Vetingu, Kushtet e reja që penalizojnë 12 mijë policë
Projektligji për Vetingun në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe SHÇBA në Ministrinë e Brendshme, i miratuar në parim në seancën e fundit plenare dhe që pritet të miratohet në tërësi ditën e hënë, ka pësuar ndryshime të rëndësishme gjatë shqyrtimit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe Komisionin e Ligjeve. Shqiptarja.com zbardh 66 amendamentet e miratuara nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare për projektligjin e Vetingut në polici. Në këto amendamente janë reflektuar edhe propozimet e Komisionit të Ligjeve. Amendamentet, të cilat pritet të miratohen ditën e hënë, përmbajnë rregulla, kushte dhe kritere të reja të kontrollit të punonjësve të policisë, gardës dhe SHÇBA.
Rregullat e reja
Një nga amendamentet e propozuar nga Komisioni i Sigurisë parashikon që punonjësit e policisë nuk duhet të mbajnë më shumë se sa 1.5 milionë lekë në banesë apo jashtë sistemit bankar, para se të fillojë Vetingu. Nëse atyre u gjenden më shumë se sa 1.5 milionë lekë cash, kjo mund t’u kushtojë vendin e punës. Ky propozim është sugjeruar nga Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, i cili do të zbatojë njëri nga tre elementët e projektligjit, që ka të bëjë me kontrollin e ligjshmërisë së pasurive të punonjësve të sigurisë dhe familjarëve të tyre. Përpos policëve, para jashtë sistemit bankar, mbi shumën e përmendur, nuk duhet të mbajnë as të afërmit e tyre, ku përfshihen bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja dhe fëmijët në moshë madhore dhe çdo person të përmendur në certifikatën familjare.
Kontrolli i figurës
Komisioni i Sigurisë ka riformuluar edhe nenin 36 të projektligjit, ku parashikohen rrethanat që merren parasysh për të konstatuar se një punonjës policie ka kontakte të papërshtatshme me krimin. Komisioni ka propozuar se një punonjës i policisë, gardës dhe SHÇBA konsiderohet se ka lidhje me krimin kur punonjësi ose personi i lidhur me të, ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri, me një person të përfshirë në krimin e organizuar. Punonjësi do të penalizohet kur ka lidhje të ngushta me një person të përfshirë në krimin e organizuar. Gjithashtu një punonjës do të ndëshkohet nëse merr pjesë apo është i pranishëm në takime me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar.
Përfshihen të huajt
Deputetët kanë propozuar ndryshimin e nenit 45 të projektligjit, duke saktësuar rolin e të huajve në procesin e kontrollit. Varianti fillestar parashikonte që organet e vlerësimit mund të kërkojnë informacion nga çdo subjekt i së drejtës publike apo private si dhe të konsultohen me partnerët ndërkombëtarë. Në variantin e ndryshuar thuhet se organet e vlerësimit mund të të asistohen me ekspertizë vetëm nga partnerët ndërkombëtarë që asistojnë Ministrinë e Brendshme.
Kushti 1
Një nga amendamentet e propozuar nga Komisioni i Sigurisë parashikon që punonjësit e policisë dhe familjarët e tij nuk duhet të mbajnë më shumë se sa 1.5 milionë lekë në banesë apo jashtë sistemit bankar, para se të fillojë Vetingu.
Kushti 2
Komisioni ka propozuar se një punonjës i policisë, gardës dhe SHÇBA konsiderohet se ka lidhje me krimin kur punonjësi ose personi i lidhur me të, ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri, me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
Disa nga amendamentet kryesore të Komisionit të Sigurisë
NENI 5
Neni 5 që sipas ndryshimeve të mësipërme bëhet Neni 6:
1. Pika 4 të riformulohet si më poshtë: “Punonjësit e njësive/reparteve/strukturave, përbërja e të cilave apo tipologjia e punës nuk mund të jenë publike, vlerësohen nga trupa të posaçme vlerësimi që krijohen në Komisionin Qendror dhe Vendor të Vlerësimit, me propozimin e 3 (tre) titullarëve të institucioneve subjekt të këtij ligji.”
