Greqia: Ligji i luftës, akt formal
Shfuqizimi i Ligjit të Luftës, emigrantët shqiptarë, minoriteti grek në Shqipëri dhe kriza e emigrantëve ishin temat kryesore të diskutimit që ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ndau me Presidentin grek, Pavlopulos dhe homologun e tij, Kocias, gjatë ditës së parë të qëndrimit në Greqi. Athina dhe Tirana zyrtare kanë rënë dakord, që “Ligji i Luftës” mes dy vendeve është një çështje e tejkaluar, edhe pse ende ka mbetur akti formal për ta shfuqizuar. “Greqia nuk është në gjendje lufte me Shqipërinë. Këtë e tregon dhe deklarata e vitit 1987 e Këshillit të Ministrave, e dëshmon integrimi i Shqipërisë në NATO dhe Pakti i Miqësisë në vitin 1996. Në qoftë se ekzistojnë çështje juridike, që nga ana e Shqipërisë kërkojnë riformulim të mëtejshëm, ekziston një mekanizëm dhe metodë për zgjidhjen e tyre”, tha Kocias.
Greqia e vëndosi Ligjin e Luftës ndaj Shqipërisë në vitin 1940, kur Italia Fashiste, që kishte pushtuar Shqipërinë në prill 1939, sulmoi Greqinë, duke përdorur territorin shqiptar. Shefi i diplomacisë shqiptare, Bushati, preku një temë tjetër mjaft të ndjeshme, atë të Paktit Detar, të nënshkruar në prill 2009, në Tiranë, që i falte Greqisë mbi 355 km katrorë hapësirë detare dhe që është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në shkurt 2010. “Siç ka çështje, për të cilat ka rakordim të plotë, ka dhe çështje, për të cilat ne jemi ende në skicimin e një zgjidhjeje, e cila bazohet mbi të drejtën ndërkombëtare dhe interesin e ndërsjelltë. Në momentin kur ne të kemi gjetur zgjidhje, nuk ka dyshim që këtë do ta komunikojmë edhe përballë opinionit publik”, tha ministri Bushati.
Edhe pse nuk janë shprehur zyrtarisht, dy ministrat kanë prekur edhe çështjen çame. Në lidhje me këtë temë, mediat greke raportojnë se ministrat kanë shprehur gatishmërinë për ngritjen e mekanizmave të përbashkët për zgjidhjen e të gjitha problemeve të së kaluarës, të cilave palët u janë referuar si çështje me karakter historik. Kreu i diplomacisë helene, Kocias, në vijim të bisedës përshëndeti bashkëpunimin dypalësh dhe u shpreh i vendosur për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. “Athina mbështet Shqipërinë në rrugën e saj evropiane dhe do të vazhdojë ta bëjë atë”, deklaroi Kotzias. Gjatë takimit, dy ministrat ndanë vlerësimin e përbashkët se fuqizimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve me rëndësi strategjike ndërmjet vendeve tona, fqinjë, anëtarë të NATO-s, dhe gjithnjë e më afër në planin evropian, është me rëndësi jo vetëm në planin dypalësh, por i shërben edhe një rajoni të vendosur të shohë përpara e të ndërtojë, përmes bashkëpunimit, të ardhmen e vet evropiane.
Ministri Bushati vlerësoi dhe shprehu falënderimet, në këtë kuadër, për rolin dhe mbështetjen e Greqisë ndaj proceseve integruese të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në lidhje me krizën e emigrantëve, Kocias u shpreh se Shqipëria duhet ta trajtojë problemin ashtu si priti Greqia emigrantët shqiptarë. “Lidhur me refugjatët, unë mendoj se ne nuk duhet të shohim këtë si një problem mes nesh. Mos harroni se Greqia pret 650,000 shqiptarë. Kjo do të thotë se Shqipëria ka eksperiencë të madhe me lëvizjen e popullsisë së saj dhe mendoj se me të njëjtën mënyrë që ne i trajtuam atëherë problemet, edhe Shqipëria duhet të trajtojë problemet e tanishme, të cilat në bazë të dakordësisë me Brukselin, duhen të kufizohen dhe jo të zgjerohen”, tha Kocias. Ndërsa Bushati tha se Shqipëria do të përmbushë të gjitha angazhimet e saj si një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.