvendosjen e pronës, objekt gjykimi, të vulosura nga gjykata, si dhe akt-ekspertimin, në rast se gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë është kryer një i tillë. Ndërkohë, dokumentacioni hartografik, përmban çdo të dhënë topografike dhe hartografike të pronës së pretenduar, të pasqyruar në hartën aktuale dhe të konfirmuar nga institucioni ku, sipas rastit, mund të jetë ZRPP-ja ose Drejtoria e Shërbimit Pyjor, si dhe pozicionimin e pronës së pretenduar me inxhinier të licencuar, me përjashtim të rasteve kur pozicionimi i pronës është kryer me vendim gjykate të formës së prerë.
Në rast se formulari dhe dokumentacioni përkatës verifikohen pa probleme e mangësi, Agjencia bën vlerësimin sipas ligjit, për kompensimin ose kthimin e pronës. Me skemën e re, prona që do të njihet për kompensim do të vlerësohet sipas zërit kadastral të vitit kur është shpronësuar. Ndërkohë, prona që do të vendoset për t’ju kthyer pronarëve legjitimë, do të vlerësohet sipas zërit kadastral aktual të saj dhe sipas zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit, duke llogaritur diferencën e vlerës, që do të rezultojë nga ndryshimi i zërit kadastral.
Nëse ligji pezullohet?
Edhe pse ligji i pronave, ka nisur të zbatohet nga dje, ekziston mundësia që ai të bllokohet dhe 24 milionë dollarë që janë në dispozicion të pronarëve këtë vit, të ngrijnë. Këtë vendim mund ta japë Gjykata Kushtetuese, pas ankimimit që kanë bërë Presidenti, Partia Republikane dhe Shoqatat e Pronarëve. Lidhur me këtë, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka thënë se rrëzimi i ligjit do të sillte pasoja të rënda pas kalvarit 20-vjeçar të pronarëve. “Pezullimi i ligjit të pronave do të kishte pasoja katastrofike jo vetëm për pronarët, por edhe për shoqërinë shqiptare”, tha Manjani, madje duke e konsideruar pezullimin si jo legjitim nga ana kushtetuese.
“Nuk ka asnjë rresht që të legjitimojë pezullimin e akteve nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është Kushtetuta e Shqipërisë nga A-ja te ZH-ja”. Sipas tij, pezullimi do të digjte 24 milionë dollarë fond për kompensimin e pronarëve, si dhe do të bllokoheshin 20 mijë hektarë tokë bujqësore. “Gjykimi Kushtetues për këtë ligj është një gjë e shtuar, sikurse është kompleks dhe i vështirë, e sigurisht që do të kërkojë kohën e vet. Masa e përkohshme e pezullimit të ligjit do të ishte një çështje e pajustifikuar.