Nishani- Raimondi: Shqiperia e vendosur ne luftën kunder ISIS
Presidenti Bujar Nishani ka shprehur dhe njëherë keqardhjen për viktimat e atentatit terrorist në Bruksel, gjatë takimit në Këshillin e Evropës me Presidentin e ri të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi.
Kreu i Shtetit e siguroi zotin Raimondi për solidaritetin dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë krah aleatëve të saj në luftën kundër ISIS-it dhe terrorizmit ndërkombëtar. Teksa ka vlerësuar rolin dhe kontributin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, presidenti Nishani e siguroi Presidentin e Gjykatës Raimondi për angazhimin e Shqipërisë, si shtet palë në Konventë, për t’i njohur dhe garantuar çdo personi nën juridiksionin e vet të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë.
Presidenti Nishani theksoi gjithashtu se Shqipëria ka qenë dhe është e angazhuar që në të ardhmen të realizojë zbatimin e Konventës (KEDNJ) në nivel kombëtar, në mënyrë të tillë që aplikantët të mos i drejtohen vetëm dhe në çdo rast GjEDNj-së, por të marrin zgjidhje nga institucionet e larta shqiptare të drejtësisë.
Gjatë këtij takimi presidenti Nishani informoi zotin Raimondi mbi ecurinë e reformës në drejtësi, duke u shprehur se pas opinionit të Komisionit të Venecias, forcat politike nuk duhet të humbin më kohë por duhet të veprojnë dhe punojnë për ndryshimet kushtetuese.
Po ashtu në fokus të takimit ishte edhe çështja e pronave dhe kompensimit të ku Kreu i Shtetit e njohu zotin Raimondi me këndvështrimin e tij për ligjin e miratuar së fundmi nga Parlamenti shqiptar për kompensimin dhe trajtimin e pronës, si dhe evidentoi ankimimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se “përmes këtij ligji, është prekur standardi i vendosur përmes Kushtetutës dhe jurisprudencës së saj, por edhe standardi i vendosur nga Konventa dhe jurisprudenca e saj, si dhe janë anashkaluar edhe mesazhet e dhëna nga GjEDNj jo vetëm përmes vendimit pilot, por edhe çështjeve më të fundit të trajtuara prej saj”.