2. Në pikën 5 të hiqet shprehja “pikës 1” si dhe germa (a).
NENI 7
Neni 7 që sipas ndryshimeve të mësipërme bëhet Neni 8:
Pika 2 rifomulohet si më poshtë:
“5 (pesë) anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit caktohen nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, të përzgjedhur ndërmjet punonjësve të këtij institucioni, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj. Ky organ cakton, gjithashtu, edhe 2 (dy) anëtarë zëvendësues, të cilët zëvendësojnë anëtarët e munguar. Në pikën 6, në vend të termit “cakton” të përdoret termi “përzgjedh” me qëllim unifikimin e parashikimeve të bëra në këtë dispozitë për përzgjedhjen e anëtarëve dhe të zëvendësuesve.
NENI 30
Neni 30 sipas ndryshimeve të mësipërme bëhet Neni 32: Në shkronjën “e” shprehja “tituj borxhi” të zëvendësohet me shprehjen “tituj kredie”. Bazuar në propozimin e ILDKPI sugjerohet të shtohet një paragrafi si më poshtë: “Të gjithë subjektet e vlerësimit dhe personat e lidhur (bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja dhe fëmijët në moshë madhore dhe çdo person të përmendur në certifikatën familjare), të cilët bëhen subjekte të këtij ligji dhe plotësojnë deklaratën e pasurisë, nuk mund të mbajnë dhe të deklarojnë gjendje në cash jashtë sistemit bankar mbi shumën 1,5 milion lekë. Depozitimi në institucionet bankare i gjendjeve cash mbi vlerën 1,5 milion lekë, është i detyrueshëm përpara dorëzimit të deklaratës së pasurisë pranë njësisë së burimeve njerëzore.
NENI 35
Neni 35 sipas ndryshimeve të mësipërme bëhet Neni 37. Pika 1 germa “dhe” dhe “e” bashkohen dhe riformulimi bëhet si më poshtë:
“dh)Verifikimin e procedimeve penale dhe administrative ndaj punonjësit, brenda dhe jashtë vendit, sipas përcaktimeve të ligjit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike;”
NENI 36
Në nenin 36 që sipas ndryshimeve të mësipërme bëhet Neni 38:
1.Në pikën 1 të hiqet fjala “indicie’.
2.Tek pika 4, germa “a” dhe “b” të hiqen dhe të riformulohet si më poshtë: Rrethanat, që merren parasysh në konstatimin se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar, janë:
a)Punonjësi ose personi i lidhur me të, ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri, me një person të përfshirë në krimin e organizuar;
b)Punonjësi ose personi i lidhur me të, ka lidhje të ngushta me një person të përfshirë në krimin e organizuar;
c)Punonjësi ose personi i lidhur me të, merr pjesë apo është i pranishëm në takime me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar, si dhe kur anëtarësia e personit në krimin e organizuar është e njohur, e dyshuar, e publikuar ose dokumentuar.
NENI 45
Në nenin 45 që sipas ndryshimeve të mësipërme bëhet Neni 47, pika 1 të riformulohet: “Gjatë hetimit administrativ, organet e vlerësimit mund të kërkojnë informacion nga çdo subjekt i së drejtës publike apo private si dhe të asistohen me ekspertizë nga partnerët ndërkombëtarë që asistojnë Ministrinë e Brendshme. “
NENI 60
Neni 60 sipas ndryshimeve të mësipërme bëhet Neni 62 të riformulohet si vijon: “Kundër vendimeve të organeve të vlerësimit mund të ushtrohet ankim i drejtpërdrejtë në Gjykatën Administrative kompetente sipas legjislacionit në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
Neni 65
Dispozitë kalimtare
Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të përfundojë brenda një periudhe prej 24 muajsh, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
LEXO TE NGJASHME