Kotzias sot në Tiranë, negociatat me Greqinë drejt dështimit
Negociatat me Greqinë për paktin detar dhe çështjet e tjera të mbetura pezull rrezikojnë të dështojnë. Për këtë arsye ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias vjen në një vizitë disaorëshe në Tiranë. Për shkak të vështirësive në negociata, kryeministri Aleksis Tsipras anuloi vizitën në Shqipëri e planifikuar në fillim të prillit.
Sipas një njoftimi për mediat të shpërndarë nga Ministria e Jashtme greke, të dy ministrat, Bushati dhe Kotzias do të shqyrtojnë gjatë takimit të sotëm në Tiranë, hapat e ardhshëm, në kuadrin e dialogut të vazhdueshëm për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe të pazgjidhura.
Fillimisht ishte planifikuar që Tiranën ta vizitonte kryeministri grek Aleksis Tsipras për të firmosur me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama marrëveshjen e detit dhe një sërë çështjesh të tjera për të cilat fillimisht u duk se kishte dakordësi mes Tiranës dhe Athinës.
Por sipas mediave greke, hezitimi i Tiranës zyrtare për nisjes e negociatave, pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta vonoi dhënien e autorizimit për lëshimin e plotfuqisë nga ministri i Jashtëm Bushati, bëri që Tsipras të anulojë vizitën dhe të dërgojë në Shqipëri Kotzias. Bushati dhe Kotzias kanë zhvilluar edhe dy takime të mëparshme në Kretë në nëntor 2017 dhe në Korçë vetëm dy muaj më parë.
LEXO TE NGJASHME